Trajtimi i shëndetit mendor në fundin e listës së prioriteteve. Të burgosurit e mbetur pa trajtimin dhe ambientet e duhura

Autorë: Dallandyshe Xhaferri dhe Melissa Ellin

Për dekada, Shqipëria ka dërguar të dënuarit e saj me sëmundje mendore në burgun famëkeq të Zaharisë, një institucion me fokus të vetëm në ofrimin e terapisë dhe trajtimit. Megjithatë, burgu – dikur i përshkruar si “ferr në tokë” nga media dhe OJQ-të shqiptare të të drejtave të njeriut – mbylli dyert e tij në nëntor 2021.

Pacientët e Zaharisë kanë qenë vazhdimisht të rrahur dhe dhunuan nga rojet e burgut dhe janë detyruan shpeshherë të ushqehen me ushqim të mbajtur në çanta, thanë të afërm të një ish të burgosuri në këtë institucion. Burgu, thanë ata, ishte i mbipopulluar, i ndyrë, i mbushur me myk, minj dhe buburreca.

“Askush nuk u kujdes për mirëqenien e tyre,” tha familja e “E.Q.”, I cili shërbeu 10 muaj në Zahari për dhunë në familje dhe u lirua para mbylljes së tij. Familja ka kërkuar që të mos përdorim emrin e vërtetë të E.Q.

Një çështje kritike për Zaharinë ishte numri i kufizuar i personelit mjekësor, për të cilin anëtarët e familjes thonë se nuk ishte i mjaftueshëm për të ofruar shërbime adekuate për më shumë se 300 pacientë brenda institucionit. Në vitin 2019, në Zahari punonin dy psikiatër dhe dy mjekë dhe shërbimi farmaceutik ishte i hapur vetëm një ditë në javë.

Ardita Kolmarku, Juriste/Menaxhere Projektesh në Komitetin Shqiptar të Helsinkit

“Në këtë institucion janë vërejtur edhe raste ekstreme të 12 personave me probleme të shëndetit mendor që qëndronin në të njëjtën qeli,” tha Ardita Kolmarku, avokate në Komitetin Shqiptar të Helsinkit, një OJQ që hetoi Zaharinë. “Këta qytetarë ankoheshin për mungesë oksigjeni.”

Ministria e Drejtësisë shprehet se mungesa e shpenzimeve qeveritare kontribuoi në problemet në Zahari.

Kur qeveria mbylli Zaharinë, ajo transferoi 319 të burgosur në godinat katër dhe pesë brenda IEVP Shen Koll në afërsi të Lezhës, rinovuar me një kosto prej 97 milionë lekësh. Familjet dhe avokatët kishin shpresuar se masa do të përmirësonte kushtet për të burgosurit, por kjo nuk ka ndodhur.

Burgu i Shën Kollit, ndërtesë e re, probleme të njëjta

Deri më tani, Shen Kolli nuk ka arritur të krijojë një strukturë unike për administrimin dhe trajtimin e të burgosurve të sëmurë mendorë, tha një zyrtar i lartë qeveritar dhe avokatë.

I mbipopulluar dhe pa vende ku të dënuarit mund të shoqërohen me njëri-tjetrin, ky burg nuk ndihmon në përmirësimin e shëndetit mendor të të burgosurve.

“Ata janë gjithmonë nervozë dhe nuk angazhohen në asnjë aktivitet, janë të dhunshëm dhe fakti që shoqërizimi i tyre nuk inkurajohet është një problem i madh,” tha L.M, një oficer policie në burgun e Zaharisë, i cili ofroi vlerësimin e tij, por kërkoi anonimitet.

Avokati i Popullit thotë se burgu është i mbipopulluar dhe nuk ka staf të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e popullatës, duke shtuar se gjendja do të mbetet e tillë derisa të finalizohet një plan i ri për trajtimin e të burgosurve me sëmundje mendore.

“Të punosh me ta [të burgosurit e sëmurë mendorë në Shen Koll] është e tmerrshme,” tha L.M. “Ata kanë nevojë për mjekë, jo polici.”

Stafi aktual në Shen Koll përfshin vetëm dy psikiatër, dy psikologë dhe gjashtë punonjës socialë.

Arjana Rreli, Psikiatre

“Të dënuarit me probleme të shëndetit mendor duhet të grupohen dhe të trajtohen në institucione të veçanta që të kenë të paktën shërbime të specializuara psikiatrike, pra të ketë personel të specializuar për shëndetin mendor, të kenë trajnimin e duhur dhe të punojnë në grup.” tha psikiatrja Arjana Rreli, e cila shtoi se objekti duhet të ketë edhe staf infermieror të specializuar në këtë fushë si dhe terapistë për të ofruar asistencë maksimale.

Ndërsa dhomat e burgut të Shen Kollit janë të pajisura me tualete dhe shtretër për të gjithë të dënuarit, mbipopullimi mbetet problem me deri në tetë persona në të njëjtën dhomë. Disa nga dhomat nuk ofrojnë hapësirën e nevojshme gjashtë metra katror për person. Shumë nga problemet e burgut – duke përfshirë mbipopullimin – mund t’i atribuohen mungesës së fondeve të mjaftueshme.

Në Kroaci gjatë vitit 2019, qeveria shpenzoi rreth 55 euro në ditë për të burgosurit, sipas Statistikave Vjetore Penale të Këshillit të Evropës. Në vitin 2014, Greqia shpenzoi afërsisht 28 euro për të burgosurit në ditë, sipas një raporti nga Cilësia e Punësimit dhe Shërbimeve Publike Cilësore.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Shqipëri thotë se shpenzon 3189 lekë – rreth 26 euro – në ditë për personat e burgosur. Ajo nuk specifikon nëse ka një plan për shpenzime shtesë për të ofruar trajtim për të burgosurit me sëmundje mendore.

Një zgjidhje e mundshme

Aktualisht, në Shqipëri janë 426 të burgosur me probleme të shëndetit mendor në sistemin e burgjeve dhe 362 prej tyre kanë një vendim për “mjekim të detyrueshëm”.

“Shëndeti i tyre mendor e bën punën tonë shumë të vështirë,” tha L.M. “Ne nuk mund t’i trajtojmë ata si të burgosur të tjerë sepse janë të dhunshëm. Ata i marrin ilaçet e tyre çdo ditë, por ju nuk mund të flisni me ta.”

Rreli thotë se që këta të burgosur-pacientë të risocializohen dhe të riintegrohen në shoqërinë e gjerë, burgut i nevojitet një staf mjekësh të specializuar për këtë target grup.

“Njerëzit me probleme të shëndetit mendor janë një kontigjent vulnerabël, të cilët kërkojnë kushte të ndryshme për t’u trajtuar”, tha Rreli.

Për të ofruar kujdes për të burgosurit me sëmundje mendore, Rreli tha se qeveria duhet të caktojë një strukturë për trajtim. Ky institucion, ndryshe nga Zaharia apo Shen Kolli, nuk duhet të ishte burg. Përkundrazi, duhet të funksiononte si një institucion për rehabilitimin e shëndetit mendor.

Nëntorin e kaluar, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nënshkruan një marrëveshje që kërkon ngritjen e një “Institucioni të posaçëm mjekësor” të dedikuar për këtë detyrë. Ministria e Shëndetësisë tha se është duke hartuar një projekt propozim për ndërtimin e këtij institucioni në vitin 2023.

Institucioni i posaçëm do të ofrojë kujdes terapeutik për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor, sipas standardeve ndërkombëtare, domethënë do të ketë një staf profesional mjekësh dhe psikologësh së bashku me kushtet e nevojshme sanitare.

Qasja e SHBA ndaj problemit

Në Shtetet e Bashkuara, qeveria federale dhe ato shtetërore po përpiqen gjithashtu të gjejnë mënyrën më të mirë për t’u ofruar të burgosurve të sëmurë mendërisht kujdesin që u nevojitet.

Ekspertët dhe avokatët thonë se përgjigja është ndalimi i trajtimit të kriminelëve të dënuar me sëmundje mendore si të burgosur.

Elizabeth Matos, Drejtoreshë Ekzekutive e Shërbimeve Ligjore të të Burgosurve të Massachusetts

“Nuk ka asgjë terapeutike në lidhje me një burg” tha Elizabeth Matos, drejtoreshë ekzekutive e Shërbimeve Ligjore të të Burgosurve të Massachusetts. “Ideja që mund të keni terapi të vërtetë të ndodhë në atë mjedis është kundërintuitive.”

Në vitin 2012, kur vendi anketoi për herë të fundit popullsinë e burgosur për sëmundje mendore, zbuloi se 37 përqind e të burgosurve federalë dhe shtetërorë dhe 44 përqind e të burgosurve të burgjeve të qarkut vuaning nga çrregullime mendore në një moment të jetës së tyre, sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA.

Shoqëria civile ka kërkuar ndryshime në sistemin federal të burgjeve që të paktën nga viti 2017 kur një gazetë jofitimprurëse e quajtur The Marshall Project zbuloi se Byroja Federale e Drejtësisë (FJB) – e cila mbikëqyr burgjet – u ofronte të burgosurve shumë pak akses në burimet e shëndetit mendor. FJB nuk ka komentuar artikullin në fjalë ose nuk ka bërë ndonjë njoftim publik në lidhje me ndryshimet në udhëzimet e trajtimit.

Ndërsa është e paqartë nëse numri i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor ka ndryshuar, burgjet federale, burgjet shtetërore dhe burgjet e qarkut, secili bien në juridiksione të veçanta, që do të thotë se planet e trajtimit ndryshojnë shumë.

Përpjekjet nga shteti në shtet

Massachusetts është një nga dy shtetet në SHBA që nuk ka një strukturë të drejtuar nga Departamenti i Shëndetit Mendor për të trajtuar individët që presin ose që janë të papërshtatshëm për gjykim për shkak të problemeve serioze të shëndetit mendor.

Shumica e shteteve, tha Danna Mauch, presidente dhe CEO e Shoqatës së Masaçusets për Shëndetin Mendor, i transferojnë të burgosurit e dënuar nga mjediset e burgut në institucionet mendore ku ata trajtohen si pacientë, jo si të burgosur, por problemet serioze vazhdojnë ende.

Brian Sims, Këshilltar i Lartë Mjekësor për Shoqatën Kombëtare të Drejtorëve të Programit Shtetëror të Shëndetit Mendor

Brian Sims, këshilltar i lartë mjekësor për Shoqatën Kombëtare të Drejtorëve të Programit Shtetëror të Shëndetit Mendor, tha se psikiatër mjeko-ligjorë, mjekë që merren me pacientë të burgosur, “po luftojnë çdo ditë” për të gjetur planet më të mira të trajtimit për të burgosurit.

“Ata thonë të gjithë në mënyrë harmonike, burgu nuk është vendi për ta,” tha Sims.

Në vend të kësaj, Sims thotë se udhëheqësit në fushën e psikiatrisë mjeko-ligjore po mbrojnë, në radhë të pare, programet e transferimit që do të mbajnë individët me çrregullime mendore jashtë burgjeve.

Sims dhe Mauch thonë se Michigan ofron një shembull të mirë të psikiatrisë mjekoligjore në veprim. Shteti i dërgon kriminelët e paraburgimit që konsiderohen të papërshtatshëm për gjykim, si dhe ata që shpallen të pafajshëm për arsye të problemeve mendore, në një institucion të shëndetit mendor të quajtur Qendra për Psikiatrinë Ligjore, jo në burg.

Debra Pinals, drejtoreshë mjekësore e Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në Michigan për Programet e Shëndetit të Sjelljes dhe Mjekësisë Ligjore, tha se qendra ofron një njësi të centralizuar për të vlerësuar kujdesin që marrin pacientët.

“Kjo lejon që të ketë një qasje të fokusuar ndaj çështjeve të njerëzve me sëmundje mendore në sistemin kriminal,” tha Pinals.

Por në Massachusetts, për shembull, të burgosurit me sëmundje mendore nuk janë aq me fat. Ata shpesh dërgohen në Spitalin Shtetëror Bridgeëater (BSH), tha Pinals, e cila më parë ka punuar në shtet. BSH drejtohet nga Departamenti i Burgjeve, që do të thotë se vepron si një burg dhe jo si një institucion i kujdesit psikiatrik.

Matos tha se burgjet si BSH përjetësojnë stereotipe të pashëndetshme për ata që janë brenda tyre.

“Ne kemi shumë njerëz që janë të burgosur, me sa duket vuajnë nga probleme të patrajtuara të shëndetit mendor,” tha Matos. “Ajo në të cilën ne përfundojmë është kriminalizimi i njerëzve me probleme të shëndetit mendor.”

Si të ndryshojmë

 Ligjvënësit dhe shoqëria civile në Massachusetts aktualisht po përpiqen të krijojnë politika që do të përmirësojnë trajtimin e të burgosurve nga shteti, siç është dhënia e kontrollit të BSH tek Departamenti i Shëndetit Mendor të shtetit. Megjithatë, Rep. Ruth Balser, e cila për vite është angazhuar pa sukses që legjislacioni të bëjë pikërisht këtë, tha se ndryshimi vjen si një pasojë e një përpjekje në grup.

“Është me të vërtetë detyrë e shoqërisë sonë të ndërtojë një sistem më të fuqishëm të kujdesit për shëndetin mendor, në mënyrë që njerëzit të mos futen në sistemin e drejtësisë penale,” tha Balser.

Nuk ka zgjidhje universale, tha Sims, por devijimi është një vend i mirë për të filluar.

“Nëse po i mbani [të burgosurit] atje për aq kohë sa disa prej tyre lëngojnë në burgje, ju po flisni për shumë dollarë taksapaguesish që përndryshe mund të investoheshin në një strategji trajtimi,” tha Sims.

Avokati Andreë Lelling, i cili drejtoi një hetim dy-vjeçar në burgjet shtetërore të Massachusetts dhe zbuloi se këto institucione po shkelnin të drejtat e të burgosurve, tha se mënyra më e mirë për të bërë ndryshim është të sigurohet më shumë fonde për departamentin e burgjeve të shtetit. Në këtë mënyrë, ky institucion mund të marrë më shumë staf dhe burime të përgjithshme. Por kjo nuk garanton trajtim më të mirë për të sëmurët mendorë.

“Burgjet kanë mungesë të burimeve,” tha Lelling, “kështu që kur ata kanë burime, qofshin pará apo personel, prioriteti nuk do të jetë trajtimi i shëndetit mendor”.

Megjithatë, Massachusetts ka vënë në dispozicion fonde për këtë qëllim. Shteti shtoi një zë në buxhetin e tij në 2019 të quajtur “Shëndeti i Sjelljes dhe Trajtimi Rezidencial” për të gjurmuar më mirë shpenzimet e departamentit në kategori të caktuara, duke përfshirë burimet për të burgosurit me sëmundje mendore. Në vitin 2019, shteti shpenzoi rreth 1 milion dollarë dhe në dy vitet e fundit kjo shifër është rritur me rreth 500 për qind në rreth 5 milionë dollarë, tregon buxheti i shtetit.

Por ende nuk mjafton, tha Sims, dhe shumica e shteteve “u bërtasin” guvernatorëve dhe legjislativëve të tyre përkatës për ndihmë.

“Ata e dinë se nuk kanë fonde,” tha Sims.

Sims, i Shoqatës Kombëtare të Drejtorëve të Programit Shtetëror të Shëndetit Mendor, tha se trajtimi i të burgosurve me sëmundje mendore duhet të jetë një përparësi kryesore përpara se të ndodhë ndonjë ndryshim domethënës.

“Disa shtete e kanë atë në krye të agjendës së tyre dhe është gjithçka për të cilën ata flasin,” tha Sims. “Ka shtete të tjera ku thjesht nuk është në axhendën e tyre. Është thjesht ajo që ata duan të shikojnë tani.”

Në Shqipëri, trajtimi i të burgosurve me sëmundje mendore nuk duket të jetë prioriteti kryesor për momentin. Nuk është një temë e diskutuar shpesh nga drejtuesit e qeverisë dhe vetëm herë pas here kalon në mbulimin e lajmeve. Nëse apo kur kjo do të ndryshojë, mbetet një çështje e hapur.