Vlora, Puka dhe Shkodra në mëshirë të motit. Plani i emergjencave i lë pa mjete, banorët ende nuk janë dëmshpërblyer për dëmet

Familja e Dorian Bitaj në Vlorë duhej të arratisej sërish. Prurjet e lumit Vjosë e ndryshuan gjithçka sa hap e mbyll sytë. Mbrëmjen e 11 dhjetorit, të rritur dhe fëmijët e tyre krahaqafë, vrapuan tu shpëtonin përmbytjeve duke lënë pas gjithçka kishin. Kryefamiljari Dorian Bitaj, atë mbrëmje, pa për herë të fundit shtëpinë e tij ashtu si e kishte ndërtuar, rrugët që të çonin drejt saj plot me ujë, i ngjanin më shumë me një përrua dhe oborri ishte shndërruar në një gropë të thellë e të rrezikshme, që ngjitej drejt mureve të shtëpisë duke zaptuar çdo gjë.

Na morën në telefon nga njësia, duhet të largoheni nga shtëpia se do të dalë lumi”, tregon ai, që për momentin pati vetëm një shqetësim jetën e anëtarëve të familjes. “Kur dolëm nga shtëpia shkuam në Vlorë te njerëzit tanë, aty i kam lënë edhe fëmijët”, tregoni ai duke qëndruar në oborrin e shtëpisë të mbuluar nga balta që lumi la pas.

Banesa e Dorian Bitaj e përmbytur nga dalja e Lumit Vjosa

Ajo që ka mbetur pas pëmbytjes është trishtuese. Muret e lagura, balta që zotëron përmbi objekte e krevate, ndërsa llumi i sjellë prej lumit ka deportuar edhe brenda pajisjeve elektroshtëpiake.

Në shtëpi është çdo gjë jashtë funksioni. Jemi përmbytur edhe në 2015, edhe këtë herë, po kjo radhë ishte shumë e madhe. Fola edhe me zyrtarët dhe thanë që nuk do të japin asnjë dëmshpërblim. Aty as prizat nuk punojnë më, se u është futur ujë, edhe insalimet duhen bërë nga e para, plus plaçka e çdo gjë”. Doriani është i bindur se banesa u përmbyt nga argjinatura e ngritur, kur gjatë projektimit të saj, banesën e familjes Bitaj dhe disa të tjera i lanë jashtë projektit.

Nga ana tjetër e pyetur më shumë se një muaj para përmbytjeve për masat e marra në lidhje me emergjencat civile gjatë dimrit, Bashkia Vlorë tha zyrtarisht se ka pastruar 75 km kanale, ndër të cilët vetëm 3 kilometra janë kanale të para dhe kanale kryesore ujitëse, ndërsa 70 km të tjerë kanale kulluese të dytë dhe të tretë.

Në një dokument të vlerësimit të rriskut në lidhje me përmbytjet në qytetin e Vlorës, të Prefektit të këtij qarkut theksohet se: “Prishja ose dhe mungesa e kanalit të ujërave të lartë (kanal i cili ka qenë për gjatë gjithë kurorës së Vlorës), bën që ujërat të derdhen nëpër qytet me përmbajtje gurësh, drush, veçanërisht në rrugën dhe banesat në afërsi të spitalit, në afërsi të Komisariatit të Policisë, si dhe në vendin e quajtur 7 pallatet si rezultat i shkarkimit të ujërave nga Fshati Kaninë”.

Vlora përherë nën ujë

Por ajo që ngre më shumë pikëpyetje, është fakti se rreziku i përmbytjeve në qarkun e Vlorës është identifikuar si më i madh gjatë periudhës Nëntor-Mars, sidomos në zona specifike si ajo e Novoselës. Por plani i masave i miratuar nga Bashkia Vlorë është bërë vetëm në 3 dhjetor 2021. Vec kësaj rezulton se plani i masave i miratuar, është thjeshtë një dokument ku nuk shfaqet asnjë masë konkrete në terren, por më së shumti udhëzime të përgjithshme. Nga ana tjetër, Prefekti i Vlorës identifikon edhe një problematikë tjetër e cila ndikon shumë në përmbytjen e një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të kësaj zone. “Vetë ngritja e autostradës në pjesën e zonës së Novoselës (Fshati Bishan) edhe pse ka tombino ose nën kalime që ndryshojnë rrjedhën normale të ujërave duke i përqëndruar në disa vende dhe kërcënuar veçanërisht fshatin Fitore dhe Bishan. Ujërat nga autostrada mund të jenë të pranishëm dhe 2-3 ditë”, shkruhet në një dokument zyrtar të prefektit të Vlorës të siguruar nga ACQJ, ku shtohet se problematikë sjell edhe mungesa e investimeve në punimet, në kanalizimet e para, të dyta dhe të treta.

Bashkia Pukë pret të bllokohet nga dëbora: Skemi logjistikë

I vetmi plan masash që mban emrin e rastësisë lidhet me Bashkinë Pukë që pret bllokimin nga rreshjet e dëborës. Çdo vit, bllokimi i fshatrave të Pukës për shkak të rreshjeve të borës është diçka që shndërrohet në tituj lajmesh. Jo më larg se katër vite më parë, kjo zonë u izolua për ditë me radhë, duke nxjerrë nga loja bashkinë për përballimin e emergjencave civile. Realisht në sistemin e përballimit të emergjencave civile që Shqipëria ka në funksion, barra më e rëndë i bie qeverisjes vendore. E Bashkia e Pukës e pranon edhe vet që nuk ka mundësi që ti përballojë.

“Është sensibilizuar komuniteti me anë të faqes zyrtare të Bashkisë ( web) si dhe medias lokale për reagimin në raste emergjence në përgjithësi, apo zjarresh në veçanti. Janë koordinuar veprimet me të gjithë sektorët vendorë dhe qendrorë. Problematikë e vijueshme mbetet logjistika dhe teknika e vjetër e mjeteve zjarrfikëse të MZSH-së. Po punohet për riparimin e urave këmbësore dhe urave për mjete në njësitë administrative Qelëz dhe Luf-Qerret, të cilat janë në fazën e përfundimit”, shprehet zyrtarisht ky institucion, i cili shton se në inventarin e kësaj bashkie është një fadromë në dispozicion për pastrimin e akseve rurale, pastrimin e dherave dhe inerteve që mund të jenë prezent në rrugët rurale nga shirat dhe shembjet. Por ky mjet, përdoret njëkohësisht për pastrimin e borës në të gjitha akset rrugore në juridiksionin e Bashkisë. Por  Bashkia Pukë ka një sipërfaqe prej 505.5 km katrorë dhe është e  vendosur në lartësinë 835 m mbi nivelin e detit, dhe këto të dhëna janë të qarta se sa në pamundësi gjendet pushteti lokal që të mbajë hapur me vetëm një fadromë akset rrugore rurale dhe ndërqytetase. Për më tepër mjeti nuk është i duhuri për pastrimin e dëborës.

Bashkia e Pukës zotëron një kamion për furnizimin e institucioneve arsimore me dru zjarri dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për funksionimin e komunitetit të Bashkisë Pukë, kamionçinë për shpërndarje kripe dhe granili në të gjitha rrugët e territorit të Bashkisë Pukë, blerje kripe dhe granili per rastet e borës dhe ngricave gjatë periudhës së  dimrit”, shprehet bashkia Pukë e cila shton se ka ngritur KMEC-në e Bashkisë për përballimin  dhe parandalimin e situatave të pritshme vjeshtë-dimër 2020-2021 si dhe është hartuar plani i masave për zbatimin e detyrave konkrete.

“Marrë shkas nga vitet e kaluara ku bora dhe akulli është prezent pothuajse gjatë gjithë periudhës së dimrit kërkohet mbështetje disponimi i dy mjeteve borëpastruese dhe dy mjeteve fadromë për përballimin e situatave të pritshme nga izolimi i borës”, thotë në përgjigjen e saj zyrtare, Bashkia Pukë që  thekson me bold, se i nevojiten dy  borëpastrurese, të cilat edhe pse i ka kërkuar, nuk i kanë mbërritur ende.

Në këto kushte, kjo bashki, i ka shpresat në një subjekt privat, i cili zotëron 13 mjete të tonazhit të rëndë. Në këtë rast shpëtimi mbetet aty, mbasi sipas bashkisë opsioni është kontraktimi në rast nevoje të menjëhershme sipas dispozitave ligjore.

Pëllumb Dani, përgjegjës i Sektorit të planifikimit, përballimit të emergjencave dhe krizave pranë Prefektit Shkodër, shprehet se qoftë Bashkia Pukë, qoftë ajo Shkodër, që i kanë specifike bllokimet nga bora, fondet i kanë përdorur, por janë fonde të pamjaftueshme për të përballuar situatën 3 mujore të dimrit.

“Unë e di shumë mirë që pas një jave ata me siguri do të kërkojnë mbështetje logjistike sepse fondi aktual që ata kanë parashikuar ndoshta është i pamjaftueshëm, por edhe mjetet aktuale që disa edhe i  kanë siguruar vet me mundësinë e tyre prapë së prapë është i pamjaftueshëm”, shprehet Dani i cili prej shumë vitesh ka ndjekur çështjen e emergjencave në Prefekturën e Shkodrës. Ai gjithashtu jep edhe arsyen se pse Bashkia e Pukës nuk ka mundësi që ti përballojë vetë emergjencat dimërore. “Puka sidomos edhe Fushë Arrëzi kanë një sipërfaqe të madhe, vetëm Fushë- Arrëzi ka rreth 400 km rrugë në juridiskionin e vet dhe është e pamundur që me dy fadroma ti përballojë dhe të krijojë mundësinë e lidhjes së njësive me qendrën e Bashkisë. Sepse për zona siç është Iballa, ku bie 2-3 metra borë, është shumë e vështirë pasi duhet të përqëndrohet i gjithë buxheti që ka, komplet logjistikën që ka për ta bërë të kalueshme rrugën”, përfundon ai.

Shkodra bëhet gati për varkat e përmbytjeve

Jo më shumë se një vit më parë, uji mbuloi pjesën më të madhe të Shkodrës. Pushteti lokal e kishte të pamundur një reagim ndaj përmbytjeve, ndërkohë që u shfaqën varkat metalike të cilat shërbenin për lëvizjen e njerëzve si dhe furnizimin e tyre me ushqime. Gjatë përmbytjeve, varkat u bënë mjeti kryesor i lëvizjes së banorëve të përmbytur. Por vjet nuk ishte rasti i vetëm i përmbytjes së Shkodrës, gjatë viteve të fundit ka ndodhur disa herë, duke e shndërruar në një ndodhi të pritshme.

“Përmbytjet në Shkodër kanë qenë problematike. Dihet që ajo më problematikja është përmbytja e 2010, e cila u pasua në 2011 dhe pastaj u ripërsërit në 2018 dhe u përsërit edhe këtë vit në 2021. Përmbytjet ndodhin edhe për shkak të pozitës gjeografike që ka ultësira e Shkodrës. Kuptohet që të gjithë lumenjtë të mëdhenj si është Drini i Zi, Drini i Bardh, Lumi Buna, Lumi Gjadër janë të gjithë në ultësirën e Shkodrës dhe do dalin në një grykë që është gryka e Belajve  në zonën e Velipojës që derdhet në det. Duam apo nuk duam ne, ky territor është i prirur qoftë edhe gjeografisht por edhe me disa projekte që janë bërë që në kohën e Partisë së Punës që të përmbytet një pjesë e mirë e ultësirës së Shkodrës. Nëse këtij baseni i shtojmë edhe rreshjet e shiut ose të borës, detyrimisht shkojmë drejt përmbytjeve”, shprehet Pëllumb Dani, përgjegjës i Sektorit të Planifikimit, Përballimit të Emergjencave dhe Krizave pranë Prefektit Shkodër.

Bashkia e Shkodrës bën të ditur zyrtarisht se ka siguruar kushtet per evakuuim të popullsisë në rast nevojë për 550 shtretër. “Janë vendosur në dispozicion vend magazinimet për pakot ushqimore si dhe funksionon struktura për magazinimin dhe shpërndarjen e tyre me grupet e punës për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore”, shprehet zyrtarisht ky institucion.

Ndërkohë Bashkia Shkodër thotë se ka marrë masat nëpërmjet Ujësjellës Kanalizimeve të qytetit për furnizimin e tij me ujë të pijshëm. Gjithashtu bashkia shprehet se ka në dispozicion një sasi prej 75 tonësh ushqimesh për blegtorinë si dhe ka përcaktuar një vend-qëndrim për to dhe personat përgjegjës për çdo njësi. Po ashtu janë bërë pastrimet e 98 kanale kullues dytësor dhe tretësor, me një gjatësi prej 75.25 km. Ajo që bie në sy është se ky institucion edhe pse prej më shumë se 10 vitesh përballet vazhdimisht me përmbytje në territorin e vet, në inventar nuk ka asnjë mjet lundrues që mund të jetë efektiv gjatë një emergjence të tillë.

Pëllumb Dani shprehet se sado që janë bërë projekte, nuk është arritur të shmanget përmbytja: “Ultësira e Shkodrës është tradicionalisht e përmbytur dhe sado projekte të bëhen dhe sado  ndërhyhet thjesht është arritur të reduktohen përmbytjet por jo të ndalen kjo edhe për shkak se projekti i fushës së anës së malit është bërë i tillë për t’u përmbytur në situata të tilla”.

Nga ana tjetër, për rastet e bllokimit nga bora, kjo Bashki zotëron disa mjete si dhe ka kryer blerje materialesh. Aktualisht Bashkia Shkodër ka blerë 40 ton kripë të zezë për përballimin e emergjencave në raste të borës dhe ngricave për të mbajtur rrugët hapur dhe ka lidhur kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit, ku siç bën të ditur janë parashikuar ndërhyrjet në zonat fushore me: “Dy borëpastruese për hapje rruge nga bora për realizimin e 320 orë pune, të cilat cilat janë parashikuar të ndërhyjnë  në qytet dhe në njësitë administrative fushore për krijimin e kushteve të lëvizjes në një kohë sa më të shpejtë të njerëzve dhe mjeteve”.

Ndërkohë për zonat malore janë parashikuar dy eskavator për punime hapje rruge në raste emergjencash 320 orë pune si dhe një fadromë për punime hapje rruge në raste emergjencash 160 orë pune. Vet ky institucion ka në gatishmëri një eskavator me zinxhirë, 5 fadroma me goma, 2 prej të cilave të Bashkisë dhe tre të Ujësjellës kanalizimeve, 1 kamion 7 ton, dhe 3 kamionçina.

Edhe pse u përmbytën, dëmshpërblime s’ka për shkodranët

Në Obot, varkat janë një nga mjetet e domosdoshme, të paktën banorët e këtij fshati kështu i cilësojnë. Madje nuk është çudi që në këtë fshat të shikosh edhe motora uji. Prej 2009, Oboti është bërë një nga zonat i cili përmbytet shpesh në Shkodër. Gregor Pema, kryeplak i fshatit shprehet që prej 2009, çdo dy ose tre vite fshati përmbytet duke pësuar dëme të mëdha.

Mua më është përmbytur shpia në 2010, 2011, tani  e kam zbërthyer shtëpinë  dhe e kam ngritur edhe një 15 cantimsh për të mos më hy ujë në shpi të paktën. Dëmet janë bërë pa masë. Këto dëme e tretën popullin e Obotit”, shprehet ai.

Edhe këtë vit, fshati Obot nuk mundi t’i shpëtojë përmbytjeve. “8 dylim grurë duan 1 milionë lekë me u mbjell, me blerje fare, me frezim, me plehërim e të gjitha. Grunin tjetër ma ka zënë mbrenda, 2018,2021, mbrenda, prap e mboll sivjet e prap më ka shkuar dëm”, thotë Gregori i cili shton se aktualisht në fshat janë 200 dylum  grur i mbjellë, i cili ka shkuar dëm duke bërë edhe një llogari të serave që janë dëmtuar, ai thotë i bindur se dëmi është shumë i madh. “Askush se ka vrarë mendjen për këtë popull këtu”, shprehet kryeplaku.

Por në historinë e dëmshpërblimeve për përmbytjet në Shkodër, duket se politika ka një pjesë të rëndësishme të fajit.

Burime nga Bashkia e Shkodrës bëjnë të ditur se faktikisht llogaritjet e dëmeve janë bërë, madje janë çuar edhe në prefekturë, por ka patur probleme me shifrat të cilat janë kthyer pasi kanë qenë shifra të fryra.

Për përmbytjen e 2018 dhe 2020 nuk janë dëmshpërblyer dëmet. Një nga arsyet janë këto faturat e fryra, ndërkohë kanë qenë edhe shumë toka bujqësore të cilat shkaktojnë një handikap. Sepse është e lidhur jo vetëm thjesht me bujkun por edhe me biznesin. Vendimi i qeverisë thotë se do të dëmshpërmblejë shtëpi nëse ka dëme dhe biznese, por bizneset nëse janë të rregjistruara në tatim- taksa”, shprehet një zyrtar i Bashkisë së Shkodrës, i cili kërkoj të mbetej anonim.  Ndër të tjera po i njëjti burim bëri të ditur se në 2010 përmbytjet kanë qenë masive dhe dëmet me një shifër shumë të madhe. “400 biznese të paktën të bashkisë Shkodër nuk janë dëmshpërblyer, nga ato 20 mund të jenë dëmshpërblyer jo më shumë, pasi bizneset e tjera nuk kanë qenë të rregjistruara në tatim- taksa dhe nuk kanë përfituar dëmshpërblime. Ndërsa sot dëmshpërblimi bën fjalë vetëm për shtëpi, për bizneset duhet të dalë me një vendim të veçantë  Qeveria dhe këto biznese merren në konsideratë për dëmshpërblim kur shpallet fatkeqësia natyrore”,  tha ndër të tjera i njëjtin burim.

Po i njëjti burim u shpreh për Sinjalizo se edhe vitin e kaluar dëmet kanë qenë shumë të mëdha, shifrat kanë qenë shumë të mëdha, por i ka bllokuar Këshilli Bashkiak. “Realisht kanë qenë shifra të fryra për dëmet dhe pastaj normalisht këtu futej politika pastaj”, përfundon ai.