“Ti qeke shum e trashë!”*

Ofertat muzikore rrugëve të atdheut të bëjnë të pyesësh veten: ‘Mos po më bëjnë gjë veshët?’

Autor: Rakela Hunci

Mëngjeseve të të shtunave, i vetmi vend ku i bëhet ta tërheqë veten zvarrë nga krevati është autobuzi që e kthen në familje. Ishte nxehtë, korrik, dhe sa hyri brenda, Erisa Bida pa në sediljen e parë të kishte hequr këpucët një grua. Dhe kur furgoni shtroi rrugën drejt Korçës, nga altoparlanti–një prej atyre bokseve për të cilët inxhinierët të thonë se nga 20,000 herc që duhet të nxjerrë, të kollit vetëm tre, dhe ata pa plan–luhej pa pushim E ra Faja prej fiku, e ra si top llastiku.

O shofer, aman, o burrë i dheut, çfarë e ke këtë lloj muzike!

“Ç’ti bësh?” thotë Bida, një 32-vjeçare që punon bariste në Tiranë, ndërsa e diskutojmë në Messenger fenomenin e muzikës që ta sjell në majë të hundës në autobuz. “Shoferi është në shumicën e rasteve brezi i kohës së xhaxhit. Këto lloj këngësh do dëgjosh.”

“Më zuri koka!” kujton. “I them (shoferit) ta ndërrojë. Ai vuri Karrocën e Dylit.”

Se mos vetëm Bida. Florent Rizvanolli është një inxhinier elektroteknik 58-vjeçar nga Kosova me banim në qytetin Charlotte të Shteteve të Bashkuara, dhe kur u kthye vjet në shtëpi në Prishtinë dhe mori autobuzin për Prizren, nuk e dinte se ç’i shkaktonte më shumë neveri, “të jem i detyruar ta ndëgjoj (atë) lloj muzike, apo tingulli i lartë i muzikës,” që nuk e lë as të lexojë. E kam të vështirë të imagjinoj Rizvanollin t’i rezistojë një hapësire të mbushur nga një shpërthim lirik i tipit Apet kam ba gabimin/Kthehu du me t’pas prap timin/Për ty un e vras veten/Veç me t’pas për gjithë jetën. Nuk ka rëndësi ç’muzikë është ekzakt, të thotë.

Apo si ai tjetri që kaloi gjithë jugun e Shqipërisë nën lajtmotivin e liberalizimit të vizave, Le ta marrë vesh gjithë Evropa, jemi kombi më i vjetër, nga po ai komunitet artistësh që i kënduan me aq patos LANÇ-it, Partisë, Korridorit VIII, dhe tani së fundmi, raportit për çeljen e negociatave me BE-në.

Apo vetë unë, teksa, nën diell në sheshin që shërben stacion autobusësh dëgjoj të dalë me furi dhe motive tallavaje prej boksit të karrocës së Vekes, shitësit të kompakteve që e njohin të gjithë në Korçë, Ti qeke shum e trashë. E gjithë kjo dhjetë minuta para se të marr një nga këto autobuza për t’u kthyer në Tiranë.

Autobuzët dhe furgonët që lidhin krahinat e atdheut shpesh rezonojnë si guida të prodhimit shpirtëror të zonave nga kalojnë. Apo gjëndjen e një shoqërie–atë që në frëngjisht quhet état des lieux.

Janë dhe shprehje të udhëtimit me buxhet dhe shtresëzimit shoqëror që sjell kjo. Kur je në Pogradec apo Korçë, ka më shumë shanse të dëgjosh Eli Farën dhe vëllezërit Endri & Stefi. Kur afrohesh drejt Elbasanit, një algoritëm misterioz sjell në repertor Sinan Hoxhën. Shpesh, autobuzët që venë në Greqi ndërrojnë avaz me kalimin e kufirit–shqip këtu e greqisht atje, Çamëri këtu e integrim emigrantësh atje. Kalimi nëpër luginat e ashpra të jugut të vendit i hap rrugë ooo-së polifonike dhe nëpërmjet atyre veriore çuk-çuk-çukut të çiftelisë. Shpesh, sipër u rri Top Albania Radio.

Arësyet që nuk të pëlqen një muzikë mund të jenë gjithëfarësojësh. Mund të jetë shije e dhënë nga mosha, nga cili vend vjen, apo nga kultura muzikore, thotë Mikaela Minga, muzikologe në Institutin e Studimeve Antropologjike në Tiranë. Mund të jetë përsëritja e vazhdueshme, që ta bën bozë. Dhe kush dëgjon Noizyn do e zërë gjumi duke dëgjuar një muzikanti xhezi bashkëkohor të tipit Pat Metheny, dhe ai i dhëni pas Methenyt nuk do kërcejë Matilda Shaqirin.

Megjithatë, numri i atyre të cilëve t’u ketë ndodhur  të paktën një herë në jetën e vet që truri t’u jetë kthyer në një nënstacion elektrik të bërë blozë nga një qark i shkurtër, tamam për shkak të muzikës së autobuzit, është mjaft i madh për tu anashkaluar. Unë vetë kam folur me mbi një duzinë njerëz për këtë dhe të gjithë kishin përjetuar momente të tilla. Dhe, seriozisht tani, çfarë borxhi i ka ajo e shkreta që i paguan biletën shoferit, dhe ky e mban të mbyllur tre orë rresht brenda kafazit me të cilin shëtit muzikë të padurueshme. Hajde me mua ore qeflio / hiqi ti rrobat amore mio të Merita Likës, për shembull (mos ma bëj me dore / është gjyshja në oborr). Në këto zonat përqark–dhe kjo duket të jetë punë shqiptarësh–është haraç që duhet të paguash nëse merr transport publik për të vajtur në Gjirokastër, Shkodër, Mitrovicë apo Tetovë.

“Nuk do ta quaja muzikë bezdisëse,” thotë Minga. “Do ta quaja një formë të parapëlqyer për konsumatorët. Ty mund të mos të pëlqejë por të tjerët e pëlqejnë, për shoferin mund të jetë mënyrë për të mos e zënë gjumi.”

Holta Shupo, pedagoge e teorisë së komunikimit në Universitetin e Tiranës, thotë se problemi nuk vjen nga lloji i muzikës, por nga imponimi i saj. Kur je në një autobuz apo mikrobuz, praktikisht ti ndan hapësirën me të tjerë, spjegon ajo. Por ti imponohesh me muzikën tënde. Pastaj, shton ajo, “dëgjimi në bashkësi është edhe imponim statusi. Ka një tendencë identifikimi statusi sipas muzikës që dëgjon.”

Rizvanolli bën sherr me shoferët për këtë punë. “Ata, konduktorët dhe shoferët, e bëjnë të vetën, pa pikë konsiderate. Sikur të kenë farë levërdie.” I thonë që nuk shihet dot qejfi individual i çdo udhëtari. Thanas Shano, një muzikant 68-vjeçar në pension që e merr shpesh autobuzin, thotë se njerëzit e duan muzikën në sfond. “Një herë, shoferi kishte harruar pa e vënë muzikën, dhe kur e ve, i thanë pasagjerët, ‘shyqyr që e vure se mbetëm shurdh.’”

Nuk është vetëm muzika po edhe videoja që prodhohet për këngë të tilla, thotë Rizvanolli. Pamje e bëjnë të mendojë “që këtë program e prodhon nji armatë njerëzish.

“Jo vetëm autorët e këngës, po edhe producentët e videos, personat që vallëzojnë, u bijnë instrumenteve, dhe kush e di sa e sa të tjerë. Një industri e mirëfilltë.”

Industria fillon me një studio me tastierë elektronike dhe kompjuter, një person para mikrofoni që i rreshton fjalitë si batare armësh jashtë kontrolli. Vazhdon tek boksi i shitësit të cd-ve rrugëve të qytetit, por tani, më shumë se kurrë me çelës usb-je. “Nga ata e marrim ne, nga çunat e internetit,” më thotë, në parafund të zinxhirit ushqimor, një shofer rreth të pesëdhjetave në stacionin e autobuzëve të juglindjes në Qytetin Studenti.

Janë materiale të dobëta, vetëm kompjuter apo tastierë elektronike, pa sens professional, shprehet Minga, muzikologia. Ankohen njerëzit për tallavatë, shton ajo, por të qëllon të dëgjosh në autobuz këngë që s’ua dinë as kuptimin, apo që kanë mesazh kontrovers. “Kënga e Sabianit, për shembull.” Kënga vazhdon kështu: Ti tullacin ke për krah/Un kam flok edhe para/Kam para, kam para/Kam dhe uniksat në krah. “Ka elementin e kallashit, të një femre që kërcen në tub. Ka një sërë elementesh që e bëjnë problematike. Ekspozojnë luksin, pasurimin e shpejtë. Çështja është kush arrin ti kuptojë dhe ti përqaset.” Uniksat qenkan një dorë të fortësh të cilët, në ato pak raste kur s’kanë aktivitet të dendur shpirtëror, si në rastin konkret, bëjnë ushtrime me gira.

“Dhe muzika është përdorur për torturë,” thotë Minga.

Eh, përdorimi i muzikës si torturë është relativisht i hershëm, që nga shpikja e manjetofonit, radios dhe altoparlantit–përdorur (nëse do i besojmë Wikipedias) nga CIA, KGB-ja, ushtria amerikane në Irak, organet hetimore izraelite, dhe nga hetuesit ushtarakë grekë gjatë diktaturës në atë vend. Është shkruar për megafonin e tmerrshëm të festivaleve në oborret e burgjeve politike të diktaturës në Shqipëri. Dëgjimi i saj për kohë të gjatë të lë pasoja në shëndet dhe në tru. “Nuk është më e njëjta situatë,” thotë Minga. “Por ndotja akustike ndikon tek dëgjimi dhe sjellja. Të rinjtë i bën më agresivë.”

Shofer!!

Ato kohë që vizitonte Kosovën vjet, Rizvanolli mori një furgon nga Podgorica për në Sarajevë. “Udhëtimi ishte nja tetë orë, në një kombi të madh me nja njëzet udhëtarë.

“Muzikë kishte, por ishte zëri aq i ulët dhe jobezdisës, sa që ndodhi një herë të jetë një këngë e vjetër serbe që më pëlqen fort dhe u mata ta lus shoferin t’ia ngrisë zërin radios, se memzi që ndihej muzika. Por nuk i thashë, se isha duke lexuar dhe nuk dihej se a do të më pëlqente edhe kënga që vinte pas kësaj.

“Çfarë kontrasti!”

Muzika me volum të lartë na dallon. Është çështje muzike apo çështje volumi? Thanas Shano nuk e do muzikën muzikën e furgonave as të keqe e as të ulërasë.

Ai tregon se si një herë, kur ishte në autobuz me gruan, bokset buçisnin. “Unë jam dhe i moshuar nuk dëgjoj shumë mirë tani,” më tregon. “I them gruas, ‘Ktheje nga unë autoparlantin, se nuk të mar vesh çfarë thua.’”

“Na pëlqen volumi i lartë, kuptohet nga tendenca që kemi për të bërtitur,” thotë Minga: “Por nuk dëgjohet (muzika) me volum kaq të lartë (gjithandej).”

Furgoni që më çon nga Korça në Tiranë, me atë jeshilen si çati teqeje e zhytur në ujë dhe me tufën e hudhrave që i tundet shoferit mbi kokë, po jep për herë të pestë, me volum kacafiu, Kam ndezur një cigare që ka shije Lazarati/Për një vajzë nga Lazarati jam ndezur si vullkani. Konteksti më çon në mëdyshje prej Hamleti: T’i ulëras?

Vë kufjet.

* Titulli i një kënge të parapëlqyer në stacionin e urbaneve në Korçë

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter