Riatdhesimet gjatë izolimit; Një histori jo transparente

Autor: Lorin Kadiu

Më 9 Mars 2020, Ministria e Shëndetësisë njoftoi identifikimin e pacientin zero të infektuar me COVID-19 në Shqipëri. Një shtetas i cili udhëtoi në rrugë tokësore nga Italia për të hyrë në Shqipëri nga dogana e Muriqanit, ku nuk iu nënshtrua kontrolleve mjekësore që kishin nisur prej ditësh.

Që prej asaj dite, qeveria shqiptare njoftoi masat e para të kufizimit të lëvizjes për qytetarët, të cilat u përkthyen në një sërë aktesh normative dhe ligjesh të veçanta për të parandaluar përhapjen e COVID-19 mes popullsisë.

Një ndër këto masa ishte dhe mbyllja e kufijve, e cila veç ndërprerjes së fluksit turistik, i pamundësoi riatdhesimin shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës tregojnë se gjatë periudhës së izolimit u riatdhesuan 10 454 persona, kryesisht nga Turqia dhe vendet e BE-së.

Deri në muajin maj, kur qeveria vendosi të tërheqë karantimin e detyrueshëm për shtetasit e rikthyer, të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se 10,454 personat e rikthyer shpenzuan në total 41,438 netë fjetje në hotelet e përcaktuar si struktura të posaçme akomodimi për qëllime karantinimi.

Sipas një vendimi të Komitetit Ndërministror të Emergjencave civile, pagesa prej 2500 lekë në ditë për çdo person të karantinuar, u nda midis buxhetit të shtetit (1,700 lekë) dhe personit të riatdhesuar (800 lëkë). Në total, fatura e këtij procesi i kushtoi taksapaguesve shqiptarë 70 Milionë lekë.

Procedura ligjore e ndjekur për përzgjedhjen e hoteleve, në një kohë kur i gjithë sektori i turizmit ishte paralizuar, iu ngarkua një sërë institucionesh publike dhe strukturash të tjera private, përfshirë Ministrinë e Turizmit, Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, Agjencinë Shqiptare të Bregdetit si edhe Unionin Turistik Shqiptar dhe Shoqatën Shqiptare të Turizmit.

Përzgjedhja e strukturave hoteliere – Një histori jo-transparente

Në datën 14 Prill 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi “live” në faqen zyrtare në “Facebook” procedurën e riatdhesimeve nga Italia. Në një video 5-minutëshe, Ministrja Beldina Balluku shpjegon me ton thuajse publicitar, procedurën e detajuar që shtetasit shqiptar duhet të ndiqnin për tu kthyer në shtëpi.

“Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, ka arritur një marrëveshje me disa struktura hotelerie në zonën e Durrësit, të cilat kanë shprehur vullnet për t’u transformuar në struktura karantinimi COVID-19”, shprehet Ministrja Balluku në video.

Por, të dhënat e siguruara nga Qendra për Gazetari Cilësore, tregojnë një realitet tjetër. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ende vënë në dijeni e as ngarkuar zyrtarisht për të nisur këtë procedurë. Vetëm në 15 Prill, Komiteti Ndërministror i Emergjencave u mblodh për të hartuar një projektvendim  Nr. 10, i cili duhej ende të shkonte për miratim në Këshillin e Ministrave.

Në të njëjtën ditë, (pasi Ministrja Balluku kishte shpallur ‘live’ në “Facebook” marrëveshjen) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i dërgon Unionit Turistik Shqiptar (UTSH) dhe Shoqatës Shqiptare të Turizmit (SHSHT) një kërkesë për bashkëpunim*. Në këtë ftesë, Ministria kërkon fillimisht që dy shoqatat të evidentojnë strukturat akomoduese e më pas të negociojnë me to për sigurimin e kushteve të akomodimit.

Kërkesë për bashkëpunim drejtuar nga MTM

*Në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion ky dokument ka ardhur i pa protokolluar dhe me datë të paqartë, pasi është shënuar me shkrim dore. Data e kërkesës  për bashkëpunim (15 Prill 2020), evidentohet në përgjigjen që Shoqata Shqiptare e Turizmit i ka kthyer Ministrisë.

Sipas dokumenteve zyrtare që disponon Qendra për Gazetari Cilësore në datën 15 Prill, katër institucione të ndryshme kanë marrë vendime, zhvilluar takime si edhe kanë negociuar dhe janë dakordësuar për procedurën e plotë të përzgjedhjes dhe kritereve të strukturave akomoduese (gjithçka e kryer brenda njw dite tw vetme pune):

15 Prill 2020
·         Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile u mblodh dhe mori vendimin Nr. 10 “Për mënyrën e organizimit të akomodimit të përkohshëm të personave që riatdhesohen si rezultat i gjendjes së shkaktuar nga COVID-19”, të cilin e propozoi për miratim në Këshillin e Ministrave.
·         Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i dërgon një kërkesë për bashkëpunim Unionit Turistik Shqiptar dhe Shoqatës Shqiptare të Turizmit.
·         Shoqata Shqiptare e Turizmit dhe Unioni Turistik Shqiptar i përgjigjen kërkesës.
·         Ministri i Turizmit dhe Mjedisit përmes urdhrit Nr.112 ngre grupin e punës që do të identifikojë nevojat për akomodim, negociojë me UTSH dhe ATA për sigurimin e akomodimit të përkohshëm të personave që riatdhesohen.
·         Përfaqësues të UTSH, ATA, Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë së Bregdetit takohen në mbledhjen ku sipas procesverbalit Nr.1; Përcaktohet çmimi prej 2500 lekë në ditë për person. Shoqatat theksojnë në këtë mbledhje se ky çmim i aplikuar nuk përputhet me tregun, por niset nga kushtet ku bëhet ky negocim.

E gjitha kjo, një ditë më parë se vendimi i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile t’i dërgohej Këshillit të Ministrave, i cili nëpërmjet vendimit Nr.311 datë 16.04.2020 vendosi miratimin e kësaj rregulloreje.

Qytetarët ftohen të rezervojnë në “Harmonia Hotels Group” pa një kontratë dhe pa në listë të miratuar


Për të kryer rezervimin e paketës së riatdhesimit tuaj, fillimisht duhet ë aksesoni faqen e internetit AirAlbania.com.al dhe më pas rubrikën riatdhesime. Klikoni në linkun e hotelit për të zgjedhur paketën që ju përshtatet dhe më pas, konfirmoni formularin elektronik të kushteve të karantinimit”, vijon Ministrja Balluku në deklaratën e saj të 15 Prillit, ku i bën thirrje qytetarëve të respektojnë karantinën e se askush nuk do të tolerohet.

Megjithatë, duket se qeveria shqiptare dhe Air Albania kanë realizuar një sërë tolerimesh në këtë proces, sa i përket respektimit të procedurave ligjore dhe të përzgjedhjes.

Një kërkim historik në “Google”, tregon se faqja online e riatdhesimeve që përmban “linkun e hotelit” është publikuar në datën 16 Prill, një ditë më përpara se vetë lista paraprake e hoteleve të miratohej me vendimin Nr. 12, datë 17.4.2020 të Kryetarit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave, Edi Rama.

“Nxitimi” i institucioneve për të shpallur hotelet e karantinimit është evidentuar në raportin e Institutit të Studimeve Politikë mbi konfliktin e interesit në aktivitetin parlamentar.

“Stafi i ISP mori denoncime dhe mblodhi të dhëna mbi mundësinë e gjendjes në konflikt interesi të një deputeti, i cili votoi aktet në komision dhe në parlament, ndërkohë që nga raportimet mediatike rezultoi se, bazuar në aktet e miratuara nga Kuvendi, qytetarët e kthyer nga shtetet e tjera janë strehuar kryesisht në hotele që janë në pronësi të deputetit”, thuhet në këtë raport të periudhës janar-prill 2020.  

Air Albania – Monopolizim i tregut të fluturimeve gjatë periudhës së karantinimit

“Transporti ajror për procesin e riatdhesimit do të kryhet nga kompania flamurmbajtëse Air Albania. E gjitha kjo paketë, ku përfshihet transporti ajror dhe strukturat e hotelerisë, të vendosura në dispozicion të karantinimit do të mund të rezervohen online, me pagesa të arsyeshme”, vijon më tej në deklaratë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Megjithatë, kjo paketë me “çmime të arsyeshme” duket se i dha mundësinë vetëm njërit operator fluturimi që të kryejë aktivitet. Të pyetur nga Qendra për Gazetari Cilësore, përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës (MIE) mohuan ekzistencën e një kuadri ligjor apo vendimi që e përcaktonte  “Air Albania” si kompaninë që do të ofronte shërbimin e riatdhesimit. 

 E pyetur për arsyet e kësaj përzgjedhje, MIE e arsyeton këtë vendim mbi humanizmin dhe përgjegjësinë shtetërore: Për shkak të  elementëve thelbësorë të sigurisë kombëtare nga njëra anë, si dhe përgjegjësisë shtetërore dhe karakterit humanitar të këtij operacioni nga ana tjetër, u përzgjodh e vetmja kompani fluturimi flamur-mbajtëse në të cilën shteti është aksioner”, thuhet në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion.

Në ndryshim nga përzgjedhje e hoteleve, pagesa e fluturimit është kryer tërësisht nga qytetarët e riatdhesuar, çka sipas MIE e përjashton atë nga detyrimi për të zbatuar Ligjin e Prokurimeve Publike.

Megjithatë MIE, e pyetur mbi çmimet e biletave nuk ngurron të thotë se: “Duke patur në konsideratë karakterin humanitar të këtij operacioni, në përllogaritjen e çmimeve të biletës, Air Albania është udhëhequr nga parimi i përballimit të kostove të fluturimeve dhe duke mos synuar realizimin e fitimve”.

Ky monopolizim i tregut të fluturimeve duket se ka vijuar deri në muajin qershor, kohë kur drejtues të kompanive të tjera ajrore shpreheshin se vendet e Bashkimit Evropian kishin dhënë miratimin për të rifilluar fluturimet mbi të drejtat reciproke.

“Riatdhesimi si proces po keqpërdoret dhe është tejzgjatur me qëllim favorizimin e një kompanie të vetme, duke shkelur haptazi kushtet e konkurrencës dhe tregun e lirë”, shprehej drejtuesja e një kompanie ajrore private për Tv Klan në 16 qershor.

I gjithë ky proces ngre edhe një herë alarmet e përsëritura nga media dhe aktorë të tjerë të pavarur, mbi vendimmarrjen e nxituar të qeverisë shqiptare, e cila është akuzuar shpesh se marrëveshjet i bën në tavolinë ndërsa procedurat ligjore i trajton si një burokraci që mbyllet brenda një dite.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter