Blog

Shqipëria me çmimet më të larta në rajon për bërjen e tamponit anti-covid.  Fatura e lartë shkaktoi fenomenin e testeve false, jo vetëm për udhëtimet urgjente, por edhe për turizëm

Shqipëria me çmimet më të larta në rajon për bërjen e tamponit anti-covid. Fatura e lartë shkaktoi fenomenin e testeve false, jo vetëm për udhëtimet urgjente, por edhe për turizëm

Në kulmin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Alba Hasani, një 40 vjeçare (gjeneralitete të ndryshuara për të ruajtur anonimatin) do të falsifikonte testin e covidit për të realizuar udhëtimin jashtë vendit.

“Pagova 65 euro për testin fals. Nuk e bëra se isha e infektuar me Covid, por e bëra për të qenë e sigurt që do dilte negative pasi kisha dëgjuar se kishte raste që rezultati ishte i gabuar. E në rast të një rezultati të gabuar, do të duhej të qëndroja 15 ditë në Shqipëri, çka do të thotë se do të humbisja edhe punën në Greqi dhe do të kisha kosto të tjera shtesë për ta ribërë tamponin”, tregon zonja, duke shtuar se fatmirësisht policia greke nuk ia bëri testin e shpejtë.

Por të tjerë në kufirin me Greqinë i janë nënshtruar procedurës së testimit real që ka konfirmuar procedurën fiktive që kishte ndjekur shtetasi në fjalë. Përdorimi i testeve të tilla të falsifikuara nga qershori 2020 e në vazhdim u kthye në një fenomen shqetësues, veçanërisht për emigrantët që ktheheshin në vendet e tyre të banimit. Të dytët që nuk patën asnjë pengesë ishin turistët që përmes agjensive siguruan okazione udhëtimi, ku pëfshihej edhe testi, të cilin shumë prej tyre nuk e kryen kurrë. Edhe pse “EUROPOL” paralajmëroi fenomenin e falsifikimit të testit menjëherë sapo u konstatua rasti i parë i një udhëtari në Francë, në vendin tonë pavarësisht rasteve të goditura nuk ka një konkluzion nëse ky trend solli riorganizim të krimit edhe në fushën e falsifikimit. Apo të gjitha rastet janë të shkëputura nga njëra–tjetra.

Provo për pak lekë se je negativ!

“Unë kam udhëtuar në më shumë se 5 vende të BE me tampon të falsifikuar dhe në pjesën më të madhe brenda Ballkanit”, shkruan pa drojë në platformën “SINJALIZO” një qytetar, sipas të cilit ky veprim është ndër më të zakonshmit tanimë.

Dhe për të kuptuar si gjendet një certifikatë e tillë në tregun e zi, sekretin e tregon sinjalizuesi: “Ka dhjetra laboratorë që ta ofrojnë këtë shërbim pa bërë asnjë test. Ato garantojnë përgjigje brenda 20 minutave”.

Por se sa hapur po kryhen testet konfirmohet nga një prej dosjeve hetimore pranë prokurorisë së Tiranës që dërgoi në pranga mjekë porositës. Të arrestuar si të implikuar në këtë proces, të dyshuarit dolën para drejtësisë si pjesë e zinxhirit falsifikues dhe mes tyre edhe pronari i një dyqani, “internet- fotokopje- printime” i cili prodhonte shkresën e shumë kërkuar me porosi të mjekëve. Në një rast, shtetasi që kërkonte tamponin e falsifikuar as që ndodhej në Shqipëri dhe sipas bisedave të zbardhura nga kqyrjet e telefonit, bashkëpunëtorët e tij e garantuan duke ju përgjigur “pa problem”.

Laboratorët treguan të vërtetën

Në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë ka akredituar 8 laboratorë për kryerjen e testeve covid-19, përballë të cilëve janë me dhjetra të tjerë që falsifikojnë testet covid. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e pyetur në lidhje me rastet e kapura për falsifikim të tamponit, u shpreh se: “vetëm gjatë 15 ditëve të fundit janë arrestuar në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan 20 persona si dhe janë sekuestruar dy laboratorë për falsifikimin e tamponëve të covid-19”.

Por ajo që thuhet jo zyrtarisht është pikërisht ankesa që disa nga laboratorët e certifikuar paraqitën pranë policive lokale për të zbuluar individët që përdornin stemën e tyre që solli automatikisht çeljen e përgjimeve.

I veshur mirë, B.K, nuk ta jep përshtypjen e një të riu që udhëton për pushime kur e sheh në aeroporte. Gjëja e parë që të shkon në mendje kur e sheh është se ai me shumë mundësi është një biznesmen i ri i sukseshëm ose zyrtar që udhëton për punë. Në fakt është krejt e kundërta, ai në 90% të rasteve udhëton për turizëm dhe çfarë është më interesante është fakti që gjatë dy viteve të pandemisë nuk ka bërë kurrë tampon.

“Kam fluturuar me tamponë të tillë deri tani në Gjermani, Austri, Itali, Greqi, Kroaci. Bullgari dhe Norvegji. Kontrolli i doganës shikon thjesht emrin dhe datën dhe çdo gjë shkon për bukuri. S’kam bërë kurrë tampon për covid-in”, tregon ai, ku pasi sheh mosbesimin tonë, na tregon edhe vula të marra në pasaportën e tij, foto të realizuara në ato vende me data përkatëse si dhe mënyrën se si e realizon tamponin fals.

“Për të krijuar një tampon fallco më mjafton të kem një version origjinal të një tamponi te kryer nga dikush në versionin ‘PDF’. Data apo emri i personit qe ka kryer testin origjinal nuk kanë rëndësi, pasi të gjitha janë të ndryshueshme nëse e kam dokumentin në PDF”, tregon ai duke shtuar se: “një mik më dërgoi tamponin e tij të kryer në një laborator privat në Shqipëri. Dokumentin mund ta përpunoj në çdo program që editon PDF. Unë përdor Adobe Illustrator. Aty i ndryshoj dokumentit të dhënat që ta pershtas siç më nevojitet, i shtoj të dhënat e mia personale dhe datën e caktuar”, thotë i riu, duke nënvizuar  se në shumicën e rasteve, policët në doganë i referohen vetëm testit të printuar,  por edhe kur skanojnë QR kodin është pothuajse e pamundur ta kuptojnë se është fals.

Shumë dokumente digitale kanë një kod QR. Në dokumente shtetërore ai kod është i rëndësishëm pasi të referon në website shtetëror dhe editimi i tij nuk është i thjeshtë. Në rastin e tamponit PCR kodi QR ka thjesht nje url që të referon tek website i laboratorit ose thjeshtë të referon në një ëeb ku paraqitet po i njejti tampon në version digjital. Për ta gjeneruar këtë kod QR mjafton një kërkim i thjeshtë në google për “QR Code Generator“. Këtu unë mund të krijoj QR kodin tim dhe ti vendos linkun që dua. Në dokumentin tim fallco kodi im QR e referon skanuesin në një website që paraqet po atë dokument në PDF. Shumica e kontrolluesve nëpër dogana as nuk e skanojnë fare atë kod. Edhe ata që e skanojnë mjaftohen me faktin që kodi të referon diku. Sikur edhe në një website të thjeshtë si  www.google.al .” Diçka e thjeshtë për dëshmitarin, por që për të tjerë ndonëse kanë patur të njëjtën raport fals kanë ngecur mbasi nisur nga dyshimet policët kufitare kanë telefonuar laboratorin përkatës duke kërkuar nëse personi me të dhënat e konstatuar ishte testuar apo jo pranë subjekti në fjalë. Kur përgjigjja ka qenë negative shtetasi është referuar menjëherë për akuzën e falsifikimit të dokumentave shëndetësore që parashikon gjobë deri në burg.

Megjithatë B.K insiston gjatë intervistës “Nuk më duket e drejtë që të paguaj disa herë me shtrenjtë se në Europë, një test covid kjo është arsye se pse e bëj“, shprehet ai.

QR code vetëm sa për sy e faqe

Duke qenë se përgjigjet e tamponit në letrën e printuar qenka më e kollajtë se sa mendohej për tu manipuluar, QR kodi duhet të shërbente si një element i shtuar i sigurisë që tamponi të cilin një qytetar paraqet si dokument të kërkuar për udhëtime gjatë pandemisë është i vërtetë. Në shumicën e rasteve kjo nuk është e vertetë në Shqipëri.

Një QR code nuk ka datë skadence, çka do të thotë se të dhënat e hedhura në të, do të jenë të aksesueshme me shumë mundësi edhe pasi zotëruesi i të dhënave të mos jetë më në këtë jetë. Por në tamponët që ne provuam, na rezultoi se të dhënat personale të personit që kishte kryer tamponin nuk ishin të vendosura në QR code. Edhe në rastet kur ishin, ishte thjeshtë i njëjti dokument i skanuar, por pa elementë shtesë sigurie për ta bërë me të vështirë falsifikimin e tij.

Në lidhje me këtë çështje, Instituti i Shëndetit Publik, u shpreh se nuk kishte informacion në lidhje me QR codin dhe paramentrat që duhet të plotësonte, ndërsa për akreditimin e strukturave jo publike që janë akredituar për testet RT-PCR navuri në dispozicion linkun e dokumentit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, por në asnjë fjalë të tij nuk flitet për kriteret që duhet të plotësoheshin nga këto struktura për QR-Cod.

Ekspertët flasin mbi parametrat e dokumentit

Gentian Progni, ekspert i IT shprehet se QR-kodi duhet të ketë disa parametra që e bëjnë të vështirë falsifikimin e tij.

“Edhe vaksinave edhe testeve u kanë vendosur një targë, numër unik, që gjenerohet nga një sistem i brendshëm i OBSH-së dhe kudo që ta bësh në botë, të vendoset ai numër dhe e ke kudo që të shkosh“, shprehet ai, duke shtuar se në rastet kur QR Kodi të çon në faqe web ku nuk shfaqen të dhënat e personit që ka bërë testin së bashku me numrin unik të testit, është fals, pavarësisht nëse shfaqen website spitalesh apo laboratorëve.

Nga ana tjetër, një zyrtar i Policisë Kufitare, u shpreh se problem është edhe trajnimi i oficerëve të policisë për të dalluar nëse testi është fals apo i saktë. Por nuk la jashtë edhe neglizhencën e policisë në kqyrjen e tamponit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera.

Në Shqipëri çmimet e tamponëve të rakorduar mes privatëve

Në Europë tashmë ekziston mundësia e testimit me test të shpejtë që mund të blihet në farmaci, por në Shqipëri, kjo duket diçka e largët ende. Mundësitë e vetme që një qytetar ka është të zgjedhë mes testit të shpejtë, PCR apo atij të antitrupave. Në Gjermani shitja me pakicë e testeve të shpejta nisi që në 6 shkurt të 2021, ku në supermarkete apo në farmaci mund të bleje një paketë me 5 teste për vetëm 24,99 euro, çka do të thotë 5 euro për test.

Por si është situata në Shqipëri krahasuar me rajonin? Nga një vëzhgim në rajon na rezulton se në Kosovë një test covid PCR kushton 35 euro, në Malin e Zi varion nga 40 euro, çmim ky i njëjtë me Bosnje-Hercegovinën. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut varion nga 25-30 euro, çmim ky i njëjtë me vlerën e një tamponi në Turqi. E kur flasim për çmimin e një tamponi në Shqipëri, ai varion nga 50-55 euro.

E pyetur zyrtarisht për çmimin e lartë të tamponëve në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë tha se nuk ishte në kompetencat e saj për të përcaktuar çmimin e shërbimeve shëndetësore në institucione jopublike në fushën e shëndetësisë dhe konkretisht nuk mund të përcaktojë çmimin për kryerjen e testimit RT-PCR për Sars- Covid-2 për nevoja administrative.

Megjithatë, duke marrë shkas nga ecuria e situatës epidemiologjike në vend, në fillim të sezonit turistik, vetë subjektet e njohura nga ministria për kryerjen e tamponit RT-PCR për SARS- Covid-2 për nevoja administrative janë dakordësuar që të reduktojnë çmimet nga 8500 në 6500 mijë lekë“– thotë Ministria e Shëndetësisë në përgjigjen e saj.

Por një deklaratë e tillë jo vetëm që konfirmon se Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon për testet covid, por madje edhe faktin që tetë subjektet e licensuara për kryerjen e këtyre testeve kanë rënë dakord mes tyre për të njehësuar çmimet në treg, me dijeninë e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjë e cila është e ndaluar me ligj.

Shpërndaje