Të miturit kthehen në shpërndarës të lëndëve narkotike

“Konsumimi i drogave prej gjimnazistëve është bërë një normalitet. Nuk kanë munguar rastet, ku fëmijët e 9-vjeçareve kanë ardhur në spital. Ato janë raste të veçanta, që vijnë nga familje me probleme të shumta ekonomike dhe sociale.” Miga Mataraku-Toksikologe

E.Y. ishte vetëm 13 vjeç, kur konsumoi për herë të parë drogë. I nxitur nga kurioziteti, se përse shokët ishin të lumtur, pasi konsumonin lëndë narkotike, ai vendosi t’i provonte, pa e ditur se pas 15 viteve do të luftonte ndaj varësisë prej tyre.

Humbja e mamasë, kur isha 12 vjeç, më tjetërsoi. U transformova, pasi më mungonte kontrolli. Nuk më ka munguar asgjë nga familja, por unë gjithnjë kam qenë i mbyllur në vetvete dhe nuk i tregoja, që kisha nisur të merrja drogë. Në moshën 15-vjeçare nisa konsumimin e kanabisit, kurse 18 vjeç, atë të heroinës”, – ka thënë ai.

E.Y. nuk ka arritur të arsimohet. Pasi ka mbaruar klasën e tetë, nuk e ka vazhduar gjimnazin pas përjashtimit.

“Deri në klasën e 7 kam qenë nxënës me rezultate të larta, madje merrja dhe fletë lavdërimi, por mungesa e llogaridhënies në shtëpi, largimi i mamit nga kjo jetë dhe qëndrimi më shumë në rrugë sesa në shtëpi bënë të vetën”, – shtoi ai.

28-vjeçari ka pranuar gjatë intervistës se është kthyer edhe në shpërndarës droge, pasi në atë kohë ishte ende minoren dhe nuk mund të kishte një punë të sigurt.

“Lëndët narkotike iu shpërndaheshin të miturve dhe madhorëve. “Klienti” nuk ishte i diferencuar prej moshës”, – ka thënë ai.

Rritet ndjeshëm konsumimi i lëndëve narkotike

Konsumimi i lëndëve narkotike prej minorenëve është rritur ndjeshëm, çka është konstatuar prej ndërveprimit me ta në 4 shkolla 9-vjeçare të qytetit të Elbasanit.

Në intervistat të kryera me 36 nxënës të klasave të nënta (18 vajza dhe 18 djem), prej 4 shkollave 9-vjeçare të Elbasanit, rezultoi se secili prej tyre ishte në dijeni të përdorimit të lëndëve narkotike në shkollë, ndërkohë që 70% e tyre pranuan se njohin nxënës të tjerë që konsumonin substanca narkotike. Në përgjigjen e kërkesës për informacion, drejtuar ZVA, Elbasan, pranohet se gjatë vitit 2021 janë evidentuar vetëm 2 nxënës si përdorues të lëndëve narkotike, shifër mjaft e ulët me atë çka pohohet nga vetë nxënësit.

Një nga arsyet, pse mungon evidentimi i rasteve më herët, është edhe mungesa e besimit të nxënësve për t`i shprehur problemet, shqetësimet e tyre te psikologët dhe mësuesit.

Në qoftë se do të kisha ndonjë problem, nuk do t’i drejtohesha psikologes të shkollës, as mësueses”, – është përgjigjur 90% e nxënësve të intervistuar. Sipas psikologes, Elona Mustafaraj, një nga arsyet, pse nxënësit nuk i drejtohen psikologes së shkollës, lidhet dhe me frikën se, nëse psikologia e di problemin, ajo do t`ia tregojë mësueses.

Brenda mjedisit të shkollës ata evidentohen lehtë se po iu drejtohen konsultave me psikologun dhe i druhen faktit se mund të bullizohen nga bashkëmoshatarët. Gjithashtu, kjo përqasje ndaj psikologut lidhet me besueshmërinë. Fëmijët mendojnë se, fakti që psikologët janë pranë mësuesve dhe nxënësve të tjerë, të dhënat e tyre mund të mos ruhen dhe të tjerët mund të jenë në dijeni”.

Mustafaraj pranon se gjatë kohës që punonte në një nga shkollat 9-vjeçare të Elbasanit ka realizuar konsulta me nxënës që i kishin provuar lëndët narkotike.

Nuk ishte përdorues i rregullt. Ai erdhi në fazën e parë të përdorimit dhe gjatë asaj kohe kishte përjetuar ankth, panik. Më shumë se sa me përdorues droge, kam realizuar trajtime me të mitur që luanin me lojërat e fatit. Kryesisht këto ishin raste të referuara nga familjarët, por mund të kenë bërë seancat e para dhe më pas kanë bërë rezistencë, duke mos e ndjekur trajtimin për efekt të nivelit të lartë të varësisë, por edhe sepse iu është lënë atyre në dorë të zgjedhin momentin e duhur për t’iu rikthyer seancave”, – ka shtuar ajo.

Grup-mosha, që konsumon drogë, po ulet

Sipas mjekes toksikologe, Miga Mataraku, grup-mosha, që konsumon lëndë narkotike, po ulet, çka ka bërë që konsumimi i dograve prej gjimnazistëve të shihet si i pranueshëm.

“Nuk kanë munguar rastet, kur fëmijët e 9-vjeçareve kanë ardhur në spital. Ato janë raste të veçanta, që vijnë nga familje me probleme të shumta ekonomike dhe sociale.”

Përzierja e drogave dhe cilësia jo e mirë ka bërë që jo rrallëherë pacientët të gjenden në mbidozë nga policia.

“Ka pacientë, të cilët vijnë nga familje me kushte të mira ekonomike dhe blejnë kanabis, kurse konsumatorët e varfër blejnë substanca që sigurohen me më pak pará. Cilësia e drogës mbetet një problem, për të cilin konsumatorët janë të vetëdijshëm, por sërish e konsumojnë atë të përzierë, çka e rrit mundësinë për të kaluar në mbidozë”, – ka shtuar ajo.

Elbasani nuk ka një qendër rehabilitimi

Në qytetin e Elbasanit mungon një qendër rehabilitimi dhe e vetmja pikë, ku konsumatorët drejtohen për ndihmë, është Qendra e Metadonit ose e njohur ndryshe si Aksion Plus.

Genc Muçollari, drejtori i shoqatës humanitare Aksion Plus, ka treguar se në pikat e kësaj qendre, të cilat janë shpërndarë në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, në Durrës, në Berat, në Fier, në Shkodër dhe në Sarandë, marrin trajtim të përditshëm 920 persona.

“Në vitin 2020 afërsisht 6.6% e nxënësve (minorenë), i kanë provuar të paktën 1 herë lëndët narkotike, krahasuar me 4.4% që ishte në vitin 2014”, – ka thënë ai.

Muçollari ka pranuar për ACQJ se konsumatorët e drogës janë masivizuar, madje vitet e fundit janë rritur ndjeshëm përdoruesit e kanabisit dhe të kokainës.

Sipas të dhënave zyrtare të qendrës, nga viti 2018 deri në vitin 2021 numri i personave që marrin trajtim në qendër është rritur me 25%.

Policia e Elbasanit, pasi vërteton se personat janë të varur ndaj lëndëve narkotike, iu pushon çështjen dhe ia referon ato si raste kësaj qendre. Siç bëhet e ditur nga policia, nuk ekziston një databazë e përdoruesve dhe e shpërndarësve të lëndëve narkotike, ndonëse numri i tyre mbetet i lartë.

Gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2021 policia ka goditur 33 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike nga 54 autorë, bazuar në të dhënat e policisë.

Ndonëse numri i të miturve, që konsumojnë dhe shpërndajnë lëndë narkotike, është rritur, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan gjatë periudhës janar-14 dhjetor 2021 ka regjistruar një procedim penal lidhur me një shtetas të mitur. Procedimi vazhdon të jetë në fazën e hetimit.

Gjithashtu, duke u bazuar në studimin e qendrës FOL në Tiranë për vitin 2021 vetëm 1 shtetas është proceduar penalisht për kryerjen e veprës penale të “Nxitjes për përdorimin e drogës”, të parashikuar nga neni 286 K. P., por në këtë rast subjekti viktimë i veprës penale ka qenë i mitur.

Varfëria, shtysa kryesore për t’u kthyer në shpërndarës

Papunësia është arsyeja kryesore, pse minorenët në Elbasan kthehen në shpërndarës të lëndëve narkotike, ndërkohë që së fundmi vihet re masivizimi i përdoruesve të drogave të forta.

Faktorët ekonomikë mbeten ndikuesit kryesorë që i dërgojnë të miturit dhe të rinjtë drejt shpërndarjes së lëndëve narkotike. Sipas INSTAT-it, Elbasani renditet në 1 nga 3 qarqet më të varfra në vend.

“Një pjesë e mirë e pacientëve në moshë të re kanë treguar se nisin të shpërndajnë lëndë narkotike vetëm për të fituar pará “më lehtë”, pa e marrë parasysh rrezikun e kthimit në konsumatorë”, – ka shtuar toksikologia Mataraku.

Numri i të papunëve në qarkun e Elbasanit është rritur kryesisht gjatë vitit pandemik, sipas Zyrës Rajonale të Punësimit.

Nga 9.117 të papunë në vitin 2019, janë regjistruar 10.892 në vitin 2020, ndryshe, papunësia është rritur me 17% gjatë vitit pandemik.

Sipas të dhënave nga INSTAT, PBB për frymë në Elbasan për periudhën 2015-2018 është ndër më të ulëtat në vend, duke lënë pas vetëm Kukësin, qarkun më të varfër në vend. Gjithashtu, sipas shifrave zyrtare, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019 “shkalla e dembelizmit” në qytet u rrit me 5%.

Qendra Aksion Plus mbetet e vetmja qendër rehabilitimi në vend, pasi ato shtetërore mungojnë. Për të kryer më mirë punën e tyre, duke iu ardhur akoma dhe më tepër në ndihmë konsumatorëve të lëndëve narkotike, qendra ka nevojë për mbështetje nga shteti.

Zgjidhjet

“Me qëllim që të kemi një trajtim të duhur dhe me rezultate, kërkohet një mbështetje më konkrete nga shteti në burime monetare, njerëzore dhe infrastrukturore. Nevojitet motivim më i mirë i personelit që angazhohet në këtë sektor, si dhe një bashkëpunim më i ngushtë mes aktorëve që janë të përfshirë në ofrimin e trajtimeve për personat që përdorin substanca. Jemi në fazën, kur duhet përmirësuar cilësia e shërbimit, si dhe ngritja e një qendre shumë-funksionale, me të gjitha mundësitë dhe të gjitha protokollet, të përshtatura sipas nevojave të individëve që kërkojnë një shpëtim nga një varësi e caktuar”, – tha Genc Muçollari.

Gjithashtu, mungesa e punësimit ose gjetja e aktiviteteve, me të cilat mund të angazhohen personat që i drejtohen rehabilitimit, rrisin mundësitë për t’u tunduar sërish ose për të rënë në kontakt me konsumatorët e tjerë.

ZVA, Elbasan ka bërë të ditur se në bashkëpunim me institucione të tjera, siç janë Policia e Elbasanit dhe Specialistët e Policimit në Komunitet (SPZ), ka organizuar takime sensibilizuese me fokus grupe të caktuara nga punonjësit e shërbimit psikosocial të shkollave, drejtues dhe mësues në disa prej IA-ve, sipas një plan-kalendari për zbatimin e programit Edukim, Ndërgjegjësim dhe Reduktim i kërkesës për substanca të rrezikshme.

Këto takime zhvillohen nga specialistë të policimit në komunitet për edukimin në shkolla dhe punën me të rinjtë nga inspektorë të zonës, nga përfaqësues të drejtorisë së shkollës, nga psikologia dhe nga punonjësit socialë në shkolla. Sipas ZVA, Elbasan, deri në këtë periudhë janë punuar temat “Alkooli” dhe “Droga” në të gjitha shkollat Elbasanit.

Sipas E.Y., qyteti e ka të nevojshme pasjen e një qendre rehabilituese, shtetërore, pasi përdoruesit e drogës nuk dinë kujt t’i drejtohen, pasi e pranojnë varësinë.

Qendra jep maksimumin për ne, pacientët, por sërish ndërhyrja e shtetit me një qendër të madhe, që njihet nga të gjithë, është e nevojshme. Për mendimin tim, pandemia e vërtetë e këtij qyteti është varësia nga lëndët narkotike. Kemi nevojë t’i kthehemi jetës së mëparshme, por kemi nevojë për një strukturë që të na ndihmojë të rehabilitohemi, të na punësojë, për të humbur mendjen dhe për t’ia dalë.