Taksa “të palogjikshme” mbi pagën, më të lartat në rajon. Nën minimumin jetik jo vetëm pensionistët

Në “Pazarin e Ri”, 74 vjeçarin Mersin Çaushi e gjejmë të ulur në një nga stolat publikë.

Unë kam qenë agronom dhe kam punuar edhe në administratë. Kam që në 2012 në pension dhe kam një pension 240 mijë lekë të vjetra”, thotë pensionisti, i cili tregon se pensioni nuk i mjafton për të dalë në fund të muajit. “Pa ndihmën e fëmijëve nuk ja dal dot, ne jemi dy, edhe unë edhe gruaja”, tregon ai.

Edhe Fatime B, është një ndër 668 890 mijë pensionistët shqiptarë që numërohen në vend. 80-vjeçarja përmend se rritja e çmimeve ka ndikuar në përditshmërinë e saj, duke mbajtur parasysh se pensioni i saj është vetëm 102 mijë lekë të vjetra.

Shyqyr Zotit kam fëmijët që më ndihmojnë. Edhe ata janë jashtë shtetit emigrant se po të ishin në Shqipëri me shumë mundësi sdo kishin për vete jo më të më ndihmonin mua”, shprehet e moshuara për “Sinjalizo”, duke shtuar se pensioni i saj mjafton vetëm për të shlyer faturën e dritave dhe për të blerë ilaçet.

Nuk del të keqen, jo. Ja muajin e kaluar, 53 mijë lekë kisha vetëm drita, bleva edhe ilaçet për tension dhe zemër që njëri është 21 mijë, tjetri 450 dhe tjetri 1600 që nuk rimbursohen, se ato që rimbursohen i marr me rimbursim. Çtë ngeli për ushqime?! 94 mijë janë të ikura direkt nga ai pension i shkretë, a mbahet fryma gjallë me 7 mijë lekë gjithë muajin?”, tregon 80-vjeçarja.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, rezulton se prej 2012 deri në 2021 numri i pensionistëve ka ardhur çdo vit në rritje. Mesatarisht, në qytet, një pension pleqërie sipas Open Data Albania është në shifrën e 14,974 lekë ndërsa mesatarja e një pensioni rural është 8,410 lekë. Nga ana tjetër, pensioni mesatar për invalid në qytet është 13,092 lekë dhe pensioni familjar është 6722 lekë. Ndërkohë në zonat rurale, pensioni i invaliditetit është 6,659 lekë dhe 2,884 pension familjar.

Gjatë prezantimit zyrtar të Paketës së Rezistencës Sociale, Qeveria Shqiptare tha se numri i përfituesve të ndihmës 3 mijë lekë në muaj është për 576 mijë qytetarë. Nisur kjo edhe nga deklarata në një emision televiziv të ministres së financave dhe ekonomisë, Delina Ibrahimi, që ka mbajtur edhe postin e drejtoreshës së INSTAT-it, e cila tha se nëse të ardhurat e një qytetari shqiptar janë 140 euro, ai nuk konsiderohet i varfër, por nëse llogarisim faktin se 576 mijë qytetarë në vend që raportohet se janë pensionistë dhe që kanë 123 euro të ardhura në muaj, atëherë sipas vështrimit të deklaruar të Ibrahimit ata janë në nivelin e varfërisë.

Por për ekonomisten Aneida Bicaj, është e pamundur që të mbijetohet me një nivel të tillë të të ardhurave. “Në këtë vend as me 50 mijë lekë nuk mbijeton dot më”, shprehet ajo, duke shtuar se: “Dy pensionistë pa ndihmën e fëmijëve nuk jetojnë dot”.

Shqipëria kryeson taksa të larta mbi pagën në rajon

Kontributet e Detyrueshme dhe Tatimi shkojnë deri në 40.9% të një page mesatare të deklaruar. Ndërkohë në Shqipëri për 30 mijë lekët e para nuk paguhet tatim prej 13% por paguhen 27.9% sigurime të detyrueshme. Barra e tatimit mbi rrogën në Shqipëri është më e lartë se në Kosovë, shteti më i ri i Europës, ku barra mbi rrogën është vetëm 17%. Në Kosovë pagesa e pensioneve ndahet në mënyrë të barabartë, 5% punëdhënsi dhe 5% punëmarrësi, ndërsa sigurimet shëndetësore paguhet në masën 7% nga punëdhënësi i kompanive me xhiro vjetore mbi 50 mijë euro dhe 2 euro për punëdhënësin me xhiro vjetore nën 50 mijë euro. Nga ana tjetër, në Malin e Zi barrën më të lartë në kontributit e mban punëmarrësi, i cili paguan 15% të pagës për pensionet dhe paaftësinë, ndërsa punëdhënësi 5.5%. Sigurimi për papunësinë ndahet mes dy palëve në masën 1%.

Në Maqedoninë e Veriut, pagat deri në 17530 Euro tatohen në masën 10% dhe mbi këtë nivel, në masën 18%. Nga ana tjetër në Kosovë, të ardhurat deri në masën 960 euro nuk tatohen, ndërkohë që pagat nga 960-3000 euro në vit tatohen më 4%. Ndërsat pagat nga 3000 deri në 54 mijë euro në vit 6% dhe mbi 54 mijë euro mbi 10%. Në Malin e Zi pagat mes 701–1000 euro taksohet 9% si dhe të ardhurat nga sipërmarrja në vlerën 8401-12000 euro. Pagat mbi 1000 euro taksohen me 15%. Ndërkohë në Shqipëri, për fashën e pagës 30000 lekë tatimi mbi rrogën nuk aplikohet, ajo zbatohet 13% për pagat 30.000 deri në 150 000 lekë dhe 23% në rastet kur paga është 15 600 lekë.

Shqiptarët e dypunësuar përherë e më shumë po preferojnë punësimin në të zezë

Barra e madhe e vendosur mbi rrogat kanë sjellë edhe probleme me deklarimin e rrogave. Ti edhe kur punëson një njeri ka shumë që kërkojnë që të paguhen në të zezë, pra preferojnë që të paguhen në të zezë për të marrë disa lekë më shumë”, shprehet ekspertja e ekonomisë Aneida Bicaj nga Balkans Capital.

Kjo gjë mbështetet edhe nga profesori i ekonomisë, Rezart Prifti i cili thotë se tashmë mosdeklarimin, njerëzit e bëjnë me vullnet të plotë pasi nuk janë duke marrë benifitet për të cilat paguajnë. “Perceptimi për pensionet është më i vështirë për tu vënë re, sepse duhet të presin 30 vite, duke qenë se shëndetësinë e prekim më shpejtë, thotë ore prit njëherë se për çfarë i paguaj këto detyrime”, thotë ai duke shtuar se kur sëmuresh edhe pse ke paguar detyrimet shëndetësore, ti paguan sërisht.

Profesori i Ekonomisë flet edhe për rritjet e pagës minimale, me nga 20 mijë lekë. “Aktualisht tregu e ka shkartisur këtë pagë minimale, nuk ka më pagë 300 mijë lekë por hapi që është marrë nga qeveria shqiptare është se mbi këtë pagë llogaritet masa e detyrueshme e kontributit, pasi e kanë parë që nuk mbledh më skema e pensioneve” thotë ai duke shtuar se ky hap është dritëshkurtër pasi e zgjidh për momentin problemin por nuk është zgjidhje afatgjatë.

Nevoja për një skemë pensionesh private dhe mungesa e minimumit jetik

Në Shqipëri, çdo qytetar ka të drejtën për të kryer një sigurim suplementar të pensionit, por kjo nuk e përjashton nga pagesat e detyrueshme për sigurime shoqërore. Ekspertët e ekonomisë shprehen se ka ardhur koha që kjo skemë të ketë një rishikim të saj, por duhet një vullnet i madh politik pasi është një reformë e madhe dhe që efektet e saj të preken do duhet një 10 vjeçar.

8 vjeçarin e fundit të gjithë indeksimet që janë bërë me skemën e pensioneve sipas INSTAT kanë patur një zhbërje të indeksimit pasi ngritjen e indeksimit e ka ngrënë inflacioni me dyfishin e indeksimit, pra indeksimi ka qenë më i vogël se inflacioni”, thotë profesori Rezart Prifti duke shtuar se skema jonë e pensioneve bazën e të ardhurave e ka problematike, pasi është ulur numri i kontribuesve. “Humbjet kanë ardhur nga keqmenaxhimi, humbja e kontribuesve dhe nga skema e vjetëruar e sigurimeve duke qënë se skemat e sigurimeve në botë funksionojnë me investime”, shton ai.

Aneida Bicaj, nga Balkans Capital e konsideron si të vështirë futjen e fondeve private të pensioneve në Shqipëri duke i hequr qytetarit detyrimin për të paguar në shtet sigurime shoqërore, por për të është që duhet të flitet. “Është e drejtë të flasim për këtë skemë private pasi gjatë viteve të fundit ka ndryshuar shpesh herë skema dhe kjo tregon paqëndrueshmëri. Unë kur të jem 70 vjeç nuk e di a do të marr pension apo jo”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan dhe rajon që nuk ka një minimum jetik zyrtar. Në 2021, sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, 40% e popullsisë jeton në kufinjtë e minimumit jetik. Nga ana tjetër, Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë një vlerësim në lidhje me minimumin jetik në Shqipëri, i cili sipas këtij institucioni është 17 mijë lekë. Por a ka mundësi reale shteti shqiptar për ta njohur dhe ta miratojë me ligj këtë minimum jetik?

Përgjigjja për ekspertët është e thjeshtë. JO! Kjo për shkak të efekteve të gjëra ekonomike në çdo fushë. “Automatikisht bëhet një trigër efekt në të gjithë ineksimin e pagave, nga shtetit te privati dhe të të gjithë skemave të sigurimeve shëndetësore, ndihmës sociale, pensioneve, ndihmës ekonomike etj. Do të duheshin projeksione se çfarë do të ndodhte”, shprehet profesor Prifti, i cili thotë se aktualisht në momentin që flasim është e pamundur të realizohet për shkak të efekteve të mëdha ekonomike për buxhetin e shtetit.

Në raportin e vitit 2018 të Avokatit të Popullit, thuhet se: “Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që aplikojnë pagën minimale – Mal i Zi, Serbi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, niveli i saj është mbi 200 euro në muaj, çka siguron një mbulim të mirë të minimumit jetik atje ku ky nivel është tashmë përkufizuar”, por gjithashtu shtohet se diferenca në miminumin jetik dhe pagën miminale në Ballkanin Perëndimor krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, janë të dukshme dhe të pritshme bazuar në nivelet e ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe social mes tyre.