Si u bunkerizuan institucionet, megjithëse ligji i detyron të japin informacion. Mijëra ankesa, gjobat ndaj shtetit të papërfillshme

Autor: Denis Tahiri

Që një gazetar të sigurojë një informacion bazuar në paketën ligjore që i garanton atij aksesin do ti duhen javë të tëra pritje, por edhe muaj. Dhe kur përgjigjja nuk mbërrin asnjëherë në postën e tij elektronike apo me postë, atëherë edhe shtegu i ankimimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit nuk është kurdoherë vendimarrës. Sidomos gazetarët përplasen përherë e më shumë në gjykata, për informacione që në fund të gjykimit e humbasin rëndësinë. Të dhënat vjetore të këtij institucioni tregojnë një realitet kontradiktor, mijëra ankesa kanë vërshuar në këto zyra, por penalitetet e vendosura në gjoba janë të papërfillshme.

“Unë mendoj se ligji ynë është shumë i mirë por siç ndodh shpesh në Shqipëri, ligji është i mirë në letër, por zbatimi i tij në praktikë lë për të dëshiruar”, e nis rrëfimin e tij për Ligjin për të Drejtën e Informimit, Lorin Kadiu, drejtor ekzekutiv i “Citizens Channel”. Gazetarët e qendrës që Kadiu drejton, dërgojnë mesatarisht çdo muaj 12 kërkesa. Por përgjigjet ose vonojnë ose nuk mbërrijnë kurrë.

“Kemi patur vazhdimisht probleme, pra jemi përballur me të gjitha format e pengesave që institucionet nxjerrit përballë Ligjit për të Drejtën e Informimit. Psh Rasti i Bashkisë Tiranë. Është shumë rigoroze për sa i përket përgjigjes që protokollon kërkesën, të jep numrin dhe të falenderon me një mirësjellje të jashtëzakonshme, por kur vjen puna për të dhënë përgjigje nuk do të thoja asnjëherë por në rastet më të shumta nuk e kemi ose i kemi me vonesë”, thotë Kadiu. Ai nënvizon se nuk janë të rralla rastet kur institucionet justifikohen se përgjigjja është nisur me postë, pavarësisht se në kërkesën për informacion specifikohet se përgjigjja kërkohet elektronikisht.

Institucione të mbyllura dhe heshtje

Nga ana tjetër, për Merxhan Dacin, gazetar freelance, një nga institucionet që është më hermetike është Ministria e Shëndetësisë. “Këtë e kam provuar në një periudhë krize ku duhet të ishte e kundërta, ku publiku të kishte një informacion publik më të shumtë”, thotë Daci, i cili shton se, në rastet kur ka dërguar kërkesa për informacion, përgjithësisht përgjigjet nga ky institucion nuk i kanë ardhur. Ai shton se as bashkitë nuk bëjnë përjashtim nga ky “bunkerizim” i informacionit. “Janë bashki të largëta përgjithësisht të cilat nuk kthejnë përgjigje ose kthejnë me vonesë” shpjegon Daci. Tendenca e bashkive për të mos dhënë informacion është identifikuar edhe në shkrime të mëparshme të ACQJ.

Ndërkohë për “Faktoje”, e cila është organizata e vetme “Fact cheking” në Shqipëri dhe në kuadër të punës së saj dërgon më shumë se 500 kërkesa për informacion në vit, institucionet më problematike për kthimin e përgjigjes janë: Ministria e Rindërtimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo organizatë, vendosjen në dispozicion të informacionit e ka kërkuar edhe nëpërmjet gjykatës. Kur hapat e tjerë kanë dështuar, ka hapur proçese ndaj 11 institucioneve që refuzuan ti vendosin në dispozicion informacionin. Në këtë betejë, Gjykata Administrative i dha të drejtë “Faktoje” në 8 raste, e megjithatë jo të gjitha këto institucione iu bindën vendimeve gjyqësore.

Katër institucione iu përgjigjën vendimit të gjykatës duke u vendosur në dispozicion “Faktoje” informacionin edhe pse me disa mangësi. Ministria e Brendshme, Ministria e Kulturës, Ministria e Bujqësisë dhe Kuvendi i Shqipërisë”, shprehet Viola Keta, kryeredaktore e Faktoje.al duke shtuar se Presidenca dhe Ministria e Jashtme, edhe pse ka vendim gjykate për ti vendosur në dispozicion informacionin, nuk e kanë bërë një gjë të tillë duke vijuar të shkelin urdhërin e gjykatës, për të cilat parashikohet masë administrative. Ndërkohë beteja ligjore vijon në Gjykatën Administrative të Apelit. “Kryeministria, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Infrastrukturës janë 3 institucionet me të cilat procesi vijon në Apelin Administrativ, një proçes që merr kohë deri në disa vite dhe është në dëm të transparencës, shprehet Viola Keta.

Një raport i dhjetorit 2020, i përpiluar nga zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përshkruhet se transparenca është funksionale vetëm në 13 njësi të vetëqeverisjes vendore.

3 njësi të vetëqeverisjes vendore kanë një “Transparencë Proaktive Negative”, 18 njësi të vetëqeverisjes vendore kanë “Transparencë Proaktive të Pamjaftueshme, 27 njësi të vetëqeverisjes vendore kanë “Transparencë Proaktive minimale dhe 13 njësi të vetëqeverisjes vendore kanë “Transparencë Proaktive Funksionale”, citohet në raport. Pra, e thënë më thjeshtë, nga 61 Bashki në Republikën e Shqipërisë, detyrimin e transparencës në një hapësirë të kënaqshme e zbatojnë vetëm 13 bashki. Ndërkohë Bashkia e Rrogozhinës mund të konsiderohet një rast specifikim mostransparence, mbasi nuk ka as portal online.  Praktikisht është e pamundur të gjesh informacion të publikuar në lidhje me transparencën që e ka detyrim ligjor për ta bërë.

Të gjitha institucionet të cilët janë cilësuar nga gazetarët si problematike në praktikën e marrjes së informacionit nëpërmjet kërkesës për informacion, janë kontaktuar nga ana e ACQJ-së për një reagim mbi këtë çështje, por institucioni i vetëm që pati një reagim ishte Ministria e Rindërtimit. Zyra e shtypit e kësaj ministrie tha se ka një interest ë shpeshtë të mediave mbi ecurinë e procesit dhe zbatimit të programeve të Rindërtimit.

Ne respekt të kërkesave dhe të drejtës për informim, Ministria e Shtetit per Rindërtim ka adresuar të gjitha pyetjet që lidhen drejtpërsëdrejti me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë, si autoriteti përgjegjës për koordinimin dhe monitorimin e procesit, koordinimin e donatorëve, negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të grantit, autorizimin e përdorimit të fondeve nga njesitë zbatuese si dhe ndjekjen e punimeve në përputhje me afatet dhe kriteret e planifikuara në programin e rindërtimit etj”, thotë kjo ministri në reagimin e saj duke shtuar se duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e kërkesave për informacion lidhen me zbatimin e projekteve, që siç parashikohet në Aktin Normativ që rregullon procesin e Rindërtimit është përgjegjësi e njësive teknike. Gjithashtu kjo ministri thotë se i ka adresuar gazetarët e interesuar pranë njësive përgjegjëse zbatuese të projekteve.

Dorjan Matlija, drejtues i “Qendrës Res Publica”, dhe një prej avokatëve i cili ka ndjekur në gjykata shumë çështje për të Drejtën e Informimit, shprehet se fillimisht, me futjen e ligjit të ri për të “Drejtën e Informimit” ka patur një pozitivitet. “Të paktën nisur nga ideja se ligji i ri ka standarte më të mira se ligji i vjetër. Por aman zbatimi i ligjit me një notë pozitive mund të cilësohen dy vitet e para, më pas pati një ngelje në vend”, shprehet ai duke thënë se shpejtësia e kthimit të përgjigjes, plotësimi i programit të transparencës ngeli në shifrat 25% në institucionet kryesore. “Pastaj që prej vitit 2018 ka filluar një lloj regresi i zbatimit të ligjit. Programet e transparencës nuk kanë informacione të updatuara, ata që si kanë patur kurrë, vijojnë mos ti kenë”, përfundon ai.

Nevojë urgjente për ndryshime ligjore!

Prej viti 2014, në zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, deri më 31 Gusht 2021, janë depozituar 4469 ankesa për mos marrje të informacionit bazuar në parashikimet e ligjit “Për të Drejtën e Informimit”. Prej tyre 3571 ankesa janë pranuar, ndërkohë që 908 të tjera janë refuzuar.  Por kur bën balancën se sa masa administrative ka vendosur Komisioneri për mos dhënie të informacionit, ato janë shumë pak. Në total, janë vendosur 26 gjoba, prej të cilave është arritur të ekzekutohen vetëm 5, ndërkohë katër janë parashkruar, ndërsa 4 janë në proces ekzekutimi. Nga ana tjetër, 12 gjoba janë rrëzuar nga gjykata.

Por gazetarët e shohin si një gjë të pamjaftueshme dhe shprehen se praktika me kërkesat për të Drejtën e Informimit është krejt ndryshe nga sa shkruhet në raportet zyrtare.

Nga eksperienca jonë por edhe nga bisedat me kolegë me të cilët bashkëpunojmë, Komisioneri ka një fuqi që nuk po e shfrytëzon. Vetë niveli i gjobave që vendosen janë në një nivel aq të ulët saqë nuk reflekton situatën reale të të Drejtës për Informim në Shqipëri. Nëse shohim raportin vjetor të komisionerit do të mendonim se Shqipëria është një vend shumë i avancuar për sa i përket të drejtës së Informimit, ku të gjitha institucionet përgjigjen dhe përgjigjen në kohë. Ndërkohë praktika tregon se kjo është totalisht e pavërtetë dhe kemi një insititucion që do ta konsideroja deri diku të pafuqishëm ose me një mungesë vullneti nuk e di cila është arsyeja për të siguruar dhënien e informacionit publik”, shprehet Lorin Kadiu.

Komisioneri duhet të heq dorë nga ideja e të qënurit një institucion thjesht për të qenë dhe për të qenë politikisht korrekt si me gazetarët ashtu edhe institucionet, sepse në këtë mënyrë thjesht tregon se nuk është duke e bërë si duhet punën e tij”, shprehet Merxhan Daci, i cili shton se Komisioneri duhet të jetë më vigjilent ndaj institucioneve, pasi objekti i punës së tyre janë institucionet dhe zbatimi i transparencës.

Edhe drejtuesi ekzekutiv i “Res Publica”, shprehet kritik ndaj rolit që Komisioneri ka në ligj dhe në praktikë, por edhe ndaj kuadrit ligjor si dhe mënyrës së zgjedhjes së komisionerit.

Komisioneri ka një problem të madh që mjaftohet me paraqiten e shifrave pozitive që paraqet në Kuvend, ndërsa Kuvendi nuk merr parasysh raportet alteranative për këtë gjë dhe situata mbetet në vend numëro. Nga ana e fasadës gjithçka duket mirë, nga brendësia gjithçka është e kalbur”, shton Matlija. Gjatë viteve të fundit sipas Matlisë, vendimarrja e Komisionerit është 2 deri në 5% të ankesave dhe shumë prej ankesave janë rrëzuar me e- maile që nuk janë të Komisionerit, por të zyrtarëve të tjerë të zyrës. “Kjo mënyrë e bën të vështirë edhe argumentimin e kësaj gjëje në gjykatë”, thotë avokati, duke vënë në dukje se këto nuk raportohen si raste rrëzimi, as rastet ku Komisioneri u çon një shkresë institucioneve duke u kujtuar detyrimin ligjor dhe e lë me kaq e nuk e zbaton më tutje duke i konsideruar si raste të zgjidhura.

Matlija sjell gjithashtu edhe një shembull: “Ne në vitin 2019 morëm disa gazetarë që janë tipik, që bëjnë shumë kërkesa për informacion dhe pamë që të paktën 40-50 raste ishin të pazgjidhura fare dhe nuk figuronin në informacionin vjetor që paraqet Komisioneri”.

Për avokatin nevojiten ndërhyrje të nevojshme në ligj.“Edhe vet Komisioneri e ka pranuar  që vendimi i Komisionerit duhet të jetë titull ekzekutiv në mënyrë që të zbatohet drejtpërdrejtë që mos të detyrohesh që të shkosh të bësh edhe një gjyq pas vendimit”, thotë ai.

Zyra e Komisionerit e pyetur për këtë çështje, u shpreh se ka ndërrmarë një iniciativë për të propozuar ndryshime:

Siç tashmë është e ditur, qasja e Zyrës së Komisionerit nuk ka qenë ajo ndëshkimore, por ajo edukuese dhe parandaluese. Problematika më e madhe ku meriton të vihet theksi aktualisht, nuk qëndron tek pjesa e ekzekutimit të sanksionit administrativ, por tek ekzekutimi i pjesës urdhëruese të vendimit për ekzekutimin e detyrimeve jo financiare (lidhur me dokumentacionin e kërkuar). Ky aspekt ka rezultuar problematik në praktikë dhe për këtë arsye, Zyra e Komisionerit do të propozojë që kjo pikë të përfshihet në ndryshimet ligjore të LDI.”

Ndërkohë Dorian Matlija shprehet se janë të nevojshme edhe ndryshime të tjera, ku përfshihen edhe sanksionet që parashikohen, të cilat duhet të prekin personat përgjegjës dhe jo vetëm koordinatorët për të Drejtën e Informimit, pasi nuk kanë munguar rastet në gjykatë ku koordinatorët tregojnë se e kanë bërë punën e tyre mirë. “Sanksionet janë gjëja e fundit, që ligji duhet të ofrojë si zgjidhje, duhet të ketë mënyra të tjera për ti zgjidhur që më herët”, shprehet ai duke theksuar se problematike mbetet edhe mënyra se si zgjidhet Komisioneri, i cili për të, ka një mandat të shkurtër.

Mund të ishte një mandat më i gjatë, mund të ishte më i pavarur nga vullneti politik i momentit dhe nuk ka ligji një mundësi për ta filtruar se nga vjen propozimi, thjesht emërohet nga mazhoranca”, thotë ai, duke përmendur edhe disa mënyra që sipas tij do të garantonin një pavarësi më të madhe të këtij institucioni, si propozimi i Komisionerit nga opozita dhe miratimi nga mazhoranca, propozimi i tij nga akademia, nga shoqëria civile, ose të propozoheshin disa kandidatura dhe të zgjidhej njëra prej tyre.

As buxheti nuk është transparent

Problem për transparencën nuk janë vetëm te qeverisja lokale por dhe institucionet e qeverisjes qendrore. Është sa e habitshme aq edhe absurde, që nga 36 institucione, referuar raportit të publikuar në janar të 2021 nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, vetëm 8 institucione kanë publikuar buxhetin e tyre online. Ndër institucionet, buxheti e të cilave nuk e gjen online janë: Kryeministria, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Edhe pse ligji i detyron që këto institucione të kenë të përditësuar regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve për vitin 2020, vetëm 19 prej 36 autoritetete qëndrore dhe atyre në varësi e kanë. Ndërkohë 6 prej tyre nuk kanë bërë publik as se kush është Kooordinatori për të Drejtën e Informimit. Ndërsa numri i autoriteteve që kanë instaluar regjistrin elektronik të përgjigjeve është 14 nga 36.

Dhe kur informacioni i cili duhet të ishte publik nuk është, e vetmja rrugë për ta siguruar është nëpërmjet kërkesës për informacion, por gjatë 3 viteve të fundit sigurimi i këtij lloji informacioni është bërë shumë më i vështirë.

Praktikisht nëse duan mos të të japin informacion, i kanë të gjitha mjetet në dorë”, shprehet avokati Dorian Matlija, lidhur me këtë çështje. Ai gjithashtu shton se gjatë këtyre tre viteve ajo që institucionet kanë sofistikuar më shumë është truku për mosdhënie të informacionit. “Diku vendosin tarifa të paarsyeshme, diku paraqesin justifikimin e të dhënave personale, ka pastaj këto përcjelljet e kërkesave nga një institucion në një tjetër që e bëjnë në mënyrë sistematike, shto edhe faktin që vendimi i Komisionerit nuk është i zbatueshëm me detyrim edhe kur është një vendim pozitiv i Komisionerit në raste të rralla kjo, nuk e zbatojnë ose e çojnë vendimin në gjykatë dhe pastaj shkon vite të tëra në gjyq.”

Viola Keta tregon edhe disa nga “hilet” e hasura më shpesh në punën e “Faktoje”. “Informacioni vjen jo i saktë. Sillen linqe që nuk kanë asnjë të dhënë për të cilën ke kërkuar, përgjigjet e sjella devijojnë çështjen për të cilën janë pyetur.”

Por përballja në gjykatë për të siguruar informacionin është diçka që as qytetarët dhe as gazetarët, preferojnë të mos ndodhë. Gjatë këtij viti, nga “Qendra Res Publika” sipas avokatit Dorian Matlija janë dërguar në gjykatë 22 raste për të drejtën e informimit nga gazetarët. “Shumica e rasteve janë fituar, madje kemi patur një rezistencë të madhe nga Komisioneri në këto raste, i cili nuk merrte vendim por kur vinte në gjyq kishte qëndrim kundërshtues”, shprehet ai. Ndërkohë zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha zyrtarisht për ACQJ-në se kohëzgjatja e gjyqeve në “Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë ku pala paditëse është personi i sanksionuar nga ana e Zyrës së Komisionerit, varion nga 2-6 muaj. Në raste të vecantë mund të tejkalohet ky afat kohor”. Proçese këto që kanë edhe kosto ekonomike për institucionin, në të njëjtën kohë dhe kosto ekonomike, praktike dhe për mediat, për sa kohë lajmi për të cilin këto informacione kërkohet është një produkt konsumi që humb vlerë me kalimin e kohës, siç është gjetur dhe nga GJEDNJ vetë në shumë vendime të saj për sa i përket të drejtës së informimit.

Ndërkohë, Kadiu thotë se, në gazetari nëse nuk e merr informacionin në kohën e duhur është njësoj sikur atë informacion, të ta kenë mohuar.

“Një nga parimet kryesore të gazetarisë është se lajmi ka vlerë kur publikohet atëherë kur duhet të publikohet, pasi ne nuk kemi nevojë të kalojmë javë dhe muaj për të marrë një informacion sidomos në natyrën e mediave sot”, thekson ai.

I pyetur zyrtarisht nëse ka të dhëna për një kohë mesatare për marrjen e përgjigjes sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit, Zyra e Komisionerit, u shpreh se nuk e ka një të dhënë të tillë për shkak se mbledhja e të dhënave nuk është parashikuar në kuadrin rregullator. Por nga të dhënat e punës së ACQJ-së për rreth 1 vit, rezulton se mesatarisht nevojiten 20-25 ditë për të marrë përgjigje për një kërkesë për informacion, por nuk mungojnë as rastet ku pritja shkon 2 ose më shumë muaj.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter