Tirana Parking në 3 vite “zaptoi” më shumë se 70% të parkimeve publike të kryeqytetit

Autor: Brejdon Xhavara

Nëse ke një takim punë, një kafe për të pirë në kryeqytet, apo të bësh një blerje në dyqane, mendimi i parë që të vjen është se ku duhet të parkosh makinën. Je me fat nëse arrin të gjesh një vend publik falas për të parkuar, ose do të detyrohesh të paguash për një shërbim publik tek privatët ose në parkinget publike me pagesë që Bashkia Tiranë disponon.

Territori i Bashkisë Tiranë është duke u zhvilluar çdo ditë, me qindra metra katror ndërtohet në kryeqytet duke e kthyer trafikun dhe parkingun në një makth për çdo shofer. Sipas statistikave të grumbulluara tregojnë se vetëm 1% e makinave në Tiranë mund të gjejnë një vend parkingu publik falas.

Tirana është qyteti me trafikun më të rënduar në Shqipëri, çdo ditë qarkullojnë rreth 120 mijë automjete. Në kryeqytet janë 5385 vendparkime të ndara në 3908 vende parkime me pagesë dhe 1430 vende parkime të lira pa pagesë. Këto vende parkimi janë të administruara nga Tirana Parking një kompani e cila është hapur në Nëntor të vitit 2015 me vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë dhe është në varësi të Bashkisë Tiranë.

Që prej vitit të parë kur u themelua kompania, numri i vendeve të parkingut të lirë publik filloi në rënie çdo vit, sepse menjëhërë vizat me ngjyrë të bardhë ku tregonin se aty mund të parkohej pa pagesë, u zëvendësuan me vizat ngjyrë blu ku tashmë drejtuesit e makinave duhej të paguanin një tarifë për çdo orë që qëndronin aty.

Sipas Vendimit Bashkiak Tiranë nr 49, i datës 11.11.2015 (VKB) kompania “Tirana Parking” ka në administrimin e saj 70% të vëndparkimeve publike me pagesë, ndersa 30% e vendeve të parkimeve duhet të të jëtë falas.

Zonat rezidenciale dhe mungesa e informacionit për qytetarët…

Në lagjet e kryeqytetit tashmë është vendosur një tabelë e re ku lexon zonë rezidenciale ku nuk mund të parkojë asnjë i cili nuk ka “pullën “ tek xhami i përparmë i makinës.

Parkimi rezidencial është një nga format ku qytetarët mund të parkojnë në lagjen e tyre falas vëtëm duke u pajisur me kartën e rezidentit, por tashmë edhe kjo mënyrë është kthyer në një shqëtësim për rezidentët. Gjobat e vendosura sipër xhamit të makinës u bënë të përditshme për lagjen “5 Maj” në kryeqytet, Ali Dedja tregoi se në pallatin e tij, policia bashkiake vjen 4 herë në ditë dhe vendos gjoba për makinët e parkuara aty poshtë,“Unë kam 5 vite që e parkoj makinën ngjitur pallatit tim, ka tre ditë që shikoj gjoba në makinë, por nuk arrij ta kuptoj, pyeta Policinë Bashkiake më tha që është zonë rezidenciale dhe duhet të marr kartë rezidenti”, thotë Dedja, për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.

 

Gerti Delli

Eksperti urbanist Gerti Delli tregon për ACQJ se parkimi publik është një nga problemet që po hasin banorët e shumë lagjeve në Tirane, sidomos në unazen e vogel te Tiranes.“Vendndodhjet e parkimit dhe të “tabelave” janë vendosur pa një plan të mirëfilltë për parkimin në Tiranë. Sot në kryeqytet nuk ka një plan të mirëfilltë të transportit në pergjithsi dhe të parkimit në veçanti. Duke mos pasur një planifikim, atëherë gjithmonë do të ketë probleme në menaxhimin e këtij sektori kaq të rëndësishme. Zgjidhjet me projekte pilote dhe me harta me 4 ngjyra ( duke u bazuar në Tirana parking për rezidentët) nuk ka sjellur zgjidhje të problemit por agravim të këtij problem”,shpjegon Delli.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore kërkoi nga Bashkia Tiranë informacion sesa vendparkime publike tashmë janë kthyer në parkime rezidenciale, Bashkia Tiranë, përmes një shkresë zyrtare tha se janë 5841 vende parkimi të ndara në katër zona të cilësuara si (ZAP1, ZAP2, ZAP3, ZAP4)

ACQJ përmes një letre zyrtare kërkoi nga Tirana Parking se “Si duhet të jetë infrastruktura e e parkingut në Tiranë që qytetarët të kenë mundësi për të parkuar falas?

Tirana Parking tregon se: Parkimi falas për qyterët në rrugët që Tirana Parking administron është menduar në dy forma:

Parkim falas pas përfundimit të fashës orare (08:00-20:00)  për të gjithë automjetet; Parkim falas për rezidentët e zonave të përcaktuara me Vendim Këshilli Bashkiak. Qytetarët e Tiranës aktualisht mund të parkojnë falas në 4 Zona Parkimi pa Pagesë, Zona këto të përcaktuara me anë të Vendimit Bashkiak. Sic e shpjeguam dhe më lart, parkimi në këto zona bëhet i mundur me anë të pajisjes së qytetarit me Kartë Rezidenti.

Sipas ekspertit Delli, vetëm katër zona për të parkuar nuk është zgjidhje”Iniciativa që parkimin falas për rezidentët është një qasje positive por nuk mjafton vetëm 4 njolla dhe zgjidhet problemi në këtë sektor. Planifikimi në bazë të popullsisë se çdo lagjeje do nevojen për do të sillte një statistikë që do të ishte e rëndësishme për planifikimin e vendeve për parkimin. Kaosi në këtë sektor ka sjell probleme me “okupimin e makinës “në hapësirat publike që mund të jenë parqe, trotuare apo lulishte”, shton ai.

Çfarë po ndodh me parkimin publik falas ?

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore intervistoi një tjetër ekspert urbanist Kedis Burrja, ai tregoi se problemi me parkimin filloi sapo nisën ndërtimet e kullave dhjetra metrorshe. Bashkë me to u shtua dhe problemi i hapësirave të paparashikuara të parkimit në plane dhe projekte. ”Aktualisht në Tiranë problemi i parkimeve po rritet gradualisht në dy zona: ajo qendrore e qytetit (pak a shumë brenda unazës) dhe ajo në zonën periferike (zonat e zgjerimit të qytetit përtej unazës). Në zonën qendrore të qytetit që gjatë viteve ’90, parkimi ka qenë problem më shumë i organizimit sesa i sasisë së hapësirës”, thotë Burrja.

Kedis Burrja

Me evoluimin e qytetit, ndërtimëve dhe zënien e hapësirë publike, Tirana tashmë është e mbipopulluar, rrugëve kryesore  si “Myslym Shyri”, “Bulevardi Zogu i Parë”, “Rruga Bardhyl” zonat si “Komuna e Parisit” , “Stacioni i Trenit”, “Rruga e Dibrës”, “Rruga e Kavajës”, “Rruga e Durrësit”, “Mine Peza” etj, është hequr parkingu i makinave dhe disa nga rrugat janë kthyer në korsi biçiklete duke shkaktuar jo pak shetësim të shoqërive të ndryshme si taksi apo dhe biznese.

Eksperti urbanist tregon më tej “Shumë prej problemeve të vjetra u përshkallëzuan deri në pikën që humbën brenda problemeve të freskëta që u shkaktuan nga akomodimi i këtyre strukturave të reja gjigande të ndërtimit. Shërbime të vjetra të tilla si sheshet e blloqeve dhe lagjeve të banimit, mundësia e qarkullimit me biçikleta, transporti publik, hapësirat për shërbimet e emergjencave, sheshpushimet, lulishtet, trotuaret, etj., u zbehën gradualisht nga kërkesat e këtyre objekteve jashtë shkalle. Duke qenë të papërputhshme me qytetet tona për shkak të historisë, kulturës, materialeve të ndërtimit, terrenit dhe nevojave, përshtatja e tyre zhvendosi rrugët kryesore, ndryshoi infrastrukturën mbi e nëntokësore, e rrudhi hapësirën dhe transformoi funksionet e saj të cilat ndikuan që nga rënia e mirëqenies së jetesës së qytetit e deri te tëhuajsimi i kulturës, historisë dhe stilit të jetesës vendore; largimet e vazhduara masive të popullatës janë prova e këtyre fenomeneve në kohë”.

Tirana Parking, mbi 318 mln lekë fitime nga parkimet në 2020

Që prej vitit 2015 kur Tirana Parking është themeluar ajo ka rritur të fitojë nga pagesat që qytetarët kanë bërë përmes një mesazhi në telefon të ndara në tre zona (Zona A 100 lekë, Zona B 40 lekë dhe Zona C 20 lekë).ë Tirana Parking nga viti i parë i punës deri në 2020 ka  dyfishim të ardhurash, ndërsa periudha më e mirë është viti 2019 ku kanë arritur të fitojnë rreth 469 milion lekë.

2016 181.453.063 lekë
2017 335.846.126 lekë
2018 454.788.832 lekë
2019 469.401.688 lekë
Janar-Tetor 2020 318.325.387lekë

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore pyeti Tirana Parking kush cilat janë problemet dhe si mund të zgjidhet çështja e parkimit?

Sipas Tirana Parking problemi kryesor për qytetarët mbetet mungesa e informacionit pëe parkimin pa pagesë. “Ka ende shumë qytetarë të cilët nuk janë të informuar në mënyrën se si është organizuar shërbimi i parkimit në qytet, por dhe nga të tjerë të cilët dhe pse janë në dijeni, nuk dëshirojnë të respektojnë rregullat e parkimit”. Problemet më të theksuara dhe të përsëritura nga qytetarët janë:Kërkesa për ofrimin e një mënyre alternative të pagesës së shërbimit të parkimit në rrugë, pajisja me më shumë se një Pullë Rezidenti për familje, pasi sipas rregullores së brendshme të institucionit nuk lejohet të pajiset me këtë Kartë më shumë se një anëtar familjeje. Kërkesa për pajisje me Pullë Rezidenti për mjetet e biznesit, kërkesat dhe ankesat e qytetarëve Tirana Parking përpiqet t’i analizojë dhe të studiojë politikat për përmirësimin e shërbimeve dhe të përzgjedhë alternativat sa më efikase, në mënyrë që të lehtësojë mundësinë e parkimit në Tiranë”, thekson Tirana Parking në përgjigjen për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Ankesat e qytetarëve të Tiranës, janë ende më të larta, parkime të paplanfikuara gjenden kudo në Tiranë, mjafton të vëzhgoni rrugët e kryeqytetit dhe do të shikoni sesi në rrugët kryesore janë vendosur vijëzime të bardha dhe blu duke ngushtuar karrexhatën dhe duke u bërë shkak për aksidentet, e tillë është rruga “Besim Alla” zona e Misto Mames ku para 3 muajsh situata ishte kjo dhe sot situata është kjo, duke rrezikuar dhe jetën e qytetarëve.

A ka Tirana infrastrukturë për zgjerimin e shesheve të parkimit?

Eksperti Kedis Burrja, e sheh të vështirë shtimin e hapësirave të parkimit, në një qytet që po orientohet në ngushtimin e hapësirave publike, përmes ndërtimit të kullave: “Në këtë rend të ri problemesh ku dominojnë ato të kullave dhjetëra-katëshe, si zgjidhje implementohet vazhdimisht prodhimi i kullave të tjera dhjetëra-katëshe. Është e kuptueshme se ku përfundon kjo rrugë akumulimi progresiv problemesh me mungesë zgjidhjesh. Nga ana tjetër në zonat periferike të qytetit ndodh një fenomen tjetër. Problemet e parkimit ndryshojnë shumë nga zona në zonë, por ka zona ku parkimin nuk e kanë problem aspak. Kjo nuk është për shkak të zgjidhjeve të mira por është për shkak të zhvillimit të krijuar atje në mungesë të madhe ose të plotë të shërbimeve publike në përgjithësi. Ndërkohë mes tyre ka zona të tjera të zhvilluara rishtazi ose ende në zhvillim që vuajnë kryesisht nga mungesa e planifikimit”.

Për ekspertin Gerti Delli, problemi kryesor është okupimi i hapësirave publike për parkimin e automjeteve. “Duke mos bërë një analizë të thelluar të këtij sektori, atëherë dhe zgjidhjet do të jenë me projekte pilot që do të hapin akoma më shumë probleme siç ka ndodhur. Mbylljet e korsive të parkimit në rrugët kryesore ka sjell që fluksi të shkojë në lagjet dhe sidomos jaë okupuar hapësirat publike dhe trotuarët. Po të vërejmë me kujdes në çdo lagje ka makina në trotuar, gjë që ka sjell probleme të mëdha për banorët e lagjes dhe më tej”.

Eksperti Delli, mendon se zgjidhja duhet të jetë në nivel lagjeje. “Pjesmarrja e komunitetit është thelbësore për të kuptuar se kush janë interesat e të gjithë aktoreve që bëjnë pjesë në zonë. Parkimi është kthyer në stres si për personat që kanë 1 automjet dhe sidomos per banoret e lagjeve kur shohin makinat e parkuara kudo në hapësirat publike”, thekson ai.

Pallatet e ndërtuar që në kohën e komunizmit nuk kanë parking nëntokë dhe si e tillë, e gjithë rruga “Hoxha Tahsim” që prej vitit 2016 ka qënë rrugë ku mund të parkohej në krahun e djathtë duke i lënë mundësi makinave të tjerë që mos të bllokohej rruga, ndërsa sot  në këtë rrugë nuk mund të parkosh më, dhe krahu ku makinat parkonin, tashmë është kthyer në një pistë biçiklete, duke mos lejuar më ndalimin e makinave për të pushuar.

Për qytetarët që jetojnë në zonën e “Pazarit të ri” parkimi është një makth pasi pallatet që banojnë nuk kanë vënd për të parkuar. Luan Shima një banor i hershëm i Pazarit të Ri tregon se pallatet e ndërtuara këtu datojnë që prej vitit 1970 dhe nuk janë të ndërtuara me parkim nëntokësor. “Ne kemi 2 makina në familje, djali im kur vjen nga puna i duhet 30 min për të kërkuar për një vënd parkimi nëpër lagjet e afërta pasi tek pallati jonë nuk ka vënd, kurse unë e lëviz makinën një hërë në javë sepse kam frikë se mund të ma zejnë vendin po ta lëviz çdo ditë”, thotë ai.

Urbanisti Burrja, shpjegon se: “parkimi publik është shërbim publik. Si i tillë ai është i kushtueshëm dhe kostot bashkë me shpërndarjen e tij menaxhohen në mënyrë të përbashkët, me qëllim që t’i sigurohet qytetarëve në mënyrë sa ma të drejtë, pa dallime periferie apo qendre, pasurie apo rangu, duke iu përshtatur nevojave të kohës dhe stilit të jetesës për shërbimin e parkimit. Parkimi privat nga ana tjetër është po ashtu shërbim publik, por ai është gjithnjë i profilizuar nevojave dhe mundësive të pronarit që e ofron dhe konsumatorëve. Sa më i mirë të jetë planifikimi, projektimi, teknologjia dhe materialet e infrastrukturës së parkimit publik aq më e lartë do të jetë cilësia e shërbimit”.

Ai mendon se menaxhimi i parkimit nga Bashkia Tiranë ka dështuar. “Në rastin konkret të Tiranës të katër këto karakteristika lënë për të dëshiruar. Arsyet nuk lidhen me kapacitetet dhe mundësitë, se sa lidhen me drejtimet e menaxhimit. Rezultati konkret i menaxhimit të sotëm është përjetimi i përditshëm i problemeve të larmishme me parkimin, të cilat nga përvoja i ngjajnë përherë e më shumë torturave”.

Gjobat “e majme” të Policisë Bashkiake, në 2018 mbi 100 milionë të ardhura …

Të parkosh në Tiranë sjell dhe probleme të tjera, shumë e shpeshtë është masat administrative që policia Bashkiake vendos kur automjeti është parkuar në rrugë kundër tabelës të qarkullimit rrugor.Sipas të dhënave zyrtare që iu vunë në dispozicion nga Bashkia Tiranë, ACQJ-së, Policia Bashkiake ka arritur të mbledhë një shifër të lartë të ardhurash nga 2017-2020 nga gjobat për drejtuesit e mjeteve . Viti më i artë për Policinë Bashkiake është viti 2018 ku ka arritur të mbledhë nga “gjobat” më shumë se 100 milione lëkë dhe viti më i ulët është viti 2017 me rreth 53 milionë lekë.

2017 53.218.000 lekë
2018 102.283.000 lekë
2019 88.542.000 lekë
Janar-Tetor 2020 67.986.000 lekë

Të ardhurat e mbledhura nga vendet e parkimit publik me lekë dhe masat administrative shkojnë për buxhetin e Bashkisë Tiranë nën një moto të vetme “Kjo pagesë shkon për gjelbërimin e qytetit”, por janë të shumta akuzat që ngrihen nga Ambientalistët  për gjelbërimin e qytetit, madje në zhvillimet e fundit të territorit Bashkia Tiranë i ka hapur rrugë ndërtimeve të ndërtesave të larta me shumë kate duke zvogëluar akomë më shumë hapësirën e gjelbër.

Që kur Erion Veliaj mori drejtimin e qytetit, një nga premtimet ishte dhe organizimi i hapësirës publike për parkimin, me hapjen e terminaleve për autobusat e Jugut dhe të Veriut ky ishte dhe investimi i fundit nga Bashkia Tiranë.Që prej v itit 2015 e deri më sot bashkia ka vendosur korsi biçiklete si një mënyrë më e mirë për të mbrojtur mjedisin nga tymrat e çliruara nga makinat dhe nga ana tjetër ka ngushtuar hapësirën e rrugëve kryesore në Tiranë, duke mos lejuar asnjë mundësi zhvillimi infrastrukturore për të parkuar.

Burrja, tregon se problemet që duhet zgjidhur për të gëzuar shërbimin publik të parkimit kanë karakter menaxherial dhe politik, më tej ai thotë se:”Pjesa teknike e tyre është lehtë e riparueshme nëse rregullohen këto dy të parat. Një aspekt kyç që i lidh të dyja mendoj se ka të bëjë me përdorimin e shembujve të gabuar referencë për zhvillimin. Shpesh, duke përfituar nga kompleksi i inferioritetit të kultivuar prej dekadash në popullin tonë, për një zhvillim të ri të kërkuar reklamohen enkas modele të caktuara me arsyetimin për sy e faqe se jenë praktikat më të përparuara të botës. Ndoshta diku në botë vërtet mund të përdoren dhe funksionojnë, por ato që anashkalohen në këtë qasje janë dy gjëra kryesore: 1)kushtet në të cilat zhvillohen praktikat dhe 2)qëllimi për të cilin kërkohet zhvillimi.

Edhe pse problemet janë të dukshme për sytë e qytetarëve në Tiranë, ekspertët faktuan problemet disa vjeçare të parkimit në Tiranë, ndërsa Bashkia Tiranë dhe Tirana Parking deklaruan se “ka ende shumë qytetarë të cilët nuk janë të informuar në mënyrën se si është organizuar shërbimi i parkimit në qytet, por dhe nga të tjerë të cilët dhe pse janë në dijeni, nuk dëshirojnë të respektojnë rregullat e parkimit”. Vëzhgimi i ACQJ nxorri në pah se Tirana Parking përgjatë 3 viteve “zaptoi” më shumë se 70% të parkimeve publike dhe se 1430 vende publike falas u zëvendësuan nga “Parkimi Rezidencial” duke i lenë qytetarët pa zgjedhje duke harxhuar më shumë para për parkim dhe gjoba.

 

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter