Profilet e rreme, buka e përditshme e propagandës!

 Numri i ndjekësve në faqet zyrtare në Facebook të figurave kryesore politike në vend shkon deri në 1.6 milionë. Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, sipas shifrave të INSTAT. Por mjafton një klikim në në opsionin “komentet më relevante” për të kuptuar se pas komplimenteve dhe mesazheve mbështetëse, fshihen identitete të rremë apo individë që mendohet se përkundrejt pagesës nxisin propagandën e mbajtësve të këtyre profileve publike. Kështu ata bëhen bashkëpunëtore të botës virtuale që duan politikanët, një botë ku duket se po ngre krye kulti i individit.

“Facebook ka lejuar vazhdimisht udhëheqësit dhe politikanët botërorë të përdorin platformën për të mashtruar publikun ose për të ngacmuar kundërshtarët, pavarësisht se janë paralajmëruar se ka prova për këtë”, shkruante “The Guardian” një vit më parë, kur ish-ekspertja e komunikimit në Facebook, Sophie Zhang, bëri të ditur se Shqipëria ishte mes vendeve ku opinioni publik po manipulohej dhe diskursi politik po shtrembërohej.

Një makineri të tërë propagande dëshmojnë në Shqipëri të rinj, që përmes profileve të rreme tentojnë të ndikojnë mbi bindjet politike të qytetarëve. Më aktivë këta të fundit janë gjatë periudhës së zgjedhjeve.

Sa kushton në Shqipëri? Një pagë prej 10 mijë deri në 26 mijë, mbështetje për një vend pune apo “mbyllje e syve” nga autoritetet në detyrimet ndaj shtetit. Kjo është skema që zbatohet, pjesë e të cilit janë kryesisht të rinj të angazhuar në politikë. Juliana N. është një prej tyre. 23- vjeçarja thotë për ACQJ se publikimi i komenteve pozitive në profilet e politikanëve shqiptarë është një punë e kryer prej të rinjve mbështetës të partive politike kundrejt një pagese, ose favoreve të tjera ekonomike.

“Unë jam angazhuar gjatë fushatës së fundit politike të Partisë Socialiste dhe them se çdokush që shkruan komente të pavërteta është pjesë e një grupi të organizuar. Është tip tifozlliku”, tregon ajo duke shtuar se “pagesa për komentet pozitive të realizuara në faqen zyrtare të Kryeministrit varionte nga 100 mijë lekë të vjetra deri në 260 mijë lekë të vjetra”. Sipas saj, pagesat e komentuesve ishin më të ulëta se ato të supervizorëve të tyre, të cilët kujdeseshin që çdo koment të përçonte mesazhin e qartë dhe bindës në rrjetin social Facebook.

 “Gjatë periudhës kur unë kam dhënë kontributin tim në PS nuk kanë munguar rastet, kur komentuesit nuk paguheshin, por si formë shpërblimi për punën e kryer nuk paguanin taksat për bizneset familjare”, shpjegon ajo.

Juliana N. kujtoi edhe përfshirjen e administratës në makinerinë e manipulimit në interes të qeverisë. “As punonjësit e administratës nuk kanë mundur t’i shmangeshin përkrahjes virtuale që duhej t’u jepnin qeverisë. Gjatë periudhës zgjedhore të 25 prillit edhe personave të punësuar në administratë, siç janë mësuesit, u kërkohej të ishin aktivë”, tregon ajo.

Endri Fuga, Drejtori i Zyrës së Komunikimit së Kryeministrisë mohon se qeveria praktikon përfshirjen e profileve të rreme si mbështetës virual të saj.

“Unë shoh komente që flasin pozitivisht dhe negativisht. Që shajnë e fyejnë dhe lavdërojnë. E shoh te kryeministri dhe te ministrat siç e shoh dhe te opozita. E shoh në Shqipëri, e shoh në Europë, e shoh në botë”, tha ai për Qendrën Shqiptarë për Gazetari Cilësore.  Ai thekson se profilet e rreme janë një praktikë e gabuar, që zyra e Kryeministrisë nuk e ndjek.

“Ne nuk e kemi këtë praktikë”, mohon dhe kujton se figura e tij është prekur nga komentet negative të profileve të rreme.

“Po të jeni në vendin tim e të lexoni se çfarë shkruhet për mua, familjen time, çdo ditë nga troll-se dhe nga politikanë të opozitës, ju siguroj që do ishit shumë më të neveritur se unë”, u shpreh Fuga.

Komentuesit e rremë gjatë fushatës së 25 Prillit nuk kanë munguar as në Partinë Demokratike. Me kushtin e anonimatit një ish-komentues tha për Qendrën Shqiptare të Gazetarisë Cilësore se troll-et në PD paguheshin, por jo shumë.

“Pjesa më e madhe e grupit tonë prej 30 vetash vinin në zyrë me kompjuterat personalë dhe na kërkohej të promovonim ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën, si lider perëndimor”, thotë ai, duke theksuar se “disa të rinj komentues nuk kishin një pagesë, ndërkohë që personat që kryenin rolin e supervizorit kishin një pagesë prej 30 mijë lekësh në muaj”.

“Pas humbjes së 3-të të zgjedhjeve dhe veçanërisht pas largimit të Bashës grupi ynë u shpërbë. Nuk e di çfarë ka ndodhur me të tjerët tashmë”, përfundon ai.

I pyetur nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, ish-drejtori i Zyrës së Medias për Partinë Demokratike, Patrik Sadikaj e ka mohuar ekzistencën e një grupi  komentuesish të rremë, duke u shprehur se gjatë periudhës së zgjedhjeve realizoheshin vetëm sondazhe që kishin të bënin me njohjen dhe përqafimin e programit të PD-së nga elektorati.

Sa komente janë të rreme në faqet e politikanëve shqiptarë?

 “Ju lumtë dhe sa më shumë suksese në rrugët që do të bëni. Fal jush Shqipëria do ketë rrugë më të mira. Je i vetmi që po zhvillon Shqipërinë”, thotë Migena Dushku, një prej komentuesve të rremë në faqen zyrtare të Kryeministrit Rama në Facebook.

Komenti nga profili i rremë në Facebook, hapur me emrin Migena Dushku

Kryesisht, këta komentues të rremë janë profile me emra të gjinisë femërore, të cilat ndonëse nuk kanë një aktivitet të përditësuar përmes postimeve të fotove tërheqëse arrijnë të kenë “friend request” jo vetëm prej profileve afrikane apo aziatike, por edhe nga profilet e vërteta të ndjekësve meshkuj shqiptarë. Kjo mund të dallohet qartë nga komentet e bëra në këto profile të rreme, ku tregohet se mungon komunikimi me ndjekësit dhe një gjuhë shqipe e përkthyer verbatim nga një gjuhë e huaj, apo komente të të njëjtit format dhe skript. E kundërta ndodh me profilet e rreme të hapura me emra meshkujsh, ato kanë shumë pak, 2-5 miq virtual dhe nuk janë aspak aktivë.

Gjithashtu, mungesa e miqve, e fotos së profilit është një tjetër tipar dallues i llogarive të rreme në rrjetet sociale, konkretisht në Facebook.

Por si i dalluam profilet false?

Fillimisht vlerësuam fotografinë e profilit të shumicës së profileve që komentonin. Shumica e profileve fallco kishin ose foto perfekte, ose foto të cilat përmes kërkimit të kundërt të imazheve në Google Reverse image Search figuruan foto si stok. Shumica e profileve ose kishin ndërveprime minimale ose aspak në kohëzgjatjen e aktivitetit të tyre, si dhe miq minimalë, ose miq nga vende të tjera të botës, pa asnjë lidhje me realitetin shqiptar, ose me aktivitet jokonsistent, ku muajt e mëparshëm ishin fansa/komentues/ ndjekës/pëlqenin tematika diametralisht të kundërta me ato aktuale, ndërsa në një kthesë të menjëhershme, kthehen në ndjekës dhe komentues të zjarrtë të politikanëve shqiptarë.

Gjatë vëzhgimeve të kryera nga ACQJ, rezulton se pavarësisht sa herë komenton një profil i rremë në profilin e kryeministrit, mesazhi pozitiv i përsëritur është i njëjtë: nxitje për vazhdimin e mëtejshëm të politikave të ndërmarra deri më tani.

Në pesë nga post-videot e publikuara në faqen zyrtare të Kryeministrit Rama në Facebook vëzhguam 200 komente të rastësishme në linjën e parë të komentuesve, dhe komentuesve të cilët kishin fituar dhe simbole si komentues më të shpeshtë apo komentues më besnikë ndaj Kryeministrit, nga qindra komente të postuara. Konkretisht, në videon e çeljes së Bypasit të Vlorës, postuar më datë 14 korrik 2022, në videon e dy turistëve indianë që promovonin bukuritë Shqiptare, në atë të portit të Sarandës, të mbledhjes së selisë së NATO-s në Bruksel dhe në post-videon ku Kryeministri ishte i pranishëm në inaugurimin e parkut të ri në qytetin e Vlorës.

Sipas të dhënave tona, nga 1000 komente të publikuara nga këto pesë video 470 janë të publikuara nga profile të pavërteta. Thënë ndryshe, 47% e komenteve kryesore në këto post-video të kryeministrit janë të rreme, ndërkohë që profilet e rreme që kanë shkruar këto komentet janë mbi 138, çka do të thotë se një profil i vetëm ka komentuar mesatarisht 4 herë, por është vënë re që shumë prej profileve janë shumë herë më aktivë në profilin e kryeministrit se sa profile të tjera, duke lënë me dhjetra komente positive në çdo postim.

Ndryshe nga postimet e Kryeministrit Rama, në profilin e ish-Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentet e rreme mbështetëse i dallojmë kryesisht gjatë periudhës së fushatave. Në videon e bashkëbisedimit Luan Hotit me përfaqësuesit të biznesit në Durrës, në 200 komente në fillim të listës së komenteve, ndodheshin 20 komente të rreme, 8 prej të cilave nga i njëjti profil.

Ish-Kryeministri Berisha ka një ndër profilet më të ndjekura në Facebook. Profili i tij zyrtar ndiqet nga 1.1 milonë ndjekës, por pesë post-videot e tij të fundit marrin mesatarisht 872 shikime, ndërkohë nga vëzhgimet tona rezulton se mungojnë komentet nga profilet joreale.

Profili zyrtar i Ish-Kryeministrit Berisha në Facebook

Konkretisht, analizuam dy videot e ish-Kryeministrit të realizuara më 22 shtator në Kuvendin e Parlamentit të Shqipërisë, video-postin nga deklarata e anëtares së Kryesisë së PD-së Mimoza Hajdarmataj, post-videon e publikuar më 21 shtator rreth fjalës së sportistes Krista Kovaçi gjatë bisedimit me Berishën dhe post-videon e bashkëbisedimit të ish-kryeministrit me kritiken letrare Lili Sula.

Të pesta këto video janë komentuar gjithsej 895 herë, ndonëse numri i ndjekësve të profilit të ish-Kryeministrit është afërsisht sa gjysma e popullsisë së Shqipërisë. Kjo mund të tregojë ose një numër të madh ndjekësish të rremë, ose një mungesë interesimi nga ana e këtyre të fundit.

Ndryshe nga politikanët e dy partive politike më të mëdha në vend, Presidenti Bajram Begaj numëron 3,3 mijë ndjekës dhe komentet e postimeve të tij shkojnë nga 5 deri në 25, të gjitha të kryera nga profile të vërteta.

Sa kushton të blesh ndjekës, komente e pëlqime?

Të blesh ndjekës, pëlqime (like) dhe komentues është shumë e thjeshtë, mjafton të kesh kartë debiti ose para cash,“ thotë eksperti i Teknologjisë së Informacionit (IT)  Sipas tij edhe në Shqipëri ka shumë faqe të cilat kundrejt 4 dollarëve ofrojnë 10 000 (dhjetë mijë) komente.

“Mund të blesh dhe komente të personalizuara, ku vetë blerësi vendos se çfarë do të shkruhet por kushtojnë. Çmimi varjon nga 50 dollarë deri në 80 dollarë”, shpjegon ai.

Said Duleviç, ekspert i Teknologjisë së Informacionit

“Personi që i shkruan këto komente të diktuara ka një profil aktiv në rrjetet sociale, gati-gati si të një personi të vërtetë. Kryesisht këto profile publikojnë postime që kanë të bëjnë me udhëtimet ose gastronominë”, vijon ai.

Përdorimi i rrjeteve sociale në përballjen politike dhe pasojat në demokraci

Sipas, ekspert dhe pedagog i Shkencave të Komunikimit, komentet e rreme synojnë manipulimin e opinionit publik.

“Strategjia e përdoruesve të rremë në rrjetet sociale dhe angazhimi i personave për të gjeneruar përmbajtje, komente dhe reagime të llogarive, kryesisht atyre të politikanëve synon qartazi manipulimin e opinionit publik”, thotë Çela duke shtuar se “komentuesit janë kryesisht njerëz nga Afrika, Indonezia dhe India të cilët nuk kanë lidhje as me përmbajtjen e mesazheve, as me realitetin shqiptar”.

Erlis Çela, pedagog i Shkencave të Kominikimit

Pedagogia e Shkencave të Komunikimit, Edlira Gjoni, mendon se publiku shqiptar ndodhet përballë një lumi informacioni të rremë, të pa verifikuar apo të shpërndarë nga profile jo reale, që e rëndon aftësinë e audiencës për të ndarë të vërtetën nga e gënjeshtërta.

Pasoja më negative është se njeriu mund të marrë vendime të gabuara kur është i mbingarkuar me informacione të rreme, sepse vepron nën trysninë dhe pavërtetësinë e realitetit online që i ofrohet pa asnjë filtër verifikimi”, thotë ajo, duke shtuar se “krijimi i opinioneve të gabuara, marrja e informacionit të cunguar çon qytetarët në marrjen e vendimeve të gabuara”.

Edlira Gjoni, pedagoge e Shkencave të Komunikimit

“Qytetarë të tillë bien pre e mashtrimeve politike, ekonomike apo sociale dhe janë shumë vulnerabël në marrjen e vendimeve për votime për shembull apo për investime, pagesa e të tjera vendime të gabuara që vijnë si pasojë e përmbajtjes dyshuese që vjen nga këto profile falso. Një rrezik i vërtetë për shoqërinë”, përfundon Gjoni.

Afrim Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Studime Politike, thotë se prej kohësh rrjetet sociale përdoren për luftë politike, “nisur dhe nga fakti se në Shqipëri vazhdon ende mentaliteti se sa më shumë ndjekës dhe komentues të kesh, aq më i suksesshëm je”.

“Deri para një periudhe gati 100 veta në Pallatin e Kongreseve formonin ushtrinë online të liderit dhe si detyrë kishin të sulmonin mendimin kundër nga kjo u kalua te kompanitë e huaja, siç e pamë dhe në fushatën e fundit që kompanitë izraelite kontrolluan rrjetet sociale dhe i drejtuan aty ku liderit e tyre donin”, kujton ai.

Në gjykimin e tij pasojat e vërteta të kësaj veprimtarie ndihen tek personat që kanë frikë nga pushteti, që janë pjesa më e madhe e gjeneratës së vjetër.

Afrim Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Studime Politike

“Kur një person i thjeshtë sheh se një vendim i Kryeministrit merr me mijëra komente pozitive dhe ‘like’, fillon të besojë se fati i tij varet nga këta njerëz që duken të shumtë dhe mund t’i prishin shtëpinë, mund t’i marrin pasurinë dhe mund të të shkatërrojnë. Këto mesazhe të rreme nga bota virtuale u drejtohen këtyre kategorive që duhet të heshtin dhe të pranojnë gjithçka që vjen nga lart”, thekson ai.

Krasniqi përfundon analizën duke paralajmëruar se “këto mekanizma deformojnë konceptin e demokracisë, e mendimit të lirë dhe të lirisë së medias”.