Droga, lufta e humbur e policisë. Në një vit, 50 kryepleq përfunduan në pranga dhe nën hetim për moskallëzim të fenomenit. Kryepleqtë: Nuk i kontrollojmë dot malet

Autor: Klevis Paloka

Vrasja e nënkomisarit të Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha pak metra larg vendit ku ata asgjësuan një parcelë droge me 62 rrënjë cannabis sativa risolli edhe njëherë çështjen e kultivimit të bimës narkotike në vendin tonë.

Thënë nga zyrtarë të shumë, ku nuk përjashtohen edhe ish ministra të brendshëm dhe drejtorë policie se lufta ndaj cannabisit është fituar, krimi ndaj uniformave të policisë në Ishull Lezhë, në fakt tregoi të kundërtën e asaj që përsëritet prej 8 vitesh.

Në emër të qeverisë dhe në rolin tim si Ministër i Brendshëm, ju siguroj për përkushtimin tonë të plotë dhe pa kushte për të vazhduar me vendosmëri luftën kundër krimit dhe kundër trafikut të lëndëve narkotike”, kështu shprehej Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë fjalës së lamtumirës për nënkomisar Hoxhës.

Duke u nisur nga kjo ngjarje, por edhe në ngjarjet e mëparshme, ACQJ vendosi të bënte një monitorim për operacionet e zhvilluara nga Policia e Shtetit gjatë 9 mujorit të parë të vitit 2021 nga njëra anë dhe asaj që lihet të kuptohet prej tyre. Se droga nuk mbillet vetëm në zonat e thella dhe malore të identifikuara si hotspote prej vitesh, por tanimë edhe në fshatrat e kryeqytetit. Dosjet hetimore tregojnë se si në pjesën dërrmuese, si edhe rasti i fundit i Lezhës kanabisi mbillet në toka shtetërore duke shpëtuar në mjaft raste nga përgjegjësia penale kultivuesit dhe trafikantët, ndaj të cilëve hetimet konstatojnë mos identifikimin e tyre. E ndodhur në këto rrethana, policia duket se për të mos e lënë dosjen të bardhë, ka tundur prangat për kryepleqtë.

Kryepleqtë

Sipas Policisë së Shtetit vetëm në 9 mujorin e parë të vitit 2021 janë arrestuar, ndaluar ose proceduar penalisht rreth 50 kryepleq në të gjithë Shqipërinë me arsyen e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzim krimi”.

Por pothuajse gjysma ose më shumë e tyre të këtyre arrestimeve janë hedhur poshtë nga Gjykatat të cilat i kanë lënë të lirë këta persona të kapur, pasi sipas tyre nuk ka pasur një shpërdorim detyre. Një monitorim i Qendrës “Fol” mbi drogën i kryer në qarkun e Tiranës, tregon rast pas rasti se në 6 procedime, përfunduan nën hetim dhe më pas në pranga, kryepleqtë e fshatrave Kryezi, Zall Bastar, Qafëmollë, Gurët e Zinj dhe Shëngjergj. Që të gjithë të dyshuar fillimisht për shpërdorim detyre, por që gjatë monitorimit rezultoi se gjykata nuk pranoi mbajtjen e tyre në qeli, ndërsa prokuroria ka mbajtur qëndrim lehtësues për ta duke i dyshuar vetëm për moskallëzim krimi. Njëri nga kryepleqtë shfaqet në komunikime me banorët dhe njëri nga kultivuesit lutet: Do Zoti bie shi!

Nuk di asgjë për parcelën

Një prej këtyre kryepleqve i cili u procedua penalisht pasi në fshatin e tij u gjetën të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, është edhe Arben Gordi.

Gordi ka folur para policisë dhe më pas para prokurorëve duke këmbëngulur se është si gjithë banorët e tjerë dhe se sdi asgjë se ccfarë ndodh nëpër male.

Nuk kam qënë në dijeni të asaj parcelë, pasi përveç punës si kryeplak kam edhe punën time që më duhet të mbaj familjen, pasi me pagën prej 6 mijë lekësh që marr si kryeplak nuk më del, e jo të kontrolloj gjithë zonën për çdo ditë. E kam të pamundur ta kontrolloj të gjithën, nuk mund ti kontrolloj të gjitha parcelat apo malet përditë, nuk i kam kushtet që unë të monitoroj edhe sikur të shkoj në një mal ose në një zonë kodrinore unë nuk mund ta dalloj me sy të lirë që nga larg”, shprehet 51 vjeçari i cili ka më shumë se 1 vit e gjysëm që e ka marrë këtë pozicion si kryeplak i fshatit “Gurët e Zinj” në Vorë.

Kryeplaku Gordi shprehet se detyra e tij kryesore janë problemet e bashkëfshatarëve për të patur harmoni dhe zgjidhur konfliktet.

Mendoj se nuk është detyra jonë edhe nuk duhet të jemi vetëm ne që merremi me kontrollimin apo monitorimin e zonës për kultivim cannabisi. Me këtë duhet të merret policia pasi unë kam edhe punë të tjera për të bërë, më duhet të zgjidh edhe hallet e banorëve të zonës time”, e mbyll babai i tre fëmijeve për “SINJALIZO!”.

Në fakt edhe në ligjin për “Vetëqeverisjen vendore” të ndryshuar në vitin 2015, nuk është e cilësuar se Kryetari i fshatit duhet të bëjë monitorim për kultivim cannabisi.

Ligji thotë :”Bazuar në vendimin e kryetarit të bashkisë, kryetari mund të kryejë detyrat si më poshtë:

a) kujdesjen për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të bardha dhe ujërave të ndotura, të kanaleve mbrojtëse të zonave të banuara, si dhe rrjetit të kanaleve tretësore të ujitjes dhe kullimit;

b) kujdesjen për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme dhe të çdolloj dëmtimi të rrugëve,trotuareve dhe shesheve publike në fshat;

c) administrimin e varrezave të fshatit;

ç) kujdesjen për ruajtjen e pyjeve dhe kullotave, si dhe të burimeve natyrore”, thuhet në pikën 2 të nenit 71 në ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Pavarësisht specifikimeve konkrete, jo vetëm gjatë këtij viti por sidomos tre vitet e fundit policia po e përdor ndjekjen penale dhe arrestimin e kryepleqve si një metodë jo vetëm për ti penalizuar ata, por edhe për ti siguruar si “bashkëpuntorë”. Shifrat për oficerët e policisë apo edhe strukturat e tjera që duhet të mbajnë përgjegjësi janë të pakta. Monitorimi i qendrës “FOL” tregon se për fshatrat e kryeqytetit ku dhe u ndaluan e më pas u liruan kryepleqtë, nuk pati asnjë specialist zone të policisë të hetuar për shpërdorim detyre nga mosveprimi, duke lejuar në këtë mënyrë mbjelljen e drogës jo shumë larg metropolit.

Shërbimi i ankesave për drogën

Por ajo çfarë është më interesante është fakti se në statistikat e nxjerra nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe për Ankesat në raportin vjetor të vitit 2020, është theksuar se ankesa ndaj efektivëve të policisë për favorizim në kultivimin e cannabisit kishte qënë vetëm 1 nga 1403 ankesat e bëra.

Ndërsa janë kryer vetëm 19 operacione për zbulimin dhe goditjën e paligjshmërisë së punonjësve të policisë.

Nga strukturat e hetimit të Shërbimit janë kryer rreth 19 operacione për zbulimin, dokumentimin ligjor dhe goditjen e paligjshmërisë së punonjësve të policisë në format dhe fenomenet më shqetësuese, siç janë “korrupsioni pasiv”, “shpërdorimi i detyrës”, favorizimi i “kultivimit të bimëve narkotike” e “kontrabandës”, dhe tendencave të tjera”, thuhet në raportin vjetor të SHÇBA, ndërsa mungojnë statistika sesa efektiv policie janë arrestuar ose proceduar penalisht gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa për vitin 2021, nga raportet mujore të publikuara nga Ministria e Brendshme, nuk jepet asnjë rast për efektiv policie të arrestuar për favorizim në kultivimin e cannabisit. Një fakt  tjetër që bie në sy është raporti mujor i publikuar i fundit nga Ministria e Brendshme është muaji Maj, ndërsa mungojnë raportet për muajt Qershor, Korrik dhe Gusht.

Screenshot i faqes zyrtare të Ministrisë së Brendshme për raportet mujore

Nga këto statistika lihet të nënkuptohet fakti se gjithë luftën ndaj cannabisit, Policia e Shtetit e ka bazuar nga raportimet e kryepleqve të fshatrave, të cilët nuk e kanë si detyrë kryesore, ndërsa mungojnë statistikat për inspektorët e zonave të cilët duhet të merren më këto çështje dhe që janë ndaluar pasi në zonat ku ata janë vendosur për të monitoruar është gjetur cannabis i kultivuar nga kontrollet ajrore apo nga sinjalizimet që vijnë nga operacionet që zhvillon Policia e Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter