Na ishin dikur trenat! Degradimi i linjës hekurudhore duke pritur projektet e reja

Autor: Klevis Paloka

Stacioni i udhëtarëve që presin të udhëtojnë me tren nga Durrësi drejt Tiranës ka kohë që është i zbrazur. Në sallën e pritjes mungojnë qytetarë. Stolat janë bosh. Të vetmit që lëvizin në dukje përtueshëm dhe me gjithë kohën në dispozicion në këto ambjente janë punonjësit e hekurudhës. Trenat ngjajnë të ngrirë përjetësisht në stacion dhe mos përdorimi i tyre prej shumë kohësh i ka çuar drejt degradimit total. Tani vagonët janë kthyer në vendstrehim për kafshët dhe për njerëzit e pastrehë.

Ndërhyrja e fundit e bërë për rikonstruksionin e kësaj linje hekurudhore u krye në vitin 1999 nga firma italiane “Fersalento”. Një investim që startoi në vitin 1994 dhe që përfundoi pesë vite më vonë. Por edhe ky investim, u realizua nëpërmjet një kredie të dhënë nga qeveria italiane me vlerë rreth 3 milion dollar. Më vonë, në historikun e kredive u lëvrua nga Banka Botërore një kredi tjetër prej 1 milionë dollarësh, pasi kredia e dhënë nga qeveria nuk mbulonte linjën prej 37.6 kilometrash. Edhe atëherë, investimi nuk u bë i plotë por vetëm një ndërhyrje të pjesshme ne linjën kryesore, duke mos përfshirë linjat e stacionet hekurudhore Durrës, Shkozet, Sukth, Vorë, Kashar, Tiranë.

Stacioni Hekurudhor Durrës

Sipas Hekurudhës Shqiptare, linja hekurudhore “Tiranë-Durrës” ka tetë vite që është ndërprerë.

“Transporti hekurudhor i udhëtarëve në linjën hekurudhore “Durrës-Tiranë” është ndërprerë që në fillim të shtatorit të vitit 2013 në mënyrë të njëanshme nga Bashkia Tiranë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Hekurudhës Shqiptare, çka ka çuar edhe në shkatërrimin e infrastrukturës hekurudhore të linjave të stacionit Durrës-Tiranë.

Por ndryshe nga çfarë pretendon Hekurudha Shqiptare, Jorida Tabaku, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës gjatë vitit 2013 e kundërshton këtë fakt.

“Ishim duke diskutuar lëvizjen e stacionit prej investimit tek bulevardi por asnjëherë nuk ka qenë ndërprerë linja hekurudhore, stacioni po lëvizte në Kashar aty ku planifikohej dhe terminali”, deklaron Tabaku për ACQJ.

Qytetarëve të Durrësit iu ka humbur shpresa se do të rikthehen udhëtimet me tren apo se hekurudha do të rilindë. Për qytetarët udhëtimi me tren do të kishte kosto më të ulët. Agimi, një 60 vjeçar i cili ka qënë një udhëtar i rregullt i linjës Durrës-Tiranë shprehet nostalgjik.

“U bë vite që s’punon treni për të shkuar në Tiranë. Edhe pse kanë premtuar se do e bëjnë, ne nuk kemi parë gjë akoma. Rifillimi i linjës Durrës-Tiranë do të kishte edhe kosto më të ulëta ekonomike për ne si qytetarë, por edhe koha e udhëtimit do të shkurtohej”, shprehet Agimi.

Edhe ajo linjë që ka funksionuar kohët e fundit tanimë ka ndaluar në pritje të rikonstruksionit.

Kapitullimi i trenave, projekti i radhës

Që shifrat e lëvizjes janë ulur këtë e tregojnë edhe statistikat e Hekurudhës Shqiptare, të vendosura në dispozicion për ACQJ.

Në vitin 2019 kanë udhëtuar me hekurudhë 59.787 udhëtarë, ndërsa në vitin 2020 kanë udhëtuar me hekurudhë 17.948 udhetarë. Një nga arsyet e kësaj ulje të madhe është edhe ndërprerja e transportit udhëtar për shkak të masave anticovid.

Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës, Durrës

Sipas HSH-së, stacioni hekurudhor i Tiranës, ishte kryeqendra e përdorimit të transportit hekurudhor.

“Stacioni i Tiranës mbulonte rreth 53% të të ardhurave vjetore të hekurudhës në transportin e udhëtarëve, duke influencuar kështu në uljen e të ardhurave të përgjithshme të transportit hekurudhor”, thekson Hekurudha Shqiptare.

Kjo hekurudhë pret rikonstruksionin e plotë. Në muajin tetor, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), njoftoi se kompania italiane INC S.P.A ishte fituesja e garës për projektin e rehabilitimit të lidhjes hekurudhore 34.2 km midis Tiranës (terminalit të Transportit Publik të Tiranës) dhe qytetit të Durrësit si dhe ndërtimin e rreth 5 kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.

Nënshkrimi i kontratës midis Administratorit të HSH-së, Ani Dyrmishi dhe përfaqësuesit të kompanisë italiane. Foto: Hekurudha Shqiptare

Kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare.

Do na japin çelësat në dorë?

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë premton për ACQJ se gjatë kësaj vere do të nisë demontimi i linjës ekzistuese dhe në vjeshtë nisin punimet.

“Projekti për Rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore Durrës-Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore të re me Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, tashmë është finalizuar me nënshkrimin e Kontratës më 3 Shkurt 2021, ndërsa punimet ndërtimore do të nisin më 11 Shtator 2021 (pas përfundimit të fazës së parë 6-mujore, përfundimi i projektit të detajuar të zbatimit i cili është në proçes hartimi). Kjo Kontratë është e tipologjisë “DESIGN & BUILD” (Kontratë me Çelësa në dorë), e hartuar në përputhje me Kontratat FIDIC sipas standarteve dhe rregullave të BE-së, ku Kontraktori i Punimeve mbart përgjegjësinë jo vetëm të ndërtimit por edhe të hartimit të projektit final për Zbatim.  Paralelisht Kontraktori është aktivizuar me mobilizimin e Kantierit dhe me qëllim përshpejtimin e zbatimit të punimeve gjatë periudhës së verës 2021, (Qershor – Gusht) do të nisë puna për demontimin e linjës ekzistuese menjëherë pas angazhimit të Konsulentit  të Bankës i cili do të Menaxhoje Planin Mjedisor dhe Social në terren sipas kërkesave të Bankës. E gjithë kjo kontratë e cila tashmë ka nisur, ka një afat kohor prej 30 muajsh ne total (përfshirë periudhën e DESIGN)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ACQJ.

Por, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin shprehet se pranë këtij institucioni nuk ka shkuar asnjë kërkesë për shpronësim në kuadër të këtij projekti.

“Në Agjencinë Shtetërore për Shpronësim ende nuk ka ardhur një kërkese me projekt shpronësimi në kuadër të ndërtimit të Hekurudhës Tiranë-Durrës. Është zhvilluar një takim orientues për mënyrën e hartimit të ‘kërkesës për shpronësim’. Kjo e fundit me qëllim evitimin e zgjatjes së panevojshme të procesit me kthime dhe plotësime dosjesh”, thuhet në përgjigjen e AShSh-së për ACQJ.

Me parashikimin se ky projekt do të ketë një ndikim të madh pasi do të jetë transporti alternativ më i favorshëm dhe i sigurtë, Hekurudha Shqiptare numëron zyrtarisht lehtësirat që shkojnë në favor të qytetarëve.

“Investimi që do të realizohet në linjën hekurudhore Durrës-Tiranë-Durrës, i cili parashikon edhe rilidhjen Hekurudhore të rrjetit hekurudhor Shqiptar me kryeqytetin e Shqipërisë, është transporti alternativ më i favorshëm dhe i sigurtë për qytetarë që banojnë midis Durrësit dhe Tiranës si dhe të krejt popullsisë të vendit, të cilët përdorin transportin hekurudhor. Qytetarët nuk do të përdorin me autobuzët por do të frekuentojnë trenin duke shpenzuar më pak”, e mbyll përgjigjen e saj për ACQJ-në Hekurudha Shqiptare.

Lidhur me këtë fakt, ACQJ komunikoi me një drejtues autobusi që shërben në linjën Durrës-Tiranë-Durrës. Deda i cili ka disa vite që përshkruan këtë aks shprehet se investimi do sjellë efekt pozitiv për qytetarët. Por, për të dhe kolegët e tij do ndikojë për keq.

“Për qytetarët do këtë pasoja pozitive, por për mua dhe për kolegët e mi, do këtë pasoja negative, pasi qytetarët do priren të udhëtojnë me tren. Pak na ka goditur pandemia, më pas do na godasë edhe kjo. Nëse bëhet sipas të gjithave kushteve linja e autobusave drejt Tiranës do të detyrohet të shkojë drejt falimentimit, pasi dihet që qytetarët do të zgjedhin një mundësi që është më e lirë dhe ndoshta edhe më e sigurtë”, e mbyll 54 vjeçari.

Treni vjen së bashku me zhurmën

Në raportin jo teknik thuhet se ndërtimi i linjës hekurudhore do të krijojë zhurma për banesat që janë të ndërtuara në afërsi të linjës.

“Për banesat të cilat janë shumë pranë linjës dhe niveli i zhurmës i tejkalon normat me matje sipas standartit për matjen e nivelit të zhurmës SSH EN ISO/DIS 1996-2:2007”, thuhet në raport.

Ndërsa po në këtë raport përmendet se: “Linja hekurudhore Tiranë-Durrës kalon në zona me karakter agrar dhe shpesh herë urbane. Gjithashtu edhe linja e re Tiranë-Rinas kalon në zonë rurale agrare. Projekti i kësaj linje do të përshkojë lumin Tirana dhe Lana nëpërmjet urave kështu që do të ketë një ndikim minimal të ekosistemeve në brigjet e këtyre lumenjve gjatë fazës së ndërtimit”.

Ndërkohë, nga hulumtimi i ACQJ, rezulton se ndonëse këto të dhëna janë dërguar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për miratim, AKM-ja nuk është shprehur ende me një vendim për këtë çështje.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter