Trafik nga betonieret. Kryeqyteti shqiptar vetëm me dy rrugë që kanë korsi emergjence. Në Tiranë 400 mijë gjoba, por qarkullimi është në kaos

Pak përpara mesnatës së 20 qershorit 2008, ish prefekti i Vlorës Xhevahir Rexhepi e mbylli udhëtimin e tij të fundit në jetë duke u përplasur për vdekje me një kamion. Ish zyrtari po nxitonte duke drejtuar mjetin privat për të qëndruar me familjen, dhe sipas ekspertëve, viktima nuk pati kohë të reflektojë mbi tabelat që sinjalizonin një ecje të kujdesshme për shkak të punimeve. Sipas policisë, mjeti i prefektit po kalonte me drejtimin nga mbikalimi i kthesës së Kamzës, me destinacion Tiranën. Mjeti me targa bullgare gjendej i parkuar në anë të rrugës dhe mjeti i prefektit pa mundur të manovronte u përplas me të në pjesën e pasme. Sipas hetuesve në vendin e ngjarjes, rruga për shkak të punimeve ka qenë me asfalt të përshkallëzuar, ç’ka ka bërë që automjeti i drejtuar nga ish prefekti Rexhepi të humbasë kontrollin.

Aksidenti që i mori jetën 50 vjeçarit u kthye në një kazus hetimor, megjithëse në përfundim nuk konkludoi me një rezultat mbi aksin kryesor që ishte i mbushur me tabela paralajmëruese dhe aspak efektive. Por ky nuk është një rast i izoluar i një aksidenti trafiku në Tiranë. Qindra qytetarë aksidentohen në vit në rrugët e kryeqytetit dhe dhjetra prej tyre humbasin jetën, me një trend që ka futur si më të rrezikuarit këmbësorët të cilët përplasen jo vetëm për shkak të mos kujdesit por edhe rrëmujës së semaforëve, si dhe çiklistëve.

Popullsia e Tiranës, bashkë me rrethinat llogaritet të jetë mbi 850 mijë banorë me një rritje të vazhdueshme çdo vit. Që prej zgjerimit të kryeqytetit volumi i trafikut është rritur gjithmonë e më shumë. Në ditët me shi, kur qytetarët priren më shumë të përdorin automjetet, qarkullimi në Tiranë bëhet shpesh i pamundur dhe i padepërtueshëm.

Në një ditë feste

Është data 25 prill dhe është pushim zyrtar prej Pashkës ortodokse. Qarkullimi në rrugë është i përgjumur dhe pa makinë në rrugë. Janë të rralla ditët kur harta që tregon lëvizjen e trafikut në Tiranë është kryesisht e gjelbër. Në të shumtën e rasteve harta është e kuqe, madje e kuqe e theksuar. E gjelbra në hartën e Google Maps tregon se ka pak trafik teksa e kuqja tregon një trafik të grumbulluar në rrugë.

Në ditë normale, kryesisht në mëngjes nga ora 9:00 dhe në pasdite nga ora 17:00, harta e trafikut në Tiranë është e kuqe që tregon për një trafik të vazhdueshëm.

Trafiku tek Rruga e Elbasanit

Rruga e Elbasanit është një nga rrugët me më shumë trafik në Tiranë. Në një mëngjes si ky, ku ora ka kaluar 10:00 dhe presupozohej që trafiku të ishte lehtësuar, në fakt trafiku është jo i paktët.

Nga një vëzhgim i Sinjalizo, për të shkuar përshembull nga Qendra tek Fabrika e Birrës me autobusin e Kombinatit të duhen rreth 30 minuta.

Një nga oraret me trafik në Tiranë

Trafiku i rënduar është shqetësim për çdo tre në pesë kryeqytetas

Një sondazh i fundit i Euronews Albania tregoi se trafiku në Tiranë ishte shqetësim për 60% të qytetarëve të pyetur ose për çdo tre në pesë të anketuar.

Kjo problematikë vinte fill pas asaj më të madhes për banorët e kryeqytetit që ishte kostoja e jetesës.

Maksi Hoxha është taksist në zonën e rrugës së Elbasanit. Ai thotë për Sinjalizo se situata me trafikun e ka lodhur dhe se i ndikon drejtpërdrejt në biznesin e tij privat.

“Ka goxha trafik. Blloku përshembull ka shumë trafik. Sepse rinia del, prandaj. Zogu i Zi, hyrja e Don Boskos, rruga Bardhyl, rruga e Elbasanit janë problematike. Është keq sepse semaforët janë të kurdisur keq. Kanë përparësi këmbësorët. Pastaj mos të flasim për karburantin, që harxhohet më shumë. Më sjell shpenzim më të madh makina”, tregon Maksi për Sinjalizo.

Polic rrugor duke vënë gjoba në Sauk

Të dhënat tregojnë se në Tiranë janë vendosur mbi 400 mijë gjoba vetëm vitin 2021, një numër ky i lartë nëse marrim në krahasim edhe numrin e banorëve në kryeqytet.

Mjetet e rënda vazhdojnë të qarkullojnë në qytet

Bashkia e Tiranës i ndryshoi në fillim të këtij viti disa udhëzime për lëvizjet e mjeteve të tonazhit të rëndë, si dhe të qarkullimit të mjeteve të transportit të mallrave në kryeqytet.

Këto masa, të ndërmarra për rregullimin e qarkullimit te mjeteve dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve duket se nuk kanë funksionuar në një masë të plotë pasi në vëzhgimin në terren të Sinjalizo, vërehen disa automjete të rënda duke kaluar në rrugët e brendshme të kryeqytetit e kësisoj duke kontribuar në mënyrë direkte në volumin e trafikut.

 

Makina të rënda të ndërtimit duke qarkulluar nëpër Tiranë
Makinë e tonazhit të rëndë duke kaluar tek Barrikadat
Betoniere duke kaluar tek 21 Dhjetori

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 në qarkun e Tiranës janë dhënë 366 leje ndërtimi, shumica prej tyre normalisht në kryeqytet. Siç vihet re nga monitorimi i trafikut, ka një ngarkesë më të madhe të volumit të trafikut pranë këtyre ndërtimeve ku qarkullojnë automjete të ndryshme të shpërndarjes së materialeve të ndërtimit, por jo vetëm.

A është ulur trafiku pas masave të marra nga bashkia?

Në fillim të këtij viti, Bashkia e Tiranës mori disa masa në përpjekje për të ulur volumin e trafikut në kryeqytet.

Nga ora 7:00 deri në 9:00 të mëngjesit janë ndaluar automjetet për transport të mallrave, për të shmangur trafikun në kryeqytet. Ndërkaq nga ora 9:00 deri në 20:00 janë ndaluar të jenë në qarkullim mjetet e rënda të ndërtimit, të tilla si betonieret.

Sipas policisë rrugore në Tiranë, trafiku është reduktuar diku me 40%, pas ndalimit të betonierëve dhe kamionëve gjatë orëve të ditës dhe mjeteve të transportit të mallrave.

Gerhard Baka, specialisti i menaxhimit të trafikut urban në policinë rrugore tha për Sinjalizo se lehtësimi nga trafiku pas masave është i dukshëm me gjithë problematikat që mund të ketë.

“Vërehet një lloj lehtësimi i trafikut. Mund të themi deri në masën 30%. Përjashtim bëjnë për shembull rastet ku ka ende punime si rasti i Unazës ku është vendosur edhe sinjalistika përkatëse”, tha ai.

I pyetur për rastin e rrugës së Durrësit që është kthyer me një sens lëvizje, Baka tha se ajo është një rrugë hyrëse dhe se me përjashtimin e parkimeve të gabuara, ky aks e kryen funksionin e domosdoshëm.

Fatmir Hasho, ekspert rrugor, nga ana tjetër thotë për Sinjalizo se trafiku mbetet një problematikë në kryqeytet.

“Nuk shoh ndonjë përmirësim të dukshëm. Kështu mendoj. Vërtetë bashkia ka ndaluar qarkullimin e mjeteve të rënda, por ka shtuar korsitë e biçikletave dhe ka rralluar vendet e parkimit që shtojnë volumin e trafikut. Për mendimin tim për shembull kthimi i rrugës së Durrësit me një sens lëvizje është një dështim. Ajo shton trafikun”, tha ai.

Eksperti rrugor Arben Luzi, thotë për Sinjalizo se duket se ka një rënie të lehtë të volumit të trafikut në kryeqytet. Megjithatë eksperti shton se trafiku vjen nga disa arsye.

“Është vënë re një tendencë ulje e trafikut në fakt në kryeqytet. Por për shembull rruga Dritan Hoxha ka çdo mëngjes një lëvizje të ngadaltë të trafikut, duhet pak kohë që të zbrazet në mëngjes e të kalosh. Ka në Tiranë semaforë që më shumë krijojnë amulli sesa rregullojnë punë. Për shembull ne kemi një gjë të keqe që vëmë një polic të rrijë aty në kryqëzim dhe që ja bën me dorë që “kalo ec shpejt”. Në fakt kjo nuk është as në Kod Rrugor. Sa i përket projekteve infrastrukturore që janë bërë për të lehtësuar trafikun si rasti i Sheshit Shqiponja, është ende në punim e sipër por kur të hapet sipas projektit besoj që do të ndihmojë trafikun”, thotë ai për Sinjalizo.

Një polic rrugor tek Kisha Ortodokse duke qëndruar në kryqëzim për të rregulluar trafikun

137 aksidente me 5 të vdekur në Tiranë në tre muajt e parë të vitit

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave për tre muajt e parë të vitit 2022, në Tiranë ka pasur 137 aksidente. Ndër to, 5 kanë qenë fatale me humbje jete.

Nëse shohim më në detaj të dhënat, numri i aksidenteve në Tiranë është edhe më i madh se numri i të gjithë aksidenteve në rang vendi të marra së bashku.

Megjithatë nëse krahasojmë periudhën Janar-Mars 2022 me të njëjtë periudhë të vitit të mëparshëm, vihet re një rënie e numrit të aksidenteve dhe fataliteteve.

Shpeshherë, burimi i aksidenteve janë vetë këmbësorët të cilët nuk zbatojnë rregullat e vendosura edhe për ta, si përshembull vijat e bardha.

I tillë është ky rast për shembull i një kalimtari i kapur nga kamera e monitorimit të trafikut e vendosur tek korpusi i ministrive.

Vijat e bardha janë ngjitur, por këmbësori zgjedh të ecë drejt për të kaluar rrugën e për të shkuar në drejtim të instalacionit “Reja”.

Ambulanca në trafik

Trafiku përveç të tjerave është një problem jo i vogël edhe për shërbimin e urgjencës, pra autoambulancat dhe shërbimin zjarrfikës.

Një shofer autoambulance në kryeqytet i quajtur Goni, i tha Sinjalizo se ka raste kur puna e tij bëhet e vështirë për shkak të transportit të rënduar.

Ka raste kur u themi që vijmë për 3 minuta për shembull në destinacion dhe jo vetëm që se kapim por mund të shkojmë edhe 10 minuta a më shumë me vonesë”, tregon Goni.

Megjithatë ai thotë se kohët e fundit ka pasur një lloj ndërgjegjësimi më të madh të shoferëve të mjeteve që ia lirojnë rrugën ambulancës dhe kjo sipas tij ka ardhur pas periudhës së pandemisë ku qarkullimi i autoambulancave në kryeqytet ishte më i madh.

Pra shpeshherë kalimi i autoambulancave nga turma e trafikut mbetet në ndërgjegjjen e shoferëve.

Ambulancë në qarkullim tek rrethrrotullimi i Saukut

Rruga “Dritan Hoxha” dhe “Rruga e Durrësit”, janë të vetmet në Tiranë që kanë një korsi emergjence.