Nga Parisi në Berat, nga Mathauzeni në Podgorie të Korçës

Autobuzët urbanë mund të të nxjerrin edhe hartën e Berlinit, por s’dinë të ta sqarojnë ku të ulet një grua shtatzënë.

Autor: Elsa Dautaj, Harris Mecolli

Sapo hyn brenda në autobusin që lidh Nish Tullën me qendrën e Durrësit përballesh me një afishe që shkruan: “Attends le départ de l’autobus avant de traverser; il te cache des automobilistes.” Dhe pastaj të tregon, po në frëngjisht dhe vetëm në frëngjisht, se për më shumë hollësi, mund t’i drejtohesh numrit të telefonit 04 26 10 12 12, dhe jep adresën e faqes në Internet, www.tcl.fr.

Rregullorja e transportit urban të Lionit në autobuzin Nish Tulla-Qendër në Durrës. Në dritare shkruhet fraza dalje sigurie në frëngjisht. Foto Elsa Dauti

“Pyeta edhe në zyrë, asnjë njeri nuk di të kemi pasur bashkëpunim me Shqipërinë,” thotë Olivia Vansoen, zëdhënësja e Transport en commun lyonnais (Tcl), ndërmarrjes që administron sistemin e transportit urban në Lion, në qytetin e dytë më të madh të Francës. “Ne i përdorim autobuzët 15 vjet, pastaj ja kthejmë kompanisë që i prodhon.”

Të gjitha qytetet e Shqipërisë të cilat kanë ndonjë zonë industriale, apo popullsi në nevojë të lëvizë në numra të konsiderueshëm (shpi-fabrikë-shpi, tani së fundmi edhe shpi-qendër tregtare-shpi), kanë autobuzë që nga boja dhe shenjat të kujtojnë metropole të Evropës perëndimore por që dëshmojnë të tashmen e rrëmujshme të vendit. Në pjesën dërrmuese, urbanët e Shqipërisë riciklohen këtu, dy grahma para vdekjes, mbas një jete të gjatë në Evropë perëndimore.

Ky autobuz që më parë ishte në përdorimin e kompanisë së urbaneve të Berlinit, bën rrugën Qendër Kamëz. Shënimi në gjuhën gjermane thotë se tani është e mundshme të kontrollohet emaili brenda autobuzit. Yay. Foto Haris Meçolli

Në Tiranë, autobusi i verdhë i Berlinit—reklama me letërngjitëse gjermanisht në fund të tij të thotë se tani mund të kontrollosh dhe internetin nga brenda autobuzit—të sjell më pranë Qendrën Kristal tek Komuna e Parisit. Haga dhe Hamburgu duan të thonë Institut dhe Qendër Kamëz.

Ja dhe stacionet e linjës 5 të urbanit në Hamburg të Gjermanisë, parë në linjën e Kamzës në Tiranë. Foto Fatjana Kazani

Ai që dikur qarkullonte në Rouen, kryeqendrën e Normandisë në Francë, lidh qendrën me Uzinën Dinamo. Zona nga Dajti shërbehet nga autobuzë që bënin zonën e Tulonit në rivierën e Francës.

Autobuz i sistemit të transportit publik të Parisit i parë në Berat. Berati gëzon të paktën dy autobuzë të asaj kompanie, njëri që bënte në Paris linjën 341 për në portën e Montmartrit, dhe tjetri që udhëton nga Harku i Triumfit e deri tek stacioni Gare du Nord. Foto Mariusz Józefowicz (Phototrans.eu)

Berat, një autobuz i RATP-së, që dikur në Paris çonte njerëzit nga Harku i Triumfit tek stacioni i trenit, linja 31, tani të çon nga Uznova në kombinatin e tekstilit.

Edhe furgoni njëzet-vendësh i Petrit Baçit nga fshati Podgorie pranë Korçës, që merr njerëz nga fshati për ti zbritur në qytet, më përpara bënte rrugën stacion i trenit – kamp përqëndrimi në Mauthauzen të Austrisë.

“Më bën çudi se si nuk bëhet asnjëherë ai vend, që marrim mbeturinat prej këndej dhe i sjellim andej,” thotë Dejv Marku, një 18-vjeçar nga Durrësi, i cili aktualisht studion në Lion. “Dhe i marrim shabllon dhe i vëmë ashtu siç janë. Lëre më ndotjen.”

Vendi është i mbushur me makina të dorës së dytë, dhe pjesa më e madhe mbajnë akoma shenjat e fabrikave, ofiçinave, frigoriferëve apo restoranteve perëndimore që i kishin përdorur përpara.

“Me ligj duhet të jetë e ndaluar,” thotë Eva Buhaljoti, pedagoge e marketingut në Universitetin e Tiranës. “Por kjo puna e markave është më shumë çështje etike sesa gjë tjetër.”

Fakti a e vrasin apo nuk e vrasin mendjen njerëzit per t’ja hequr shenjat një makine i shkon në zemër të natyrës së biznesit tek ne. Shenjat grafike nuk kanë rëndësi për kompani të vogla, dhe biznesi i tyre reklamohet gojë mbas goje. Se ç’ka të shkruar aty, nuk hyn në punë.

Autobuzi i linjës Uzina Dinamo Sharrë është marrë nga linja e urbanit të qytetit Rouen në Normandi të Francës, që quhet Réséau Astuces. Foto Haris Meçolli

Autobuzët janë ndryshe, pasi duhet të përmbajnë instruksione për raste urgjence—qofshin vendet për të moshuar apo gratë shtatëzëna, apo daljet e sigurisë në raste aksidentesh. As në Tiranë nuk i gjen instruksionet, thotë një manaxhere projektesh në kryeqytet. “Unë këto që shoh këtu i shoh në gjermanisht.”

Administratori i linjës Maren Buss (ss’e marr vesh psse me dy ss), e cila operon plazhin në Durrës, kapet në befasi kur pyetet. “Nuk mund t’i ndërrojmë kaq kollaj,” tha ai. “Ato mbrohen me të drejtë autori.”

Pjesërisht kjo vjen nga kostoja—për t’i dhënë një bojë një autobuzi shkon të paktën një milionë lekë, me gjasa edhe më shumë. Pastrimi i tij shton dhe më tepër. I bie që një autobuz të marrë badihava të paktën tre mijë pasagjerë para se të fillojë të nxjerrë lekët e veta. S’ka pronar që ta bën këtë, nëse e gjen hapësirën dhe i jepet mundësia.

Por nuk është çudi që mjetet e transportit urban riqarkullojnë nga vendet më të pasura në ato më të varfërat.

“Është fenomen normal në gjithë Evropën qendrore dhe lindore,” thotë Mariusz Józefowicz nga Gdynia e Polonisë, i cili ka hobi dokumentimin e autobuzëve urbanë në botë. “Ndryshojnë vetëm kushtet. Në Poloni, ato pastrohen komplet, lyhen nga e para me ngjyrat e firmës që i operon, dhe u hiqet i gjithë informacioni i pronarit që kishin më përpara.”

“Në Shqipëri, të tillë autobuzë ndodh që të tregojnë nga brenda linjën e një qyteti në Francë, me destinacionin në Shqipëri në një copë letër tek xhami para.”

Furgoni Pogorie-Korçë marrë në vitin 2016. Furgoni është blerë nga një kompani taksish në qytezën e Mauthauzenit në Austri. Pronari i saj i parë thotë se një tjetër furgon të kompanisë disa shokë ja kishin parë maleve të Sllovenisë. Foto Mariusz Józefowicz (Phototrans.eu)

Furgonin Iveco që lidh Podgorien me Korçën, Petrit Baçit ja solli para tre vjetësh Ibrahimi i Pojanit, djali i të cilit jetonte në veri të Italisë.

Djali i Ibrahimit të Pojanit, tani, ia kishte blerë furgonin një afgani në Gjermani, dhe ky ja bleu zotit Brixner nga Mauthauzeni. Në muzeun e kampit të përqëndrimit në Mauthauzen ka një statujë të famshme shqiptare, atë të një partizani që godet me kondakun e pushkës një ushtar gjerman.

Zoti Brixner thotë se i ndërron makinat çdo dhjetë vjet, dhe për Shqipërinë s’di thuajse asgjë, sepse shumë rrallë i bie që ekipet shqiptare të futbollit të luajnë me ato të Mynihut, të cilat i ndjek.

As Baçi s’ja ka haberin Mauthauzenit.

“Ç’kamp përqëndrimi, more? Ç’thua more?” thotë ai, ulur në një klub tek Agjensia në Korçë.

Furgonin vjet e çoi tek tapicieri, i cili të dhënave të zotit Brixner nga para saj u vuri një ngjitëse me flamur shqiptar sipër. Vetëm një sy tejet i stërvitur mund të dallojë tani ato shifra në bojë jeshile të një celulari austriak.

Shenjave të pronarit të vjetër të furgonit, Petrit Baçi i vuri një ngjitëse me flamurin shqiptar mbi të. Foto Haris Mecolli.

Kurse autobuzët e Lionit fillimisht ishin parë në Tiranë.

Pesë verëra të shkuara Ledia Dema qeshte me vete kur shihte se njerëzit tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës i hipnin autobuzit të Stl-së nga dera e mesit, jo nga ajo e para si në Lion. “Kur jam në ta në Shqipëri, bëhem të shtyp butonin për të thërritur shoferin të ndalojë në stacionin që vjen,” thotë Edmond Bogdani, një punonjës social në pension që jeton në Francë prej njëzet e kusur vjetësh. “Normal që nuk punon.”

“Kur jam në autobuz në Shqipëri, bëhem të shtyp butonin për të thërritur shoferin të ndalojë në stacionin që vjen. Normal që nuk punon.” Edmond Bogdani, Lion, Francë. Butoni këtu është në një autobuz të Kamzës që është marrë nga sistemi i urbanit i Hamburgut. Foto Fatjana Kazani

Tani i përdor Durrësi. Armir Asllani, 19-vjeç, studion për skulpturë dhe e merr autobusin çdo ditë për të vajtur në shkollë. “Do ishte shumë mirë të ishim në Francë dhe ti kuptonim,” thotë.

*Elsa Dautaj punoi për këtë shkrim në Durrës dhe Harris Meçolli në Tiranë dhe Korçë. Për të raportoi nga Tirana edhe Fatjana Kazani

 

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter