Blog

Ping-Pongu me HEC-et në Gur të Bardhë

Ping-Pongu me HEC-et në Gur të Bardhë

Guri i Bardhë është pjesë e projektit “100 fshatrat”, të përzgjedhura nga qeveria shqiptare për t’u mbështetur financiarisht për zhvillimin e turizmit. Pavarësisht këtij fakti dhe vendndodhjes vetëm tre kilometra nga Rruga e Arbërit, ky fshat vuan nga mungesa e investimeve në infrastrukturë, turizëm dhe bujqësi. Investimi i vetëm i planifikuar deri më sot, kanë qenë HEC-et që janë kundërshtuar forcërisht nga banorët e zonës.

Banorët: Prisnim të zhvilloheshim si fshat turistik, por duan të na lënë pa ujë

Përfashirja e Gurit të Bardhë tek projekti i “100 fshatrave”, për banorët përfaqësonte një mundësi për të ruajtur vlerat historike dhe kulturore të zonës duke i ndërthurur me rritje të burimeve financiare, me tërheqjen e turistëve. Por teksa i kishin hedhur sytë nga turizmi, banorët u përballën me një projekt tjetër, që parashikon ngritjen e HEC-ve, çka sipas tyre, do të rezultonte me dëme në mjedis dhe mungesë të ujit të pijshëm.

Ndërtimi i 4 HEC-ve këtë fshat të Klosit, i ka lënë ata në në pasiguri. KompaniaGealb Energy” sh.p.k  përmes aplikimit AN050820200003 në e-albania, ka kërkuar zbatimin e projektit “Ndërtim HEC Guri i Bardhë 1 dhe Guri i Bardhë 2”, në fshatin Guri Bardhë të njësisë Administrative Xibër të Bashkisë Klos.

Banorët e zonës ngrenë shqetësimin se nuk janë informuar rreth këtij projekti dhe se kompania nuk ka bërë dëgjesa publike me ta, pavarësisht detyrimit ligjor.

Ngritja e peticioneve për anulimin e këtyre HEC-ve ka bërë bashkë banorët e fshatit për të kundërshtuar ndërtimin e tyre. Pavarësisht kësaj, ata nuk janë të sigurtë nëse janë anuluar me të vërtetë këto projekte apo jo.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për t’i kërkuar planin e zbatimit që do të zbatohej për këto HEC-e dhe se çfarë mendimi është marrë për ndërtimin e tyre, nëse do të anulohen apo do të vazhdojë projektimi për ngritjen e tyre. Në përgjigjen e datës së 19 Prillit të 2021 Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se kompanisë i është refuzuar kërkesa për ndërtimet e HEC-ve. Kompania që ka marrë përsipër ndërtimin e këtyre HEC-ve është pajisur me deklaratë mjedisore negative.

Procedura e ndjekur për shqyrtimin e dosjes elektronike është kryer në bazë të Ligjit Nr. 12/2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10440, datë: 07.07.2011, “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis” dhe VKM 714, datë: 06.11.2019, për disa ndryshime dhe shtesa në VKM 686, datë: 29.07.2015, “Për miratimin e rregullave, përgjegjesive e afateve, për zhvillimin e procedurës së transferimit të Vendimit e Deklaratës Mjedisore”. Ky aplikim është pajisur me Deklaratë Mjedisore Negative, gjithashtu edhe arsyet e konsideratat që ka mbajtur institucioni përgjegjës për mjedisin, lidhur me këtë projekt”, thuhet në përgjigjen e AKM.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, nuk ktheu përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nëse projektet për të ndërtuar këto HEC-e janë anuluar apo jo.

Sipas banorëve, projektet janë ndryshuar njëri pas tjetrit, vetëm që këto katër HEC-e të ndërtoheshin dhe që banorët të binin dakord. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore posedon të dhënat e projektit të parë, që i’u është prezantuar banorëve e që më pas nga kundërshtimet e tyre ky projekt supozohet të jetë anuluar, pavarësisht se këto të dhëna duhet të bëheshin publike nga instancat shtetërore. Nëse publiku kërkon të marë informacion të plotë rreth tyre, kjo gjë është e pamundur për sa kohë këto nuk janë bërë në asnjë rast publike.

Të dhënat e projektit të parë

Ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Subjektit për qëllime të veçanta “Gealb Energy” sh.p.k, krijuar nga Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Sina 98” shpk, “Besland” shpk dhe “Albmërkuri” shpk, është nënshkruar kontrata koncesionare e formës “BOT” (Ndërtim-Operim-Transferim) me Nr. 1139. & Nr. 437/3 Kol, datë 21.04.2017, për ndërtimin e hidrocentralit “Guri i Bardhë”. Në zbatim të kontratës së sipërcituar HEC-i “Guri i Bardhë”, do të shfrytëzojë potencialin hidroenergjitik të përrenjve të Zallit të Dishit dhe të Shehut, degë të lumit Mat, Qarku Dibër, me karakteristikat e mëposhtme:

  1. HEC “Guri i Bardhë nr. 1” • Kuota e veprës së marrjes = 453 m m.n.d.

Kuota e godinës së centralit = 356 m m.n.d. • Fuqia e instaluar = 1410 kw

  1. HEC “Guri i Bardhë nr. 2” • Kuota e veprës së marrjes = 861 m m.n.d.

Kuota e godinës së centralit = 454 m m.n.d. • Fuqia e instaluar = 5,110 kw

  1. HEC “Guri i Bardhë nr. 3” • Kuota e veprës së marrjes = 1051.2 m m.n.d.

Kuota e godinës së centralit = 862 m m.n.d. • Fuqia e instaluar = 2,285 kw

Në zbatim të kontratës koncensionare, shoqëria “Gealb Energy” sh.p.k., më datë 11.09.2017 ka paraqitur në MIE projektin e zbatimit të hidrocentraleve, të cilën Ministria e ka dërguar tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për kryerjen e Oponencës Teknike Shtetërore. Pas kryerjes së Oponencës Teknike mbi projekt zbatimit të hidrocentraleve, AKBN-ja ka depozituar në MIE Raportin e Grupit të Oponencës Teknike, duke u shprehur si më poshtë:

“Ka reduktim të numrit të hidrocentraleve:

HEC “Guri i Bardhë nr. 1”

  • Kuota e veprës së marrjes nr. 1 (përroi i Shehut) = 1043 m m.n.d.
  • Kuota e veprës së marrjes nr. 2 (përroi i Dishit) = 856 m m.n.d.
  • Kuota e godinës së centralit = 602 m m.n.d. • Fuqia e instaluar = 5,360 kw

 HEC “Guri i Bardhë nr. 2” • Kuota e veprës së marrjes nr. 1 (përroi i Shehut) = 603 m m.n.d.

  • Kuota e veprës së marrjes nr. 1 (degëzim i përroit të Dishit) = 538 m m.n.d.
  • Kuota e veprës së marrjes nr. 1 (degëzim i përroit të Dishit) = 524 m m.n.d.
  • Kuota e godinës së centralit = 361 m m.n.d. • Fuqia e instaluar = 3,940 kw”

Grupi i Oponencës Teknike lidhur me ndikimin në mjedis është shprehur si më poshtë vijon:

“Në raportin e VNM-së janë analizuar impaktet në mjedis dhe janë përcaktuar e rekomanduar masat tekniko-organizative për zbutjen e faktorëve negative që shfaqen gjatë kryerjes së punimeve të gërmimit dhe konstruktive si dhe atyre që krijohen gjatë shfryëzimit të këtyre hidrocentraleve.”

S’ka dëgjesa me publikun, peticioni pa përgjigje prej 2 vjetësh

Të pyetur se kur janë informuar që në fshatin e tyre do të ndërtoheshe një HEC, të indinjuar banorët e fshatit Gur i Bardhë shprehen se ishin njoftuar pasi projekti kishte përfunduar.

Për të ndaluar atë që e cilësojnë shkatërrim, ata ngritën peticione me 350 firma të cilat i adresuan në institucionet shtetërore si: Ministria e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Kryeministrisë dhe Presidencës. Ata thonë se nga asnjë institucion nuk kanë marrë një përgjigje pas dorëzimit të peticionit. Peticioni është dorëzuar dy vite më parë.

Një nga arsyet që Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit ka mohuar ndërtimin e HEC-ve, është ndër të tjera, mungesa e dëgjesave publike. Në deklaratën mjedisore thuhet se “Prefekti i Qarkut Dibër, ka përcjellë pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit të Qarkut Dibër, një peticion të banorëve të fshatrave Gur i Bardhë dhe Petralbë, Nj.A. Xibër, Bashkia Klos, Qarku Dibër, ku shprehet qartë shqetësimi dhe kundërshtimi i tyre për ndërtimin e HEC-eve në Gur të Bardhë. Gjatë shqyrtimit të Raportit të Thelluar të VNM, përveç të tjerave, një nga kriteret që merren parasysh është edhe procesi i konsultimit me publikun, si detyrim që vjen nga VKM nr. 686, datë: 29.07.2015”.

HEC-i prek pronën private, por banorët s’kanë asnjë të dhënë për dëmshpërblim

Banorët thonë se përfaqësues të ndryshëm të kompanisë kanë prezantuar projekte të ndryshme për të ndërtuar HEC-e dhe për të futur ujin në tuba. Bilal Kolgjini, është një ndër banorët e këtij fshati dhe thotë se nuk është kryer asnjë konsultim me banorët.

“Nuk ka pasur asnjë informacion nga kompania, as emrin e kompanisë, as të pronarit nuk na kanë thënë asnjë informacion nga ata që duan ta ndërtojnë. Asnjë dëgjesë publike nuk është bërë me banorët. E kemi dëgjuar si gojëdhënë nëpër fshat, nga thashethemet e banorëve. Dëgjesa publike është bërë në vitin 2019. Ne jemi akoma në rrezikun se mos po e ndërtojnë këtë hidrocentral. Ne jemi në dijeni se duan të ndërtojnë katër hidrocentrale dhe jo një”, shprehet ai.

Bilal Kolgjini

Osman Boda, një tjetër banor thotë se projekti ka sjellë edhe përçarje mes tyre. Sipas tij banorët e fshatit Guri Bardhë nuk janë njoftuar nga kompania në fjalë apo nga ndonjë përfaqësues i tyre për ndërimin e këtij HEC-i, por ata e kanë dëgjuar në mënyrë të fshehtë. “E kemi dëgjuar në mënyrë të fshehtë, jemi mbledhur dhe kemi diskutuar për ta kundërshtuar këtë projektë dhe pse disa nën rrogoz kanë qenë dakort. Ne kemi hartuar edhe një peticion, por ende nuk kemi marrë asnjë informacion se deri ku ka shkuar puna e këtij peticioni. Toka ku duan ta ndërtojnë këtë HEC prek tokën që kanë në pronësi të banorëve”, u shpreh Boda.

I pyetur se çfarë pasojash shkakton ndërtimi i këtij HEC-i, Boda është përgjigjur se nuk dëmtohen vetëm gjallesat, por mbesin pa ujë vaditës 5-6 familje.

“Nga ky ujë që ata duan të marrin për ndërtimin e HEC-it janë 5-6 shtëpi që marrin ujin për të vaditur, gjë e cila nuk dëmton vetëm gjallesat, por ka një efekt negative edhe më të gjerë. Gjërat shkojnë zinxhir”, u shpreh ai.

Osman Boda

Ai që ka kundërshtuar më së shumti ndërtimin e këtyre HEC-ve është kryeplaku i fshatit, Resul Baleta i cili shprehet se nuk do të lejojë që të ndërtohet asnjë HEC në fshatin e tyre. I pyetur se kur e kanë dëgjuar se duan të ndërtojnë HEC në këtë fshatë, ai është shprehur “ky projekt ka filluar si planifikim që në vitin 2017, por unë e kam zbuluar në vitin 2019-të”.

Në lidhje me këtë Baleta shprehet se për ndalimin e ndërtimit të këtij Hidrocentrali, ai ka hartuar një peticion, më pas e ka drejtuar atë në disa institucione përkatëse, por sipas tij vetëm Ministria e Mjedisit u ka kthyer përgjigjje.

“Kam bërë peticionin në Organizatën e Bashkuar, Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës, Avokatit të Popullit. Na ka kthyer përgjigje vetëm ajo e Mjedisit, e cila është shprehur se nuk na prish punë. Si mund të bëhet një HEC në këtë fshat kur fshati nuk ka një mjek, njerëzit janë pa bukë. Këta flasin për ndërtimin e HEC-ve, po turp nuk kanë?”, u shpreh kryeplaku i fshatit Baleta.

Po ashtu një tjetër banorë i këtij fshati Hysen Boda, këmbëngul se kompania nuk e ka prezantuar projektin. Ky banor ende ngryset dhe zgjohet me frikën se do të ndërtohet ky HEC. “Një herë na thanë se është anuluar pastaj na thanë se do e bëjnë prap, ne si banorë nuk kemi fare siguri, nuk u besojmë dot atyre, aty ku folet për ndërtimin e këtij Hidrocentrali janë toka private edhe nëse do e ndërtojnë nuk na kanë thënë asgjë nëse pronarët e pronës do të marrin shpërblim apo jo”, u shpreh ai.

“Një zonë pa ujë është një zonë e vdekur”, ekspertët kundër HEC-it

Për pasojat ekologjike të mjedisit kundër ndërtimit të këtij HEC-i, janë shprehur edhe dy ekspertët e mjedisit Olsi Nika dhe Abdulla Diku. Nika ka renditur një sërë pasojash negative që sjell për mjedisin dhe gjallesat ndërtimi i hidrocentralit. Këtë arsyetim ai e ka nisur në radhë të parë duke përshkruar devijimin e ujit që do të përdoret për këtë Hidrocentral duke përmendur përrenjtë natyrorë të Dishit dhe të Shehut, që devijon një pjesë të ujit nga shtrati natyror përgjatë 355 ditëve të vitit. “Sasia e limituar e ujit që do të rrjedhë përmes fshatit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sasinë e ujit që banorët përdorin për vaditjen e të mbjellave të tyre të kopshtarisë e pemtarisë, për sa kohë nuk ka një plan të detajuar vendor për fshatin Gurë i Bardhë, nuk mund të lejohet ndërtimi i HEC-eve, të cilat do të binin ndesh me interesat e komunitetit dhe dokumentet e planifikimit të territorit për Bashkinë Klos”, – u shpreh ai.

Ndërsa, eksperti i mjedisit Abdullah Diku në lidhje me këtë temë thotë se “një zonë  pa ujë është një zonë e vdekur, pasi nuk i sjellë asnjë të mirë komunitetit”. Ai rendit një sërë pasojash negative duke e nisur që nga pakësimi dhe mungesa e ujit të pishëm, por dhe vaditës deri tek dëmtimi i ekosistemit, botës së larmishme të faunës dhe florës, mandej të gjallesave dhe erozionit. Por shihet se ashtu si eksperti Nika edhe Diku i mëshojnë fort ndikimit negativ të ndërtimit të HEC-it në zonat e mbrojtura, pasi sipas tyre qeveria këto zona nga njëra anë i përcakton fshatra turistikë, edhe nga ana tjetër lejon ndërtimin e Hidrocentraleve në zemër të tyre.

“Ndikim akoma më i madh i HEC-eve shihet në zonat e mbrojtura dhe ne ‘fshatrat turistik’. Kjo pasi nga njëra anë qeveria tenton t’i promovojë këto zona si ‘zona elitare’, ndërsa nga ana tjetër lejon ndërtimin e HEC-ve në zemër të tyre, duke i kthyer këeshtu nga zona potenciale për zhvillimin e turizmit e për rrjedhojë atë rural, në zona ‘hot-spote’ mjedisore për shkak të ndikimeve negative mjedisore dhe sociale që këto HEC-e mbartin gjatë gjithë kohës së ekzistencës së tyre”, u shpreh ndër të tjera Diku.

Kompania!: “Ngritja e HEC-eve nuk ndëmton asnjë pasuri të Mbrojtur Natyrore!”

Për të marrë një përgjgje më të qartë rreth ndërtimit të këtyre HEC-eve, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua Kompanisë “Gealb Energy” Shpk, për ta pyetur mbi pretendimet e banorëve se nuk janë konsultuar për projektin dhe mbi dëmet në mjedis. Shoqëria “Gealb Energy” Shpk, hodhi poshtë ndikimet negative mjedisore.

Projekti nuk shkakton dëme në mjedis, përkundrazi do të ndihmoje në zhvillimin e infrastruktures së zonës, të jetes sociale (nëpërmjet punësimit të banoreve). Zbatimi i këtij projekti nuk cenon aspak jëten dhe pronën e banoreve, si dhe garanton prurjen ekologjike për floren dhe faunën në rrjedhen e përrenjve dhe prurjen e nevojshme për bujqesinë për qëllime ujitjeje”, thuhet në përgjigje. Kompania gjithashtu thotë se ka kryer konsultime publike dhe për këtë ka një dokument të firmosur prej tyre. “Dëgjesa publike janë kryer me banorët e fshatrave ku kalon gjurma e këtij hidrocentrali dhe të cilët mund të ndikohen nga zhvillimi i këtij projekti, Dokumenti i dëgjësës me publikun është i datës 25 Qershor 2019, ku kanë firmosur banorët pjesëmarrës në këtë konsultim me publikun, ndër të cilët ka firmosur edhe përfaqësuesi i Bashkisë. Dhe ata banorë që nuk janë dakord, nuk kanë qënë pjesëmarres në dëgjesën tonë me publikun dhe nuk kanë shprehur mendimin e tyre në dokumentin e dëgjesës me publikun, por janë ankuar në rrugë të tjera. Për më tepër këta banorë nuk janë banorë të fshatit ku kalon projekti dhe shumë prej tyre nuk janë as banorë të zonave perreth, por janë rezidentë ne qytete të tjera dhe jashtë Shqipërisë.

Ndërsa Ministria e Mjedisit si institucion kompetent u shpreh se nuk kishte informacion rreth vendndodhjes së ndërtimit të këtij HEC-i për të thënë një përgjigje konkrete rreth dëmtimeve që do të bëhen në një Zonë të Mbrojtur Natyrore. Pasi i shpjeguam edhe një herë vendndodhjen e saktë për ndërtimin e këtij HEC-i, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk morëm një përgjigje të dytë nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.

Në mungesë të njohjes së projektit, të dëmit që parashikojnë se do të kenë ekonomikisht, në mjedis dhe dëshirën e tyre për t’u zhvilluar si fshat turistik, banorët thonë se do mbrohen deri në fund dhe nuk do lejojnë që uji i atij fshati të merret dhe të futet në tuba. Por projektimet e banorëve janë ndryshe nga projektimet e kompanisë që synon ngritjen e HEC-ve, prandaj ata duhet të zgjohen e ngrysen me “kërcënimin” e ndërtimit të 4 HEC-ve.

Shpërndaje