Blog

Nga “Delijorgji”, “Basha” e “Bechetti”, qeveritë i sulmojnë, por janë shqiptarët që paguajnë miliona euro për ta!

Nga “Delijorgji”, “Basha” e “Bechetti”, qeveritë i sulmojnë, por janë shqiptarët që paguajnë miliona euro për ta!

Çdo ditë që ikën për çdo vendim të pa ekzekutuar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është një ditë që heq miliona lekë nga xhepat e shqiptarëve. Por mos zbatimi i një vendimi të Gjykatës Strasburgut nuk shkakton vetëm kosto financiare për qytetarët dhe për vendin, por sjell gjithashtu edhe kosto politike. Sokol  Puto, një jurist i cili ka ndjekur për shumë kohë çështjet e Strasburgut, përmend për “SINJALIZO” se efektet e çështjeve të tilla sado të mëdha apo të panjohura qofshin, mund të ndikojë negativisht edhe në negociatat për Bashkimin Europian.

“Rritja e interesit është aspekti ligjor financiar ndërsa në aspektin politik eshtë tërheqja e vëmendjes ose trysnia që mund të përdorë Komiteti i Ministrave të Europës dhe nuk duhet të harrojmë se Komiteti i Ministrave ja kalon moszbatimin e vendimeve edhe Komisionit Europian dhe në këtë kuadër është edhe BE që shikon respektimin e të drejtave të individit në Shqipëri dhe është diçka negative që nesër, pasnesër mund ti dalë përballë në procesin për antarësimin në Bashkimin Europian që po bën”, shprehet avokati Puto.

Duke nisur nga çështje të mëdha sensitive si mbajtja e paligjshme në paraburgim e dy të akuzuarve të tragjedisë së Gërdecit, të cilët fituan dëmshpërblim financiar nga kjo gjykatë për 16 muaj qëndrim në paraburgim deri tek ndëshkimi i Shqipërisë për kthimin e kompensimin e pronave të disa familjeve, vendimet e gjykatave shqiptare treguan se ato nuk repeksuan të drejtat themelore të njeriut si liria dhe prona. Por arroganca në marrjen e vendimeve duke anashkaluar dhe vlerësuar garancitë ligjore që duhet të ndiqen, kanë qenë pothuajse gjithmonë me pasoja të rënda financiare dhe me faturë disa milionë euroshe. Një vendim i tillë është edhe shembja e kompleksit “Jon” në Vlorë për ti hapur rrugë ndërtimit të pedonales së këtij qyteti. Për këtë godinë, u zhvillua “ping- pong” institucional ku njëri institucion ia hidhte fajin tjetrit, për shkelje të rregullave për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm, por zyrtarisht për këto pretendime të zyrtarëve në bankën e të akuzuarëve nuk përfundoi askush.

Të gjithë folën për shkelje ligji, po askush në bankën e të akuzuarve

“Për realizimin e projektit të Lungomares është e nevojshme të luftohet informaliteti, sa i takon ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare, si dhe të shmanget trafiku i madh. Projekti parashikon krijimin e hapësirave të gjelbërta, si dhe krijimin e vendeve të caktuara për parkimin e automjeteve”, deklarohej në atë kohë për projektin e studios belge për aksin që u etiketua si “Lungomare” e Vlorës. Mes objekteve që u prekën, pjesë e shembjeve ishte edhe kompleksi “Jon”, ku investitor ishte edhe Xhafer Isufi, vjehrri i kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Mes të parëve që vlerësuan se objekti ishte në vendin e gabuar, ishte edhe zv. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Ylli Majani që deklaronte se dhënia e lejes së ndërtimit, për këtë pallat ishte e parregullt.

Është një pasojë e një morie pavlefshmërie absolute, e një morie shkeljesh flagrante të ligjit shqiptar”, këmbëngulte Manjani publikisht.

Edhe bashkinë e Vlorës e përfshinë një mori akuzash për shkelje të ligjit për dhënie të dokumentacionit të nevojshëm, por ish-kryebashkiaku i qytetit bregdetar në atë kohë do të shprehej se nuk kishte lidhje me këtë gjë dhe se: “Leja e ndërtimit ishte dhënë nga KKRT-ja e qarkut në vitin 2010, që asaj kohe përbëhej me shumë anëtarë nga Partia Demokratike”.

Përfaqësues së mazhorancës denoncuan veçse mediatikisht për hije paligjshmërie në pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm të kompleksit, por askusht nuk ju drejtua dyerve të prokurorisë për të kallëzuar këdo zyrtar që duhet të mbante përgjegjësi. E njëjta gjë ndodhi dhe pas shpërthimit të telekomanduar të pallatit, nuk pati asnjë hetim mbi ata që dhanë urdhërin për demolimin e ndërtesës jashtë standarteve ligjore të shpronësimit, sa kohë ishte në fuqi një urdhër gjykate që ndalonte demolimin.

Të njëjtat gabime, që bëjnë milionerë kundërshtarët politikë

Pas dhënies së vendimit nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, me një vlerë prej 16.806.282.37 euro për të gjithë të prekurit që iu dëmtua nga autoritetet, prona në Vlorë, ku përfshihej inflacioni si dhe interesi prej viti 2013 deri në 2017, kryeministri Rama do të deklaronte në një studio televizive se do vepronte njësoj.

“Do ta bëja 1000 herë, po të kthehesha 1000 herë. Kemi bërë një shpronësim të ligjshëm dhe ankuesit nuk kanë kontestuar shpronësimin, por shifrën. Kanë qenë të pakënaqur me shifrën e përcaktuar nga qeveria dhe për këtë kanë shkuar në gjyq. Shpronësimi është bërë sepse në atë shumë duheshin kompensuar të gjithë ata të cilët kishin blerë apartamente, një numër i caktuar familjesh, dhe në rastin kur gjykata ka bërë vlerësimet e veta dhe ka dhënë konkluzionet e veta është gjykatë. Ne si shtet po përgatisim një apelim në një nivel tjetër në Strasburg dhe do të shikojmë konkluzionet. Por ama ajo që ka fituar Vlora dhe ajo që do të fitojë turizmi, ekonomia në Vlorë nuk ka të krahasuar me asnjë lloj diskutimi që bëhet sot”.

Nga beteja që ndodhi në Dhomën e Madhe me apelues Shqipërinë, qytetarët e dëmtuar fituan.

Edhe Institucionet shqiptare kundër qeverisë

Urdhri i përkohshëm, drejtuar çdo organi zyrtar, ishte lëshuar me qëllim parandalimin e çdo prishjeje të mundshme të ndërtesës së kërkuesve dhe duhej të qëndronte në fuqi derisa të ishte dhënë një vendim mbi bazueshmërinë e çështjes. Përpara se gjykatat vendase të vendosnin për bazueshmërinë e çështjes, Këshilli i Ministrave vendosi që rezidenca të shpronësohej për interes publik dhe ndërtesa të ishte rrënuar. Prandaj, zbatimi i urdhrit të përkohshëm dhe rezultati i procedurës kryesore u bënë të tepërta. Gjykatat vendase në të gjitha nivelet vunë re se autoritetet shqiptare nuk kishin respektuar urdhrin e përkohshëm. Autoritetet kombëtare nuk kishin respektuar në praktikë urdhrin e përkohshëm”, theksohet  në vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe pikërisht nxitimi i Këshillit të Ministrave, ku siç bën të ditur edhe gjykata ndërkombëtare është në tejkalim të kompetencave. Ndër shkelje të tjera që gjykata ndërkombëtare gjeti ishte edhe ndalimi i aksesit të aplikantëve në padi në pronat e tyre për një periudhë prej një muaji duke humbur kështu efektivisht kontrollin e plotë mbi pronat e tyre dhe mundësinë për ti përdorur ato.

“Mohimi i vazhdueshëm i qasjes me qëllim të prishjes së vendbanimit përbënte një ndërhyrje në gëzimin paqësor të pronave të tyre, ndërhyrje e cila nuk ishte e ligjshëm sipas ligjit të brendshëm, sepse autoritetet kishin shpërfillur urdhrin e përkohshëm të lëshuar nga gjykatat vendase”, numërohen më tej shkeljet e shtetit shqiptar përgjatë vendimit Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Por parë në një kënd gjithëpërfshirës, ish- Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Ledina Mandija, shprehet se e gjithë procedura e shpronësimit në Shqipëri, ka qenë abuzive.

“Drejtësinë e dhanë gjykatat e brendshme, jo ajo europiane. Gjykata e brendshme mori një masë sigurimi, pasi filluan prishjen, pa akte shpronësimi. Gjykata vendosi pezullimin e punimeve dhe pasi doli vendimi, qeveria filloi procedurat për shpronësim ndërkohë që e kishte prishur gjënë. Të dëmtuarit ju drejtuan  Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ndërkohë që vijuan gjykimin e themelit në Shqipëri. Gjykata europiane mori si precedent rastin italian ku ka qenë në dhomën e madhe një çështje ku është bërë shpronësim de-facto, atëherë ti e paguan me vlerën e tregut të gjithë pronën që ke marrë për shkak të shkeljes së procedurave”, thotë ajo.

Interesi i shtetit më i lartë se i bankave, por edhe kosto politike

Shqipëria nuk e ka ekzekutuar. Jepet nje vendim dhe vendimi duhet të ekzektutohet, nëse pala bën referim në dhomën e madhe, brenda tre muajve, dhoma e madhe duhet të shprehet. Shqipëria e ka bërë referimin në dhomën e madhe dhe nuk është pranuar. Dhoma e madhe e ka hedhur poshtë kërkesën e Shqipërisë dhe vendimi duhet të ishte zbatuar. Pas tre muajve të parë fillojnë dhe paguhen interesa për sa i përket shumës së akorduar nga Gjykata. Aktualisht shteti shqiptar është duke i shkaktuar një dëm ekonomik më të madh vetes”, shprehet për “Sinjalizo”,  ish- Avokatja e Përgjithshme e Shtetit,  Ledina Mandija. Ndërkohë vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me këtë çështje, përfshin interesa me një vlerë të lartë.

Vlera e dëmshpërblimit që kjo gjykatë vendosi për 20 ankuesit është një shifër prej 14,222,986.00 euro. Kjo vlerë i shtohet inflacioni 2013 deri në 2017 dhe që llogaritet të shkojë në koston e 795,719.65 euro. Por kësaj  vlere i shtohet edhe interesi gjatë viteve 2013 deri në 2017 i llogaritur nga gjykata në shifrën e 1,545,551.63 eurove.

Por prej vitit 2017 deri në 2021 s’ka ndodhur asgjë dhe nëse shteti do vendoste ta zbatonte vendimin në këtë moment, shifrat e milionëve me euro do të duhet të shumëfishohet më tej edhe për këto katër vite interes. Pra e thënë thjeshtë, vlera prej 16,806,282.37 euro shkon mbi  18 milionë euro.

Ish-Avokatja e Përgjithshme e shtetit, Ledina Madija shprehet se gjatë kohës së saj ndiqte praktikën e zbatimit të vendimeve të Strasburgut në mënyrë sa më të shpejtë që të mos lejohej rritja e interesit.

“Zakonisht vendimet e Gjykatës Europiane jemi përpjekur gjithmonë për ti ekzekutuar për të hequr këtë pjesën e interesit. Mund të bënim ndonjë negociatë me pronarët për shkak se zakonisht çështjet tona kanë qenë me miliona, por përgjithësisht ne përpiqeshim ti zbatonim për shkak të interesve”, thotë ajo.

Institucionet heshtin

Në gjykatat Shqiptare çështja është ende në Gjykatën e Lartë, e cila do ta gjykojë në themel. Por ekspertët e fushës e shohin shumë të vështirë një prishje të vendimit të themelit, çka do të sillte edhe rishikim të vendimit të Strasburgut.

“Nuk ka gjasa, sepse me thënë të drejtën, ajo është procedurë shumë arrogante dhe shumë abuzive. Pasi në mënyrën se si është bërë është shumë abuzive dhe gjasat që Gjykata e Lartë ta rrëzojë si çështje janë shumë të vogla. Është bërë çdo gjë pa procedurë. Gjykata europiane ka dhënë gjykim final për të dhe nëse ndodh që Gjykata e Lartë të japë një vendim ndryshe mund të ketë një kërkesë për rishikim vendimi, por gjasat që të ndodhi janë shumë të pakta”, parashikon ish-Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Ledina Madija.

Lidhur me çështjen e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për këtë çështje, “SINJALIZO”, iu drejtua të gjitha institucioneve të përfshira në hallkat e zbatimit të këtij vendimit, duke nisur që nga Avokatura e Shtetit. Por zyra e medias e këtij institucioni të vetmin reagim pati njoftimin se ishte me pushime dhe për këtë arsye nuk kishte askënd në zyrë për përgjigje.

Si institucion i përfshirë në procedurën e dëmshpërblimit dhe zbatimit të urdhërit të gjykatës së Strasburgut, Ministria e  Financave u shpreh se: “Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë nuk ka ardhur për zbatim vendimi i GJEDNJ-së për çështjen Sharxhi and Others v. Albania. Për më tepër, sqarojmë se, si në rastet kur vlera e detyrimit është nën 10 000 Euro, ashtu edhe në rastet kur vlera e detyrimit është mbi 10 000 Euro, iniciuese për ekzekutimin e vendimit të GJEDNJ-së është Avokatura e Përgjithshme e Shtetit”.

Por burime në Avokaturën e Shtetit bënë të ditur se kërkesa për zbatimin e këtij vendimi është bërë nga ana e tyre, madje është përpiluar edhe VKM që do realizonte zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjithashtu ACQJ ju drejtua edhe zyrës së shtypit të Kryeministrisë, duke i kërkuar një reagim drejtuesit të kësaj zyre në lidhje me këtë çështje, por ende nuk ka një përgjigje. Ashtu si edhe nisi, në mungesë të plotë transparence, duket se kjo histori do të vijojë, ku shteti shqiptar, duket i vendosur për të bërë milionerë një grup personash, ku kostot e gabimeve të disa njerëzve ashtu si përherë janë qytetarët shqiptarë që do ti paguajnë, ndoshta këtë herë edhe më shtrenjtë se sa gjykata ka vendosur. Një gabim ky me premisat për tu përsëritur. Edhe me çështjen ”Bechetti”, pritet të ndodhë e njëjta gjë, ndonëse zyrtarët e qeverisë  këmbëngulin se “biznesmeni italian nuk ka për të marrë asnjë lek”, fakti është që ai ka fituar një shumë prej 110 milionë euro nga gjykata Europiane. Sërish këto miliona do nxirren nga Buxheti i Shtetit, ku finacues të tij janë qytetarët shqiptarë.

Shpërndaje