Pallati nr. 136 është i vetmi objekt në zonën e rrugës së “Qelqit’ në Kombinat, që është klasifikuar për shembje. Elis Bala, banor i këtij pallati tregon për “Sinjalizo” se pak ditë më parë bashkia paralajmëroi shembjen e pallatit të tij dhe u kërkoi banorëve të dilnin nga apartamentet. Bala shprehet se sot çështja për shembjen e kësaj godine ka shkuar në gjykatë ashtu sicc gjenden edhe në të padi të tjera të shtetasve që po kryejnë betejë gjyqësore me shtetin për procesin e rindërtimit. Ndonëse kanë kaluar tre vjet nga tërmeti i 2019-ës, dhjetra banorë të Kombinatit kanë ngecur mes kontratave të paqarta, mungesës së informacionit, ekspertizave të pasakta dhe betejave gjyqësore me shtetin. Në paditë e hapura, qytetarët e prekur nga tërmeti kërkojnë mbrojtjen e pronës. Deri më tani, banorët e njësisë nr. 6 në kryeqytet kanë fituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë gjashtë procese gjyqësore.
“Ekspertët e bashkisë që erdhën dhe bënë verifikimet dolën në konkluzionin që pallati nuk është për shembje, por kosto e riparimit kalon vlerën e 70%. Kjo është arsyeja se pse vendosën që është më me leverdi ta bënin të ri, se sa ta riparonin. Realisht tashmë dihet që pallatet po u shembën nuk do të ndërtohen më aty ku kanë qenë”, tregon Bala teksa thekson se kanë marrë një vërtetim që pallati është në proces gjyqësor që të kenë siguri që nuk do të shembet.
Ajo çfarë banorët e këtij pallati kërkojnë është rivlerësim i godinës, në mënyrë që mos të shembet por të bëhet rikonstruksion.
“Ne morëm statusin e pallatit DS4 në nëntor të 2021, na erdhi vendimi i Këshillit Bashkiak që pallati do të shembet. Ne kishim një vit afat për ta hedhur në gjyq, më në fund ja dolëm. Presim të vij një ekspert nga gjykata dhe në momentin që do të bëjë ekspertizën do të shohim çfarë do të ndodhë. Ne shpresojmë që të qëndrojmë aty ku jemi dhe thjesht të bëhet një rikonstruksion”, tregon për ‘Sinjalizo’, Elis Bala, banori i pallatit nr. 136 në Kombinat.
Pallati nr.157, i pozicionuar në hyrje të Kombinatit, është një tjetër objekt i përcaktuar për shembje me vendim të Këshillit Bashkiak. Për këtë pallat deri më tani janë depozituar në gjykatë dy padi. Njëra prej tyre është fituar në shkallën e parë kundër bashkisë Tiranë, duke provuar se dëmtimi në këtë pallat nuk është i atillë sa lejon shembjen.

Ndërkohë banori i cili ka ngritur padinë e dytë, i cili preferon të qëndrojë anonim, thotë për ‘Sinjalizo’ se edhe ky proces gjyqësor është drejt përfundiimit.
“Kam dhe dy seanca dhe ekspertët e gjykatës kanë ardhur dhe e kanë verifikuar, kanë ndjekur të njëjtën procedure. E njëjta është në të gjithë Kombinatin ku synimi është shfarojsa e pallateve të vjetra dhe degdisja, shpërngulja e banorëve në një vend tjetër dhe bërja e pallateve të reja aty. Kjo është vjedhje prone, nuk po na bejnë nder se pallatin ne e kemi shumë mirë”, tregon banori i pallatit nr. 157 në Kombinat.

Këshilli Bashkiak Tiranë mbështetur në akt ekspertizën e thelluar dhe konkluzionin e oponencës teknike të Institutit të Ndërtimit, i ka caktuar këto pallate në nivel dëmtimi DS4, ndërsa ekspertët e përcaktuar në gjykatë i kanë vlerësuar me nivel DS2 ose DS3, që nënkupton rikonstruksionin dhe jo shembje.
“Të gjithë këto pallate janë caktuar niveli DS4 dhe në të gjitha rastet sipas Bashkisë Tiranë dhe sipas Institutit të Ndërtimit kosto e riparimit ka qenë shumë e lartë. Pra kalonte më shumë se 70% e vlerës sikur ta ndërtoje nga e para pallatin. Ky është edhe kriteri ligjor nëse duhet të shembet apo jo pallati. Në rastet kur është vendosur nga gjykata që të bëhet ekspertimi edhe njëherë, të njëjtat pallate kanë dalë me nivel dëmtimi DS2 ose DS3”, tregon për ‘Sinjalizo’, avokati Dorian Matlija.
Në rastet kur pallati ka nivel dëmtimi DS2 apo DS3, objekti nuk duhet shembur, por familjarëve u jepet grant rikonstruksioni. Konkretisht nëse niveli i dëmtimit është DS2 përfitojnë 200 mijë lekë të reja për familje, nëse është DS3 përfitojnë 500 mijë lekë të reja për familje, që të riparojnë vetë dëmet. Kjo pasi nuk janë dëme të tilla që të ndërhyjnë në strukturë.
“Në gjyqet e fituara ka rezultuar që kosto e riparimit është rritur në mënyrë fiktive, ndërsa koston e ndërtimit e kanë ulur në mënyrë fiktive, duke bërë që të duket sikur është pa leverdi ekonomike që të riparohet pallati. Kam hasur këtë tipologji në të gjithë gjyqet që kam ndjekur, jo vetëm në ato që janë fituar por edhe në ato që janë në proces, ekspertët kanë thënë po të njëjtën gjë para gjykatës”, shprehet avokati.
Për procesin e rindërtimit në këtë zonë, bashkia e Tiranës deklaron për ‘Sinjalizo’ përmes Drejtorisë së e Emergjencave Civile duke theksuar se në Kombinat janë demoluar 28 pallate, ndërsa aktualisht janë në proces gjyqësor 9 pallate.
“Në vijim të shkresës së sipërcituar, me anë të së cilës kërkohet informacion për procesin e Rindërtimit në Kombinat si pasojë e tërmetit të ndodhur në nëntor të vitit 2019, ju bëjmë me dije se: Në Njësinë Administrative nr. 6 janë demoluar deri tani 28 pallate. Janë në proces demolimi 3 pallate, (arsyeja e mosshembjes është rezistenca nga banorët). Janë në proces gjyqësor 9 pallate”, shkruan Drejtoria e Emergjencave Civile.
Qytetarët në dorë të gjykatës
Avokati Dorian Matlija tregon se në zonën e Kombinatit, në total Bashkia Tiranë ka vendosur të shembë 41 pallate, nga të cilët 20 raste kanë shkuar në gjykatë. Ndërkohë gjyqet e fituara deri tani janë gjashtë, nga të cilët 2 të fundit janë fituar në muajin tetor.
“Nga 66 pallate që na rezultojnë në të gjithë Tiranën, 41 janë në Kombinat që janë vendosur për shembje. Aktualisht janë 6 procese të mbyllura në shkallë të parë, me pranim të plotë padie, të tjerët janë akoma në proces. Bashkia nuk ka fituar asnjë gjyq”, u shpreh avokati.
Paqartësi rreth procesit të rindërtimit
Kombinati vazhdon të jetë problematik për sa i përket shembjeve të objekteve apo edhe rrënojave që i gjen pothuajse kudo.
Një ndër pallatet e shembura i cili u shpall i pabanueshëm pas tërmetit të 2019-ës është ai nr. 160. Bukurie Sulko tregon për ‘Sinjalizo’ se prindërit e saj banonin në këtë pallat, por pas tërmetit i nxorrën nga apartamenti pasi morën urdhër që do të shembej.
“Pas tërmetit i kanë nxjerrë prindërit me polici nga shtëpia, pasi dhanë urdhër që do të shembej. Që në fillim procedurat nuk ishin në rregull, pasi nxorrën prindërit nga shtëpia pa i dhënë asnjë kontratë që të firmosnin se cfarë do ndodhte me apartamentin, ku do ndërtohej, apo për sa kohë”, u shpreh zonja Bukurie teksa thekson se ky apartament ishte i regjistruar në emër të familjes së motrës së saj.
Ajo shprehet se motra e saj dispononte edhe një apartament tjetër ngjitur me pallatin nr.160, në të cilin jetonte vajza e motrës dhe ndonëse nuk kishte dëmtime nga tërmeti, u vendos të shembej. “Ngjitur me pallatin nr.160 ishte shtesa për të cilën në fillim na thanë që nuk do shembej, aty kishte apartamentin vajza e motrës rreth 80 metra katrorë dhe hyrja ishte shkallë më vete, ishte me letra të rregullta. Në fillim inxhinierët thanë është e padëmtuar, më vonë erdhën e prishën edhe atë”.
Ndonëse motra e saj humbi dy apartamente për shkak se u përcaktuan për demolim, zonja Bukurie shprehet e shqetësuar se procesi i përfitimit të pronave të shembura nuk do të jetë i drejtë.
“Ishin dy shtëpi me hipotekë, nëse janë për tu shembur në rregull, por të na lidhë me firmën ndërtuese, të marrim apartamentet që kemi pasur, aty ku i kemi pasur. Kjo është vjedhje e hapur, trualli është i joni. Për më tepër pse duhet të shkojmë në fshat, andej nga TEC-i, kujt do t’i jepet ai truall që kemi në Kombinat. Njerëzit janë gënjyer sepse u kanë thënë do merrni 2-3 shtëpi, ndërkohë ato do të jenë shtëpi sociale dhe do të kenë probleme të tjera”, tregon e revoltuar zonja Bukurie.
Ndërkohë Alketa, banore e pallatit nr.158 në Kombinat, e cila gjithashtu u shemb pasi u klasifikua si i pabanueshëm, tregon për ‘Sinjalizo’ se ende jeton me qira pa pasur informacion se çfarë do të ndodhë.
“Unë jetoj në shtëpi me qira, na kanë thënë që deri sa të ndërtohen pallatet do jetojmë me qira, por asgjë konkrete ende nuk po shikojmë. Kam qenë banore e pallatit nr.158, në rrugën “ Llambi Bonata”. Prindërit e mi kanë kontribuar si të gjithë banorët për ndërtimin e atij pallati që nga 21 Tetori i 1975. Deri ditën që ndodhi ai tërmet kemi jetuar aty. Vjet në 26 tetor e kanë shembur pallatin”, u shpreh Alketa.
E pyetur nëse kanë informacion se ku dhe kur dhe të ndërtohet pallati që do të përfitojnë banesën e tyre, Alketa tregon se nuk kanë asnjë informacion dhe nuk ende nuk kanë firmosur asnjë kontratë për këtë gjë.
Në lidhje me kontratat që bashkia u ka ofruar banorëve të Kombinatit, pallatet e të cilëve janë përcaktuar për shembje, avokati Dorian Matlija tregon se kanë të njëjtin model si në rastin e ‘5 Majit’.
“Kontrata që u ofrohet është një kontratë tip e cila është e paqartë për kohën, apo se ku do ta përfitojnë banesën. Mbi të gjitha mos të harrojmë që nuk përfitojnë të gjithë, por vetëm ata që nuk kanë një banesë tjetër. Gjithashtu dyqanet nuk përfitojnë asgjë. Pra koncepti është i tillë që shteti të jep mundësi strehimi. Pra praktikisht ata që po marrin po vlerësohen si të pastrehë, të një kategorie prioritare. Por kjo do të vlente nëse vërtetë janë dëmtuar aq shumë ato pallate që duheshin shembur”, u shpreh avokati.
Pallatet e ndërtuara në Kombinat
Në lagjen e re në Kombinat janë hedhur themelet dhe po ndërtohen pallatet e para ku do të strehohen familjet e zonës, të cilat mbetën pa shtëpi pas tërmetit të nëntorit 2019. Deri më tani janë hedhur themelet për 5 pallatet e para, 4 prej të cilave janë ndërtuar. Edmon Cata banor në zonën e Kombinatit tregon se njëri prej pallateve i cili ndodhet në afërsi të rrugës ‘Enriko Teli’ është ndërtuar mbi tokë kënetë.

Projekti KombinArt
Projekti “KombiArt” u prezantua nga kryebashkiaku Erion Veliaj në 7 korrik 2020 nëpërmjet pamjeve 3D. Sipas këtij plani, sipërfaqja prej 1.5 milionë m2 në zonën e Kombinatit, do të përdoret për ndërtim me qëllim strehimin e 21 mijë individëve, mes të cilëve edhe banorët e prekur nga tërmeti i nëntorit 2019.

Banorë të zonës ngrejnë shqetësimin se ky projekt është përcaktuar përpara tërmetit të 2019 dhe tërmeti po shfrytëzohet që të realizohen plane zhvillimi të përcaktuara më përpara.
“Ndaj në mënyrë të qëllimshme në shumë pallate, kosto e ndërhyrjes është llogaritur mbi 70% që objekti mos të riparohej por të shembej dhe të ndërtohej nga fillimi. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në pallatin ku unë banoj nr.146, ku me vendimin u Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë u përcaktua të mos shembej”, u shpreh Edmon Cata banor i Kombinatit.
Të njëjtën gjë përsërit edhe një qytetar, banor i pallatit nr. 157.
“Tani këta do i shesin hyrjet që do të ndërtohen, sepse askush nuk do jetojë aty. Kjo është e padrejtë, të shpërngul dhe ndërton”, akuzon banori
Sipas avokatit Dorian Matlija nëse një objekt nuk ka nivel dëmi të lartë dhe shembet në mënyrë abuzive, atëherë shkak nuk është tërmeti, por po ja shemb shteti me manipulim.
“Në këto raste banorëve u takon e drejta për dëmshpërblim, atyre që ju a kanë prishur banesat apo edhe dyqanet. Të gjithëve që ju është prishur pallati pa të drejtë, nëse e çojnë çështjen në gjykatë dhe e fitojnë marrin dëmshpërblim”, u shpreh avokati Matlija.