Tërmeti institucional i Desla Sh.P.K., Durrës

Autor: Alfred Zylyftari, Denisa Lazi, Elsa Kotorri

Dëmtimet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 nuk ishin asgjë krahasuar me kalvarin e ngjarjeve që pasuan për pallatin e Desla Sh.P.K., Lagjja 18, Rruga “Vaso Pasha”, Durrës. Ky pallat është një ndër më të dëmtuarit nga tërmeti i Durrësit, çështja e të cilit është në shqyrtim akoma edhe sot. Kur ka kaluar më shumë se një vit, banorët ende nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me apartamentet e tyre, që kishin vetëm pak kohë që i kishin blerë. Çështja është në shqyrtim akoma edhe sot, mes manovrave të firmës për të shmangur përgjegjësinë nga vetja dhe hezitimit të organeve ligjzbatuese për të vënë gishtin, nëse fajtori i vërtetë i dëmtimit të pallatit është tërmeti apo cilësia e dobët e punimeve.

Firma e ndërtimit, Desla Sh.P.K., nuk e ka ndërtuar pallatin sipas parametrave të parashikuara të sigurisë, pasi u desh një tërmet vetëm 6.4 ballë për të rrezikuar jetën e banorëve, ndërkohë në dokumentacion ky pallat parashikohej që të përballonte një tërmet deri në 9 ballë. Kjo firmë refuzon shembjen e këtij pallati, edhe pse ka dëme të pariparueshme, por gjen mbështetje nga institucionet shtetërore, përgjegjëse.

Raport mbi vlerësimin e aftësisë mbajtëse, strukturore të objektit ekzistues nga inxhinieri Dhimitër Papa

 

Pamje e jashtme e pallatit të dëmtuar në rikonstruksion sipërfaqësor

Nga hulumtimet e kryera dhe shqyrtimet e dokumentacioneve ekzistuese për këtë pallat rezulton që përgjegjësitë e firmës ndaj këtij pallati janë: mosrespektimi i lejes së ndërtimit, duke ndërtuar një kat më shumë; pallati nuk ka diafragmë (kolonë kryesore), kafazi i ashensorit nuk është i ndërtuar me beton dhe kolona, por vetëm me tulla; pas përfundimit të pallatit firma nuk ka arritur të sigurojë aktin e kolaudimit nga Bashkia e Durrësit, pa të cilin nuk mund të vërtetohet, nëse pallati i plotëson parametrat e sigurisë për të jetuar. Paradoksi në këtë mes është fakti që me dokumentacion firma e ndërtimit është e rregullt, por realiteti qëndron ndryshe.

Gjeoteknika e godinës

Kjo ndërtesë, sipas dy akt-konstatimeve të kryera më datë 01.12.2019 dhe 10.01.2020 nga inxhinierë të Institutit të Ndërtimit, ka rezultuar pa dëme strukturore dhe në akt-konstatimin e dytë citohet se pallati nuk ka dëme mesatare, strukturore (DS4).

                                                                      Akt-konstatimi i parë

 

                                                   Akt-konstatimi i dytë

Përse këto dy akt-konstatime kanë kundërshti me njëri-tjetrin dhe përse ka lindur nevoja të bëhet më shumë se një akt-konstatimi?! Instituti i Ndërtimit nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje dhe nuk na i vuri në dispozicion akt-konstatimet e para, të kryera nga vetë ata, duke ia deleguar si kompetencë Bashkisë së Durrësit.

                                                      Përgjigjja nga Instituti i Ndërtimit

Mirëpo, nga investigimet e kryera dhe nga intervistat me inxhinierë, të cilët nuk kanë pranuar të prononcohen publikisht, pretendohet që ky pallat të ketë dëmtime më të rënda lidhur me strukturën mbajtëse. Në akt-konstatimin e thelluar, të kryer nga Instituti i Ndërtimit, i datës 2020/07/23, citohet:

…parametrat për sheshin konkret të ndërtimit janë: intensitet 9.0 ballë, truall i kategorisë së III-të… dhe nga këqyrjet dhe analizat e kryera rezulton se nuk ka çedime të bazamentit, të cilat mund të ndikojnë negativisht punën e mbistrukturës. …themeli plotëson të gjitha kontrollet gjeoteknike.

 

 

Bazuar në projektin arkitekturor (bashkia nuk e vuri në dispozicion projektin inxhinierik/ndërtimor, edhe pse iu kërkua zyrtarisht), kafazi i ashensorit ishte planifikuar me të njëjtin material si kolonat e pallatit (betonarme, siç është e dukshme qartë në skicën e mëposhtme të projektit, kati i parë.

Projekti arkitekturor, i lëshuar nga Bashkia e Durrësit

 

Në të vërtetë, ashensori nuk është ndërtuar me beton dhe nuk ka as kolona betoni, siç shihet në foton e mëposhtme. Ndërkohë, firma e ndërtimit justifikohet me faktin se kafazi i ashensorit është ndërtuar konform projektit dhe është ndjekur nga instruktori dhe inxhinierët e firmës. Sipas inxhinierëve të kontaktuar nga ne dhe nga ajo çfarë shihet në terren, duket qartë se firma ndërtuese nuk i është përmbajtur projektit arkitektonik.

 

Kafazi i ashensorit

Duke iu referuar të njëjtit projekt më lart, ndërtesa nuk ka diafragmë betoni dhe shkallët janë të lidhura me mure tulle me dyshemenë.

Sipas inxhinierëve, ky është një gabim gjatë fazës së ndërtimit ose zbatimit të projektit. Gjithashtu, mbushja e bodrumit me ujë do të thotë që nuk është bërë studim i mirë gjeologjik i terrenit, mbi të cilin është ndërtuar.

Akt-konstatimi i thelluar citon se studimi i gjeologjisë së tokës është bërë në afërsi të pallatit dhe jo saktësisht në të njëjtin vend ku është ndërtuar pallati, por një studim gjeologjik, specifik për tokën, ku është ndërtuar pallati, gjendet në dosjen zyrtare të pallatit në Zyrën e Arkivave të Bashkisë së Durrësit.

Ky studim specifik përfundon: (faqja 21-22)

  1. Sheshi i ndërtimit ndodhet në kushte gjeologo-inxhinierike relativisht të dobëta.
  2. Në zonën e studimit takohen depozita deluviale, si dhe detaro-lagunore.
  3. Niveli i ujërave nëntokësorë gjatë kohës së punimeve u takua në intervalin -1.5 m dhe u stabilizua në -0.8 m (në kohën e punimeve fushore të muajit shtator).
  4. Në kryerjen e punimeve fushore u konstatua një pus i vjetër në zonën e studimit, gjatë hapjes së themeleve; të mbushet me beton (në pjesën nën themelin e godinës) dhe pastaj të bëhet ndërtimi i bazamentit të godinës.

E thënë në fjalë të thjeshta, pallati është ndërtuar mbi një terren jo tepër të stabilizuar dhe me burime të shumta ujore që e përshkojnë atë.

 

Studimi specifik, gjeologjik i godinës

Inxhinierët dyshojnë për një boshllëk nëntokësor poshtë themeleve dhe rekomandojnë që të kryhen gërmime, të cilat deri më tani nuk janë bërë ose nuk janë sugjeruar nga inxhinierët e Institutit të Ndërtimit. Në raportin e kryer nga inxhinieri Dhimitër Papa, i cili citon dëmtimet e pallatit dhe i ka përcaktuar ato si “të moderuara”, shkruhet: “…shkallët kanë plasaritje në katin përdhe, katin e parë dhe katin e dytë”.

 

Raporti i inxhinierit Dhimitër Papa

Ndërkohë, shkallët nuk kanë thjesht plasaritje, por janë komplet të shkëputura nga struktura mbajtëse.

Ajo që ngre dyshime, është fakti se në akt-konstatimin e thelluar janë përfshirë vetëm foto të shkallëve të plasaritura dhe jo të shembura apo të thyera përtokë.

Trarët e godinës

 Në raportin e inxhinierit Dhimitër Papa në të njëjtin paragraf si më sipër shkruhet: “…trarët, kolonat dhe soletat e strukturës nuk shfaqin ndonjë lloj dëmtimi të dukshëm.” Në foton e mëposhtme duket qartë që trarët kanë dëmtime të dukshme dhe sipas inxhinierëve pjesa e trarëve duhet zhveshur nga suvatimi për të kontrolluar dëmtime të tjera të trarëve.  “Nëse kjo nuk bëhet, është e vështirë të thuhet, nëse godina i plotëson parametrat e sigurisë”, shprehen ata.

Dëmtimi i trarëve

Inklinimi i ndërtesës

 

Inklinimi (mënjanimi) i godinës

 

Inxhinieri Dhimitër Papa në akt-ekspertizën e thelluar në faqen 7, pika 5 citon: “Nga këqyrjet dhe analizat e kryera në lidhje me punën e përbashkët të themelit dhe bazamentit rezulton se nuk ka ҫedime të bazamentit që mund të ndikojnë negativisht punën e mbistrukturës. Sforcimet në bazament janë brenda kufirit të sforcimeve të lejuara. Themeli plotëson të gjitha kontrollet gjeoteknike.” Në faqen 8, pika 9 citon: “Në gjendjen aktuale spostimet dhe deformimet maksimale të objektit rezultojnë mbi normat (të përcaktuara nga Eurokodi 8)…”

Ndërtesa ka inklinuar në dy krahë dhe nuk ka ruajtur vertikalitetin, siç është verifikuar dhe firmosur nga topografi. Siç shihet edhe në foto, pamja e fasadës nga ana lindore dhe veriore ka një deklinim 20 cm dhe 15 cm. Sipas inxhinierëve, duke u nisur vetëm nga kjo vlerë e deklinimit, është mjaftueshëm e lartë për ta shembur godinën, edhe pa marrë parasysh dëmtimet e tjera të saj. Ata shprehen se, me një deklinim të tillë për rikonstruksionin e ndërtesës duhet dhe një fuqi punëtore e specializuar dhe një teknologji e avancuar, të cilën Shqipëria nuk e disponon. Edhe nëse do t’i dispononte, kostoja ekonomike për rikonstruktimin do të ishte më e lartë sesa rindërtimi nga e para. Pra, në këto kushte është i pamundur rikonstruksioni i kësaj ndërtese.

Parashikimet ligjore lihen në harresë gjatë akt-ekspertizave

Vendimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i datës 30/09/2019, “Sigurimi i cilësisë së veprave ndërtimore” për Institutin e Ndërtimit ka nënvizuar shumë probleme: për një staf të pakualifikuar, pajisje jashtë standardi/certifikimi apo aspekte ligjore që vënë në dukje mungesën e rregullimit apo dhënies së llogarisë etj. Nga çfarë ka përcaktuar ky vendim, duket qartë inkompetenca e Institutit të Ndërtimit për akt-ekspertizën e thelluar, e cila përveç të tjerash nuk i është përmbajtur as Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 15/01/2020, “Për Kryerjen e Akt-ekspertizës së Thelluar në ndërtesat e Dëmtuara”. Shumë prej pikave që duhet të përmbajë një akt-ekspertizë e thelluar, të parashikuara nga kjo VKM, nuk janë përfshirë në akt-ekspertizën e inxhinierit Dhimitër Papa, ndër të cilat më të rëndësishmet janë pika 3, 3ci dhe 3cii (analiza strukturore e thelluar përfshin azhornimin gjeometrik dhe teknik). Përfshirja e këtyre pikave do të përcaktonte konkretisht, nëse ndërtesa në fjalë është për rikonstruksion apo rindërtim. Pra, mospërfshirja e këtyre pikave e bën këtë akt-ekspertizë të thelluar jo të plotë nga ana teknike dhe ligjore.

Leja e ndërtimit, e cila u la në harresë

Problemet e këtij pallati nisin që me lejen e ndërtimit, e dhënë nga ish-kryetari i bashkisë dhe sekretari i K.R.R.T-së, për 1-8-10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Ndërkohë, në të vërtetë pallati ka 11 kate mbi tokë, prej të cilëve vetëm 10 janë të ligjshëm. Edhe në raportin e bërë nga inxhinieri Dhimitër Papa flitet për një pallat 11 kate mbi tokë.

 

 

 

Leja e ndërtimit

 

 

Citimi i 11 kateve në raportin e inxhinierit Dhimitër Papa

 

Gjithashtu, ky pallat nuk ka akt-kolaudimi, pasi nuk është pajisur me leje përdorimi nga Bashkia e Durrësit, ndërkohë që banorët posedojnë certifikatën e pronësisë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, ky pallat ka akt-kolaudimi të dokumentuar, por të kryer nga inxhinieri privat i firmës ndërtuese. Në një dokument zyrtar, të lëshuar nga Bashkia e Durrësit, i datës 2020/09/29, citohet: “Akt-kolaudimi nuk ka, pasi nuk është pajisur me leje përdorimi nga institucioni i bashkisë.”

Përgjigjja e Bashkisë së Durrësit ndaj kërkesës për informacion mbi përmbajtjen e dosjes së kësaj ndërtese

Ligji Nr. 8402, i ndryshuar në vitin 2013, Neni 13, parashikon që për të lëshuar certifikatat e pronësisë ndër të tjera nevojitet depozitimi i aktit të kolaudimit të ndërtesës dhe leja e përdorimit, kjo e fundit në mungesë, sipas përgjigjes së dhënë nga Bashkia e Durrësit. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në çdo rast bën regjistrimin e objektit në bazë të kërkesës së njësisë së qeverisjes vendore. Lëshimi i certifikatave të pronësisë për një godinë me mungesë të akt-kolaudimit dhe lejes së përdorimit nga Bashkia e Durrësit ngre dyshime për një shkelje ligjore nga ana e ZRPP. E pyetur mbi situatën, ZRPP hedh fajin mbi Bashkinë e Durrësit për ngatërresa në procedura dhe dokumentacion, pa iu përgjigjur pyetjes se përse është bërë regjistrimi i kësaj ndërtese në Regjistrin e Pronave të Patundshme pa praninë e dokumentacionit të plotë.

Banorët dhe kalvari institucional

Banorët që para një viti kanë bërë një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kjo e fundit nuk ka pranuar që ta shqyrtojë këtë çështje dhe ia ka kaluar në kompetencë Prokurorisë së Durrësit. Që prej asaj kohe prokuroria është duke kryer hetimet dhe sipas burimeve pranë prokurorisë, kjo e fundit i ka kërkuar bashkisë që të pezullojë punimet, me qëllim që të kryhet një akt-ekspertizë e re. Në përfundim të hetimit, prokuroria do të përcaktojë përgjegjësinë ligjore të personave apo institucioneve përgjegjëse në lidhje me këtë çështje. Pranë prokurorisë janë paraqitur edhe banorët për të shprehur pretendimet dhe ankesat e tyre.

Në intervista banorët shfaqen të revoltuar dhe të pakënaqur kundrejt Institutit të Ndërtimit, Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Rindërtimit, pasi pretendojnë se pallati i tyre nuk është trajtuar sipas ligjeve përkatëse, pra këto institucione, sipas tyre, kanë kryer shkelje të ligjit. Gjithashtu, banorët shprehin pakënaqësi edhe për mos-dhënie të informacionit dhe mungesës së transparencës. Një prej banorëve shprehet: “Pas shumë përpjekjeve për të marrë informacion në mënyrë zyrtare, u detyruam të ndërhynim nëpërmjet miqve. Pasi punonjësi më dha dokumentin, më kërkoi të mos ia nxirrja emrin, se do e pushonin nga puna.

Pavarësisht të gjitha problemeve lidhur me këtë pallat, banorët shprehen se po vuajnë dhe pasoja psiko-traumatike. Ata kanë më shumë se një vit e gjysmë që presin të futen në shtëpitë e tyre dhe në të njëjtën kohë i tmerron fakti i një shtëpie me trarë të krisur, kolona të dobëta, mungesës së diafragmës së pallatit, deklinimit tepër të lartë apo qoftë edhe sigurisë në këtë pallat në rast të një tërmeti të dytë.

Një prej banorëve shprehet: “Mora djalin e vogël në krah dhe po zbrisja shkallët nëpër errësirë. Për një moment këmba më kapi bosh, sepse nuk kishte më shkallë, ishte thyer, kishte rënë një kat më poshtë. Nuk e di se si dolëm të gjallë që atje”. Një tjetër banor thotë: “Kujt ia kemi borxh në këtë jetë? Institutit të Ndërtimit? Dhimitër Papës? Bashkisë? Kujt? Të vijë ai njeri dhe të më thotë: “Ma ke mua jetën borxh!

 Zvarritja e kësaj çështjeje sa në një institucion në një tjetër për një kohë kaq të gjatë i ka lodhur banorët, por kjo gjë nuk do i ndalojë ata të kërkojnë të drejtën e tyre dhe ndihmë nga palë të treta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pasi pretendojnë se iu është cenuar e drejta e jetës.

Pamje nga brendësia e ndërtesës

Banorët janë në pritje të vendimit të Prokurorisë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe, nëse me vendim gjykate ata nuk marrin të drejtën e tyre, zotohen se do t`i drejtohen institucioneve ndërkombëtare. Gjithashtu, ata kanë bërë edhe një përpjekje duke iu drejtuar institucionit ndërkombëtar, United Nations Human Rights, e cili iu është përgjigjur se do të ndërhyjë, nëse shteti shqiptar nuk jep një zgjidhje të drejtë për këtë problem.

Banorët kërkojnë me ngulm shembjen dhe rindërtimin nga e para të këtij pallati, pasi suvatimi dhe lyerja e dëmtimeve strukturore vetëm sa e kthen këtë ndërtesë në një varr të zbukuruar për më shumë se 250 persona, ndërkohë firma e ndërtimit shprehet se 95% e banorëve mezi presin të futen në këtë pallat dhe janë vetëm 4-5 banorë, të cilët kanë bërë gjithë këtë rrëmujë dhe kërkojnë shembjen e pallatit. Institucionet publike ende nuk kanë dhënë një vendim përfundimtar mbi çështjen, ndërkohë që riparimet estetike të ndërtesës vijojnë dhe banorët nuk kanë gjetur akoma një zgjidhje, më shumë se një vit e gjysmë pas faktit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter