[authorInfo]

Grupet kriminale garantojnë udhëtime klandestine në TikTok. Në Shqipëri askush nuk i heton

Mjafton një klikim në platformën “TikTok”  për të kuptuar se rrjeti social kinez është shndërruar në një vatër ku për shkak të kontentit të madh që ngarkohet është pothuajse e pamundur për tu kontrolluar. Varësinë që shkakton aplikacioni, grupet kriminale e kanë shfrytëzuar për të rritur veprimtarinë e tyre kriminale. Nëse kërkon “Angli” menjëherë të shfaqen dhjetra profile ku ofrohet kalim i sigurt drejt Britanisë së Madhe si me kamion ashtu edhe me gomone.

“Super rrugë e sigurt në kokë të kamionit, çmimi i arsyeshëm”, “Rrugë për në Angli me kamion, me dijeni të shoferit, 16 K në kokë të kamionit çdo të dielë nga Belgjika”, “Doni të takoni Mbretëreshën? Na shkruani në Dm”, këto janë vetëm disa nga mesazhet që mund të gjesh me lehtësinë më të madhe në rrjetet sociale. Madje ka raste kur jepet edhe numri i kontaktit në mënyrë që komunikimi të jetë më i drejtëpërdrejtë. Një shpërthim i tillë ofertash në rrjetet sociale vjen në një kohë kur po njeh rritje kalimi i ngushticës mes Francës dhe Anglisë nëpërmjet gomoneve. Ky shteg klasifikohet si një alternativë më e lirë, ku çmimi varion nga 3 mijë paund deri në 9 mijë paund.

Franko, një 19-vjeçar nga zona e Lezhës, është një ndër shqiptarët që kanë kaluar ngushticën e La Mans-it me gomone. Ai rrëfehet për “SINJALIZO”.

“Nga Shqipëria unë kam ikur më 20 gusht 2021, drejt Greqisë, kam ndenjur tre muaj atje dhe më pas kam ikur në Francë. Aty ka ndenjur 3 ditë, mbrapa më kanë thirrur ata që bajshin rrugën”, thotë 19 vjeçari i cili shton se një natë ka ndenjur në kampin e trafikantëve pasi kishte polici që patrullonte zonën gjatë gjithë kohës. Franko, i cili ka mbaruar shkollën profesionale për kuzhinier tregon se plani ka qenë për tu nisur prej Calis, por për shkak të prezencës së madhe të policisë franceze është vendosur që të niseshin në 5 të mbasdites prej Dunkerquea.
Kemi ndejt deri n’orën 8 të mgjesit tu ec pyllit, të ngarkuar me materialet e gomones dhe kena ec gjithë natën”, tregon ai, i cili pyetjes tonë se nga ra në kontakt me këtë mënyrë të kalimin ilegal të kufirit, ju përgjigj vetëm me disa fjalë. “TikTok, aty ka me dhjetra persona që e ofrojnë”.

Ky sinjalizim mbështetet në rrëfime edhe nga persona të tjerë që sidoqoftë mbeten të rezervuar, ndonëse tregojnë se pikat e kontaktit të vendosura në rrjetet sociale u vendosën për të pyetur për çmimin e udhëtimit.

Në gomonen ku ishte Franko, gjendeshin edhe 53 persona të tjerë, mes tyre 24 shqiptarë. Por asnjë prej trafikantëve, të cilët pasi kishin futur gomonen në ujë, u kishin ofruar kalimin falas dy personave nga grupi me kusht që të drejtonin skafin. “Pas 4-5 orësh në det, ai që drejtonte gomonen na thoshte që kemi hy në kufi të Anglisë. As nuk i ishim afruar. Kena vazhdu 12-13 orë me gomone deri sa na është prishur motorri. Telefonat sna kapnin valë, sdinim çfarë të bënim. Fat që familja e një djali shqiptar që ishte në gomone kishte lajmëruar policinë nga Amerika duke u thënë se është nis nipi për në Angli dhe kemi 12 orë pa marrë lajmërim nga ai”.

Për 19 vjeçarin i cili mendoi në ato momente se gjithçka kishte mbaruar për të dhe 53 personat në bordin e skafit, çlirimi do të vinte në momentin që avioni i rojes bregdetare britanike do të kalonte mbi kokat e tyre duke lëshuar sinjalizuesin për varkat e shpëtimit. I pyetur nëse do të bënte sërisht atë kalim, Franko shprehet se asnjëherë më në jetën e tij.

Dy polici përballë, Shqipëria ska informacion

“Sinjalizo” i drejtoi zyrtarisht një kërkesë Policisë së Shtetit Shqiptar, për informacion në lidhje me sektorin kundër krimit kibernetik ku u pyet: “A ka nisur ky sektor ndonjë hetim në lidhje me trafikimin e klandestinëve prej rrjeteve sociale drejt Anglisë ose destinacioneve të tjera? Sa persona janë arrestuar nëse ka patur? A është ngritur ndonjë task-forcë për çështjen e shfaqjes se grupeve shqiptare të trafikimit të klandestinëve drejt Anglisë apo edhe destinacioneve të tjera?”. Në përgjigjen e saj, Policia e Shtetit shprehet se lidhur me këto pyetje: “Ju bëjmë me dije se janë hetime komplekse dhe nuk ndiqen në mënyrë parësore nga ky sektor, kështu që nuk mund të japim një përgjigje definitive për to”.

Megjithë heshtjen e palës shqiptare, ajo që është bërë publike së paku nga britanikët është alarmi i përdorimit të rrjeteve sociale për të reklamuar biznesin e klandestinëve. Kjo lidhet me një nga operacionet gjatë fundvitit në Angli teksa këto oferta për kalimin drejt Britanisë së Madhe shkojnë deri në 20 mijë paund. Por me sa ju tregua në rrugë jo zyrtare “Sinjalizo”, informacionet për grupet kriminale që lundrojnë në rrjetet sociale jo vetëm TikTok por edhe Instagram dhe Facebook nuk u janë përcjellë ende nga partnerët.

Njësia e kibernetikës nuk ka staf

Përpara një alarmi të tillë që do të duhej të sillte një bashkëpunim mes departamenteve, njësia e kibernetikës me seli në Policinë e Shtetit numëron numrin më të ulët të stafit. Sipas agjencisë ndërkombëtare të sigurisë, krimi kibernetik është një akt kriminal ku kompjuteri dhe rrjetet sociale janë shënjestër kryesore dhe përdoren si mjete për të kryer vepër penale ose janë vendndodhja e krimit.

Aktualisht, Shqipëria është një vend ku përhapja e përdorimit të rrjetit është në 80% të popullsisë. Sipas të dhënave nga Atlas, përdorimi i shërbimeve online është duke u rritur. Të paktën 15-19% e popullsisë mbi moshën 15 vjeçare kryen blerje online, 11-13% e popullsisë paguan fatura nga internet, 12-15% kanë akses në llogaritë bankare nëpërmjet internetit dhe 43-48% e popullsisë ka kryer dhe ka marrë pagesa digjitale. Por këto nuk janë fushat e vetme që mund të cënohen nga krimet kibernetike të cilat mund të nisin që në institucionet shtetërore që mund të cënohen e deri te publikimi pa miratim e të dhënave private të qytetarëve.

Por edhe pse nevoja për një strukturë të fuqishme kundër krimit kiberentik është diçka evidente pas skandaleve me sigurinë e të dhënave personale, dhe në një kohë kur një ndër prioritetet e qeverisë është digjitalizimi i shërbimeve, sektori i hetimeve kibernetike në rang vendi përbëhet vetëm nga 6 specialistë kurse katër vende të tjera vijojnë të jenë vakante.

Pjesa tjetër e strukturës e përbërë nga prej 5 specialistësh (aktualisht janë 4 punonjës, ndërsa 1 vend vakant), që merret vetëm me çështje administrative, ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shteti”, thotë zyrtarisht Policia e Shtetit duke shtuar se janë edhe 2 specialistë të krimit kompjuterik pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Privati ka sofistikuar parametrat për sigurinë

Specialisti i Sistemeve të sigurisë kibernetike në një institucion financiar në vend Bedi G, me një eksperiencë shumë vjeçare në sigurinë kibernetike shprehet se për shumë profesionistë të fushës së sigurisë kibernetike, puna në organizatat e policisë është një ëndërr, por stepen për një sër arsyesh për tu bërë pjesë e saj.

Patjetër që puna në organizata të cilat kanë lidhje dhe opsione ndërkombëtare është një ëndërr për çdo cybersecurity specialist. Ajo që më step është se në cilin shtet bën pjesë kjo organizatë dhe duke parë nivelin e korrupsionit, punësimin dhe heqjen nga puna në administratën shtetërore shqiptare, kjo ëndërr zbehet dhe me keqardhje them jo”, shprehet ai.

Ndërkohë, Gentian Progni, ekspertë i sigurisë kibernetike, shprehet se “Njësia C”, nuk ka investimin e duhur edhe pse i kanë kapacitetet.  “Nëse janë 5 vende vakante, pyetja është a i intereson një IT apo webmaster, ose white hacker të lerë freelancer që merr 2 mijë dollar në muaj për një 600 mijë leksh në shtet nuk besoj. Ky pra është ai investimi që them, sepse nëse aty do të ishte rroga më e mirë se sa ajo që kanë freelancerat që punojnë 24 orë për ta merituar atë rrogë, normalisht që nuk do të kishte vende vakante”, thotë ai.

Ndër të tjera, Progni shton se duhet investim në teknologji. “Investimi në Njësinë C nga ana teknike po të ishte i saktë, mjaftonte që të krijonte një linjë të veçantë komunikimi me të gjitha rrjetet sociale, të cilën rrjetet sociale e kanë detyrim ligjor. Kjo linjë komunikimi do të sillte që nëpërmjet disa fjalëve kyce, shumë nga këto faqe, video, livestrime të bllokoheshin nga vet rrjetet sociale”, përfundon ai.

Eksperti i sigurisë kibernetike ngre edhe alarmin se duhet bërë investim i menjëhershëm, pasi nëse ky investim vonohet pas 5 vitesh Shqipëria do të jetë shumë mbrapa në këtë luftë.

Duhet të ketë ligje më të forta, buxhete më të mëdha për krimin kibernetik pasi është krimi i të tashmes dhe të ardhmes. Nëse ne nuk e marrim seriozisht tani që po ndodhin këto gjëra, imagjino se sa vonë do të jemi pas 5-6 vitesh, kur pjesa më e madhe e shërbimeve priren të jenë onlinë”, përfundon ai.

Nga ana tjetër, burim në Policinë e Shtetit, i cili kërkoi të mbetej anonim, i tha “Sinjalizo” se është e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme për të rritur financimet. “Njësia i ka kapacitetet, por duhet investuar. Duhet buxhet më i madh për të paguar specialistët e fushës. Një haker i bardhë sot në aspektin ekonomik fiton më shumë duke punuar jashtë strukturave se sa në një strukturë. Duhet të rriten rrogat dhe duhet të rritet edhe numri i tyre në strukturat e policisë”, thotë ai duke shtuar se njerëz me kapacitetet për tu bërë pjesë e strukturës kundër krimit kibernetik në Shqipëri ka, por është aspekti ekonomik dhe kushtet e punës çka bën që ata të shkojnë drejt sektorit privat.

Disa statistika…

Për ta kuptuar se krimet kibernetike janë shndërruar në një shqetësim gjithmonë në rritje, mjafton të shohësh statistikat e Prokurorisë së Përgjithshme për çështje që rregjistrojnë prokuroritë e rretheve. “Kampione” për krimet kibernetike është Prokuroria e Tiranës, e cila, ka rregjistruar 67% të numri total të denoncimeve, duke u ndjekur më pas nga kryeqendra e veriut, Shkodra, me 6% ndërsa për vitin 2020 prokuroritë e Përmetit, Sarandës e Pukës nuk kanë regjistruar asnjë çështje penale që lidhet me krimin kibernetik. 60% e krimeve kibernetike bëhen nga të pandehur që banojnë në qytetet, ku të gjithë janë në moshë madhore, e ndërsa peshën më të madhe prej 76,92% e mbajnë meshkujt dhe 23,8% femra.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/