Blog

Ndotja në plazhe vazhdon ti dërgojë pushuesit në spitale, Ekspertët: Nuk janë marrë masa parandaluese

Ndotja në plazhe vazhdon ti dërgojë pushuesit në spitale, Ekspertët: Nuk janë marrë masa parandaluese

Kur Arjana e dërgoi të birin me urgjencë në spital për shkak të njollave të befta që iu shfaqën gjithandej në trup, mjeku i la në dorë një recetë të mbushur me ilaçe duke komentuar se nuk ishte alergji, por infeksion lëkure i shkaktuar nga uji i ndotur. Mjeku doli në këtë konstatim menjëherë sapo nëna e re, i tregoi se po kthehej nga plazhi në zonën e Malit të Robit. “Është e çuditshme mbasi ne e frekuentojmë zakonisht plazhin e Durrësit dhe bëjmë kujdes me higjienën”, thotë gruaja e cila në spital u njoh me raste të ngjashme të infeksionit të lëkurës të shkaktuar nga uji i ndotur dhe me parazitë. Ajo ditë ishte për të birin një ditë e mundimshme që u pasua nga kruajtje të forta në lëkurë, megjithëse mjeku i këshilloi prindërit që të qëndronin sa më larg një plazhi të tillë. “Dukej sikur kjo ishte një këshillë që ai ua përsëriste shpesh njerëzve, ndaj dhe kuptova që doktori ndeshej zakonisht me urgjenca të tilla gjatë verës, mbasi vetëm pyeste: Ç’doni në Durrës, atje është plot me infeksione në rërë dhe ujë”, thotë gruaja gjatë intervistës.

Por në rrjetet sociale realiteti është krej ndryshe.

Postimi i kryeministrit, 11 qershor 2021

“Rritja e investimeve për ruajtjen e mjedisit e për mbrojtjen ujore dhe përkujdesja shumë më e madhe për plazhet, ka bërë që Shqipëria të arrijë standardet evropiane në parametrat që masin cilësinë e ujrave në det, liqene e lumenj”, ky është statusi i kryeministrit Rama në 11 Qershor, nëpërmjet të cilit ai përcjell edhe një video me të dhëna mbi cilësinë e plazheve në Shqipëri.

Por ajo që bie në sy është fakti se kreu i qeverisë ka lënë jashtë videos faktin se në plazhet shqiptare janë edhe disa zona, të cilat janë shënuar me pika të kuqe për shkak të cilësisë së keqe të ujit që kanë. Në total janë 5 plazhe të cilat kanë një cilësi të dobët uji për shkak të ndotjes së shkaktuar. Dy prej këtyre plazheve ndodhen vetëm 35 minuta larg kryeqytetit, në Durrës. Plazhi në zonën e Currilave dhe ai pas kanalit në Plepa, janë cilësuar në raportin e Agjencisë Europiane të Mjedisit si zona të kuqe.

Zona e Currilave, Durrës, Foto: Denis Tahiri

Plazhe që dihen prej vitesh të ndotur, por nuk braktisen

Në plazhin pas kanalit në Plepa, ndotja konstatohet me shqisa. Një kanal disa dhjetra metra i gjatë, ka derdhje të drejtpërdrejtë në det. Vetëm pak metra më tutje këtij kanalit, ndodhen dhjetra qytetarë të cilët janë duke shijuar ditët e para të plazhit.

Petriti, një i moshuar, diku te 70 vjeç, ka zgjedhur që ditët e para të plazhit për këtë vit, ti bëjë pikërisht në plazhin pranë kanalit, por në bisedë me të e kuptojmë se zgjedhja e tij është e kufizuar prej rrethanave.

Arsyeja se pse vij këtu është sepse e kam afër me një shtëpi që e kam blerë para disa vitesh. Më para shkonim në vende të tjera, por tani jemi moshë e madhe, skemi më fuqi të lëvizim”, thotë ai duke e rikthyer kokën drejt kanalit.

Ja shikoje, është normale kjo?!”, thotë duke treguar kanalin. “Detyrimisht këtu ka rrezik për shëndetin, ka rrezik për sëmundje të ndryshme. Këtu derdhen shumë ujëra të zeza dhe pisllëqe të ndryshme. Kam dëgjuar shumë raste që kanë patur probleme me lëkurën, prandaj edhe unë në ujë nuk futem, po rri shijoj vetëm diellin. Por nuk është vetëm kjo zonë, mjafton të bësh një shëtitje anës bregut të detit në Durrës, dhe pisllëqet duken me sy”, përfundon ai.

Ndërkohë kurioz për bisedën me Petritin, u bë edhe menaxheri i një bar- restoranti aty pranë i cili e tregon hapur pakënaqësinë.

Për mua është absurde. Mund të jenë ujëra të zeza të përpunuara e gjithçka, madje mund të jenë më të pastra edhe se uji që kemi në rubinet, por kurrsesi nuk mund të lihej kështu. Minimalisht duhej ta kishin mbuluar. Është e turpshme që vjen turisti dhe përballet me këtë pamje. Kemi patur shumë raste që kanë ardhur pushuesit për të kaluar ditën në plazh dhe sa e kanë parë që është kanali këtu kanë ikur”, thotë ai.

Një pushues i tradhëtuar….

Në plazhin pas kanalit në Plepa të Durrësit, i cili është konsideruar si një pikë e kuqe, pra poshtë parametrave të Bashkimit Europian për cilësinë e ujit, nuk figuron asnjë tabelë e cila mund të paralajmërojë qytetarët se çfarë rrezikojnë nëse notojnë në atë plazh.

Hasan Stafa, i Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorëve thotë se tabelat paralajmëruese janë një domosdoshmëri dhe duheshin vendosur në një zonë të tillë si kjo apo në të tjera të ngjashme. Madje ai dyshon se numri i plazheve me një cilësi uji nën standartet minimale të BE është më i lartë nga sa raportohet.

Nuk janë 5, se plazhe të tilla të cilat janë mbi normat e lejuara të ndotjes janë 9. Fatkeqësisht janë ndotje të shkaktuara nga njerëzit, nga pakujdesia dhe keqshërbimi i njësive administrative në këto zonave që kanë për detyrë të mbajnë pastër mjediset”, tregon ai.

Gjithashtu zoti Stafa flet edhe për masat që duhet të ishin marrë për pastrimin e këtyre plazheve dhe gjetjen e zgjidhjes që mos lejohen më shkarkime ndotëse.

Janë pikërisht kanalizimet e ujërave të zeza, sidomos në zonën e Durrësit ku ka një infrastrukturë të dobët që duhet të ishte eliminuar nga institucionet. Derdhja e ujërave të zeza qoftë në qytetin e Durrësit, në zonën e plazhit, në zonën e Currilave, në Shkëmbin e Kavajës, Malit të Robit, janë pika të caktuara ku është dashur të ndërhyhej për ndalimin e këtyre shkarkimeve”, përmend Stafa duke shtuar se është përgjegjësi e autoriteteve shtetërore që e kanë çuar këtë problematikë në këtë situatë.

Stafa flet edhe për masat që mund të ishin marrë për të minimizuar ndotësit në plazhe, ku përmend aksione të ndryshme për pastrimin e plazheve. Por thotë se ndalimi i shkarkimeve të ujërave të zeza është diçka që nuk mund të bëhet me aksione, por është e nevojshme që të ngrihet një infrastrukturë.

Nga ana tjetër mjekja dermatologe Monika Fida, tregon edhe rreziqet shëndetësore që pushuesit mund të përballen nëse notojnë në këto ujëra të ndotura ku bakteria e Escherichia coli and Intestinal enterococci, mund të shkaktojë infeksione.

Mund të shkaktojnë infeksione testinale, plus që shumë nga këto patologji që ndodhen në ujëra, qoftë në ujëra të ëmbla qoftë në ujëra të tjera, mund të manifestohen me një grup infeksionesh në lëkurë”, tregon mjekja e cila këmbëngul se këto infeksione patogjene në lëkurë janë infeksione bakteriale ngjitëse.

Në verë si pasojë e ujërave të ndotur dhe frekuentimi i plazheve me ujëra të ndotur si dhe mbipopullimi i plazheve dhe pishinave manifestohen patologji të ndryshme në lëkurë që janë biodermitet. Unë mund të them që janë disa patologji që mund të komplikohen shumë më tepër, mund të bëjnë sepsis por janë shumë faktorë që ndikojnë si dhe imuniteti i gjithësecilit”, thotë mjekja e cila ngre alarmin për pacientët që kanë plagë në lëkurë dhe që këto plagë ju kthehen në “porta” për infeksionet. Ajo gjithashtu shprehet se në raste të rralla, problematika e shkaktuar nga këto infeksione mund të agravojë dhe mund të jetë i nevojshëm edhe hospitalizimi i personit të prekur.

Jo vetëm ujë, por në disa zona edhe rëra e ndotur

Shumë pak kilometra larg Durrësit, një tjetër plazh, ku rëra e tij është e ndotur, është ai i Vilbashtovës.  Kjo, një zonë plazhi jo shumë e njohur, por që kohët e fundit, turistët vendas dhe të huaj e kanë kthyer si një nga destinacionet kryesore për tu vizituar. E paralelisht me turistët janë shfaqur edhe shërbimet e turizmit, si baret dhe restorantet.

Edhe pse një plazh të cilit natyra i ka falur një bukuri të madhe, dora e njeriut ka lënë veç mbetje. Shishet, bidonat, qeset plastike e shumë lloje te tjera mbetjesh janë ato që të ulin pritshmëritë sapo hapësira e madhe e rërës të shfaqet para syve. Në cepin fundor të rërës, është edhe grykëderdhja e lumit Shkumbin, ku prej vitesh, shumë peshkatarë janë vendosur në të. E në këtë rast, askush tjetër më mirë se sa peshkatarët nuk mund të flasi për ndotjen që vjen nga lumi e përfundon në det.

Rigersi, një djalë jo më shumë se 35 vjeç, ka disa vite që është kthyer në një peshkatar të rregullt në këtë zonë. Por gjatë viteve të tij të eksperiencës, thotë se sasia e peshkut ka ndryshuar, madje mungesën e peshkut e kanë zëvendësuar mbeturinat.

“Ka raste që ngremë rrjetën veç me mbeturina. Mjafton që të nisi pak erë ose të bjerë pak shi dhe e dimë shumë mirë që mos ta ulim kot rrjetën se vetëm mbeturina do të nxjerrim nga uji”, shprehet ai, e duke u kthyer nga bregu rënor pas shpinës së tij, shton: “Ja po të vazhdosh pak më tutje e shikon se si edhe rëra është mbushur plotë me mbeturina, kur është rëna, imagjino se si është grykëderdhja e Shkumbinit”.

Disa dhjetëra metra mbi grykëderdhjen e Shkumbinit, takojmë edhe Alush Kasharin, një 70-vjeçar, i cili peshkimin prej 10 vitesh e ka kthyer në aktivitetin e tij kryesor të përditshmërisë.

“Nuk ka një pëllëmbë vend të brigjeve të Shkumbinit që nuk kam qenë, veç mbeturina ka kudo. Janë banorët e zonave anës lumit, të cilët mbetjet i shkarkojnë në Shkumbin dhe kur vjen uji i fshin komplet.  Në grykëderdhje e sheh fare mirë se si janë mbeturinat”, tregon 70 vjeçari, i cili kur pyetet se çfarë kap më shpresh ta kthen me ironi, “Peshk rrallë, po mbeturina nga të gjitha deri te penelinat e kalamanjve kam kapur”.

70 vjeçari, Alush Kashari
Shpërndaje