Rritja e çmimeve shton varfërinë energjitike në zonat rurale të Shqipërisë

Tahire Balla, 60 vjeçe nga Librazhdi është astmatike kronike. Në shtëpinë e saj xhamat janë të zëvendësuar me dërrasa. Në pjesën më të madhe të banesës myku është i dukshëm në mure. Dhoma ndriçohet nga një llambë e cila lidhet në tavan me dy fije elektrike të veshura vetëm me një shtresë izolanti, duke rrezikuar jo vetem familjem, por edhe bllokun e banimit pasi mund të jetë shkak për zjarre në ndërtesë.

Edhe pse marrin dritë nga një llampë dhe nuk përdorin mjete ngrohje, fatura e energjisë është e kripur për gjendjen e tyre financiare, rreth 6 mijë lekë të rinj në muaj. Aq sa pompat e asmës së saj. Nuk ndodh rrallë, që Tahirja duhet të bëjë një zgjedhje dhe rrëfen se sakrifikon shëndetin e saj për të paguar faturat e larta të energjisë elektrike.

‘‘Nuk ia dal dot deri në fund të muajit. Dy pompa e astmës që bëj unë kushtojnë rreth 6000 Lekë në muaj. Mua aq sa paguaj për pompat, më vjen fatura e dritave. Ndërsa dimrit më vjen edhe më e lartë fatura, ka pasur raste dhe 8000 Lekë  pasi nuk na mban të ngrohtin shtëpia. Gatuaj me energji sepse nuk kam mundësi për gaz dhe janë instalime të vjetra. Jam në listë borxhesh në farmaci dhe ndonjëhere që paguaj faturat e energjisë elektrike, sakrifikoj një nga pompat e mia’’,  shprehet ajo.

Foto nga shtëpia me dërrasa dhe plastmas e Tahires, një kryefamiljare e ve nga Librazhdi. Foto:Arlis Alikaj

Tahirja dhe familjarët e saj tregojnë se gjatë stinës së dimrit kishin kollë kronike dhe mjekja alergologe në Librazhd u kishte thënë se rrezikonin të mbartnin sëmundjen e astmës.

Historia e Tahires e cila duhet të heqë dorë ngë kujdesi për shëndetin për të paguar faturat, është vetëm një prej shumë të tillave, që i gjen në Shqipëri.

Ata vuajnë atë që njihet si varfëri energjitike. Varfëria energjetike është mungesa e aksesit në shërbimet dhe produktet moderne të qëndrueshme të energjisë, një kombinim i të ardhurave të ulëta, shpenzimeve të larta të të ardhurave të disponueshme për energji dhe efiçencës së dobët të energjisë, veçanërisht për sa i përket performancës së ndërtesave.

Në foto: Tahire Balla. Foto Arlis Alikaj

Varfëri energjetike është situata në të cilën një familje nuk mundet të aksesojë shërbimet energjetike në shtëpi në një nivel të atillë që mund të përballojë nevojat e saj sociale dhe materiale. Ajo ka pasoja të rënda për shëndetin dhe pabarazinë shëndetësore. Rrugët kritike të varfërisë energjetike drejt shëndetit të keq janë kushtet e dobëta termike dhe lagështia, cilësia e papërshtatshme e banesave dhe papërballueshmëria e shërbimeve të brendshme të energjisë.

Shëndeti i grave mund të ndikohet më keq, sepse modelet gjinore i ekspozojnë ato ndaj kalimit të më shumë kohë në shtëpi me mjedise të brendshme të dëmshme dhe stresit ose ndjenjave të pafuqisë.

Farie Topi, është një tjetër banore nga qyteti Librazhdit pjesë e komunitetit rom që thote se ndihet më shumë se kushdo e harruar nga pushteti vendor.  E harruar nga të gjithë.

“Kam shumë probleme me faturat e energjisë. Fëmijët më vuajnë lagështinë dhe të ftohtin e dimrit. I ftohti hyn nga të katërta anët. Me plastmas mundohem të bllokoj të çarat’’, thotë Farija.

Farija duke na treguar dritaren me ngjitës izolant për të bllokuar rrymat e ajërit. Foto: Arlis Alikaj

Sa janë shqiptarët të prekur nga varfëria energjitike?

Lira Hakani, eksperte mjedisore e shoqërisë civile dhe menaxhere programesh tek Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN) e cila është një nga organizatat mjedisore më aktive  në Shqipëri na jep përgjigjen e kësaj pyetje.

‘‘Është e vështirë të jepet një numër i saktë se sa të prekur janë shqiptarët. Mund të thuhet që në përgjithësi Shqipëria është një vend i cili është në varfëri energjetike. Duke qenë se është një koncept mjaft kompleks që lidhet jo vetëm me të ardhurat financiare, jemi të prekur, kush më shumë e kush më pak. Sigurisht që familjet me të ardhura më të ulëta, me kushte jo të përshtatshme të banesës së tyre në lidhje me efiçencën e energjisë, nuk arrijnë të plotësojnë nevojat bazë të përdorimit të energjisë elektrike për shkak të vështirësive ekonomike dhe janë drejpërdrejt të prekur nga koncepti i varfërisë energjetike.

“Qendra mjedisore EDEN në kuadër të projektit E-ACT ‘Empowering civil society activism and concrete contributions into the EU accession negotiation process in Albania’ mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, po zhvillon një vlerësim të varfërisë energjetike në nivel kombetar në zonat rurale të vendit.

“Të dhënat paraprake nga përpunimet fillestare tregojnë se mbi 90% e të anketuarve nuk kanë dëgjuar dhe nuk e njohin ligjin mbi performancën e energjisë në ndertesa, mbi 80% e të anketuarve kanë vështirësi në pagesën e faturës së energjisë elektrike, mbi 80% e të anketuarve përdorin drurin për të ngrohur ambientet e brendshme që gjithsesi ka një kosto e cila është dhe kjo e konsiderueshme në krahasim me të ardhurat mujore mesatare të familjeve të intervistuara rreth 20% e të ardhurave”,  tregon Lira Hakani.

Varfëria energjitike në Shqipëri, krizat e huaja dhe masat qe ka marrë qeveria për ta parandaluar këtë krizë

A ka ndikuar krizat e huaja në këtë varfëri? Nga studimi Qendrës Eden, duke qenë se varfëria energjetike është një koncept kompleks, çdo ndryshim në treg ka ndikimin e tij. ‘‘Sigurisht që në momentin e rritjes së cmimeve të produkeve bazë, pasi për momentin nuk ka ndryshim të vlerës së faturës së energjisë elektrike, familjet kanë ekonomi më të dobët dhe vështirëson më tej pagesën e faturës së energjisë eneltrike, apo në kryerjen e ndërhyreve në banesë për të përmirësuar performancën e banesës’’, shprehet Lira Hakani.

Kriza energjitike u reflektua menjeherë në vendin tonë, thotë Azmer Duleviç, ekspert energjitike, duke qenë se vendi ynë me prodhimin vetjak mbulon vetem 70% të kërkesës për energji elektrike dhe 30% i importon. “Çmimi i energjisë në bursë gati u katërfishua dhe për këtë arsye qeveria ka dhënë fond sovran me vlerë mbi 100 mln euro për të mbuluar koston e energjisë, por prapë ky fond ishte i pamjaftueshem. Patjeter ka ndikuar edhe konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës sepse energjia elektrike në vendet Europiane prodhohet nga termocentralet të cilat lëndë të parë kanë gazin rus”, thotë Duleviç.

Në foto: Nusja e Farie Topit duke na treguar të çarat në mur. Fotot: Arlis Alikaj

Por sa duhet të ishte fasha e mbështetjes për familjet në nevojë?

Pyetjes se çfarë duhet bërë më shumë dhe  nëse masat e deri më tanishme janë të mjaftueshme, Lira Hakani i përgjigjet duke thënë se e rëndësishme është që familjet më të ndjeshme, jo vetem ato të vlerësuara vulnerabël sipas përkufizimit të ligjit, por dhe familjet që përballen në këto momente me vështirësi ekonomike të mund të ndihmohen financiarisht. “Në një nivel apo në një tjetër të gjithë jemi të prekur nga varfëria energetike, duhet të bëhet një prioritizim i familjeve më të prekura nga varfëria energjetike që të ketë një mbështetje të drejtë dhe që familjet të jenë në gjendje të plotësojnë nëvojat bazë të kërkesës për energji në banesë”, shpjegon ajo.

Nga ana tjetër  Duleviç ndan mendimin se fasha duhet të jetë mbi 1000 kwh që të mos preken familjet në nevojë.  “Nga ana e qeverisë duhet të ketë plane mbështetëse financiare për abonentët familjarë dhe bizneset për implementimin e paneleve fotovoltaike”, thekson ai.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së Ballkanit të Hapur në Ohër tha se Shqipëria është nje shtet vurnerabël përsa i përket krizës energjitike, por eksperti energjitikës Azmer Duleviç  nuk është aspak dakord me këtë deklaratë të kreut të qeverisë. “Vendi ynë është vend me potenciale energjitike si hidrike, eulike (impiantet me erë) dhe diellore në krahasim me vendet e rajonit”, përfundon ai.

Pasojat e varfërisë energjitike

Pasojat e varfërisë energjetike prekin jetën e përditshme në aspektin social dhe shëndetësor. Duke qenë se nuk arrihet të plotësohen nevojat bazë të “komoditetit”, shëndetit është i pari që preket, duke ndikuar në rritjen e vështirësive ekonomike dhe në një jetë sociale jo të mirë.

Varfëria Energjitike po rëndon shëndetitin e familjeve vulnerabël në Librazhd dhe Prrenjas. Nga vizitat në familjet vulnerabël vihet re se kushtet e jetesës së disa prej tyre janë në ekstremitetin e pranueshëm.

“Varfëria energjetike ka pasoja të rënda për shëndetin dhe pabarazinë shëndetësore. Rrugët kritike të varfërisë energjetike drejt shëndetit të keq janë kushtet e dobëta termike dhe lagështia, cilësia e papërshtatshme e banesave dhe papërballueshmëria e shërbimeve të brendshme të energjisë. Këto kushte janë shoqëruar me vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë e tepërt e dimrit për shkak të sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare. Shëndeti i grave mund të ndikohet më keq, sepse modelet gjinore i ekspozojnë ato ndaj kalimit të më shumë kohë në shtëpi me mjedise të brendshme të dëmshme dhe stresit ose ndjenjave të pafuqisë”, shprehet alergologia Rezarta Hoxha.

Nga të dhënat e vizitave spitalore për spitalet Librazhd dhe Përrenjas, numri i të sëmurëve me bronkitin azmatik është rritur ndjeshëm, kjo si pasojë e mos sigurimit të ngrohjes në shtëpi, ndotjes së ajrit apo dhe përdorimit të ujit të ftohtë në larje.

‘‘Shumë Librazhdiotë dhe Elbasanas përdorin drutë e zjarrit si mjet ngrohje, por u vete më shtrenjtë sesa energjia elektrike. Çmimi i drurëve të zjarrit është shtrenjtuar plus do llogarisësh dhe transportin, prerjen, sharrën, sistemimin si dhe ndotjen që i bëhet mjedisit dhe vetë shëndetit të qytetarëvë që ngrohen. Shumica e banorëve nuk kanë as filtra për sobat e zjarrit duke mos e filtruar tymin që del nga oxhaqet. Plus, kam pasur dhe shumë eksperienca me familje që kanë shumë rryma ajrri në shtëpi dhe harxhojnë shumë biomasë për t’u ngrohur dhe dhomat nuk i kanë të ngrohta sepse kanë dyer të vjetra dhe dritare jo të izoluara termikisht. Nuk e di kur do ndryshojë kjo kulturë, por di të them që shumica nuk i bën mirë llogaritjet’’ tha Ferro një tregtar sobash me dru nga Librazhdi.

Pjesa më e madhe e familjeve rurale në zonën e Librazhd dhe Prrenjasit vuajnë nga varfëria energjitike, shumë herë më lart se mesatarja evropiane prej 5%. Kjo i shtyn ata të përdorin dru për të ngrohur shtëpitë e tyre, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e tyre dhe ndotjen në mjedisi.

Në fotot pamje nga lagështira, plasmasi, dritaret dhe shtëpia e rrënuar e Farie Topit, Librazhd. Fotot: Arlis Alikaj

Në një raport të Agjensisë Evropiane të Mjedisit u vlerësua se ndotja e ajrit shkaktoi më shumë se 30,000 vdekje të parakohshme në vitin 2019 në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

raportin e parë dyvjeçar të përditësuar për Shqipërinë nga PNUD (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) thuhet, ‘‘Ndotja e ajrit ndikon në shëndetin tonë dhe në oksigjenin që thithim. Shumica e të gjitha familjeve në Shqipëri, përdorin drurin si lëndë të parë për ngrohje, duke ndikuar negativisht në shëndetin e tyre.’’

Ekonomia e familjeve shqiptare më e dobëta që nga periudha e pandemisë

Sipas vrojtimit të Besimit të Konsumatorëve të Bankës së Shqipërisë për muajin prill, shumica e familjeve kanë deklaruar se situata e tyre financiare është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit.

Rritja e çmimeve sidomos atyre të shportës së ushqimeve ka përkeqësuar financat e familjeve shqiptare. Në muajin prill për shembull, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, kërceu në 6.2%  në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Sigurisht që ky shtrenjtim duket se ka goditur më shumë familjet me buxhet të ulët. E kundërta paraqitet situata për familjet me të ardhura të larta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim për pritshmëritë për blerjet e mëdha për makina, blerje shtëpie, apo rikonstruksion shtëpie.

Gjithashtu Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHE raporton për një rritje të dukshme të faturave të papaguara në kohë nga ana e konsumatorëve nëse krahasimin e bëjmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas shifrave të janar-mars 2021 OSHEE arkëtoi kamatëvonesë për 25 për qind të faturave të emetuara ku nga 2.8 milionë që u emetuan rezultuan me vonesa në pagesë 724 mijë.

Burimi: Banka e Shqipërisë.

Ligjin 116/2016 për performancën e energjisë së ndërtesave, vite dritë larg zonave rurale…

Metodologjia Kombëtare e Llogaritjes së Performancës së Energjisë së Ndërtesave përdoret për llogaritjen e nivelit të konsumit të energjisë në përputhje me kërkesat e performancës së energjisë së ndërtesave, njësive dhe elementeve të ndërtesave, me qëllim vlerësimin dhe plotësimin e certifikatave të performancës së energjisë. Ajo duhet të marrë në konsideratë dhe të përshtatet me legjislacionin në fuqi për ndërtesat dhe legjislacionin e Bashkimit Europian.

Performanca e energjisë së një ndërtese duhet të përcaktohet në bazë të energjisë së llogaritur ose energjisë vjetore aktuale që është konsumuar, me qëllim për të plotësuar nevojat e ndryshme, dhe duhet të reflektojë nevojat e energjisë për ngrohje e ftohje për të mirëmbajtur kushtet e temperaturës së ndërtesës dhe nevojat për ujë të ngrohtë.

Në 95%  e rasteve të intervistuarve në zonat rurale, shumica prej banorëve u shprehën se e dëgjonin për herë të parë ligjin 116/2016 “Për performancën e energjisë së ndërtesave” dhe as që ia kishin idenë për detyrimet që ai sjell. Ky fakt nxori në pah se në Shqipëri pensionistët dhe prindërit e vetëm si dhe familje nga zona rurale e kanë më të vështirë të sigurojnë ngrohje në shtëpitë e tyre. Për shkak të ardhurave të ulëta të disponueshme, familjet në varfëri energjetike zotërojnë pajisje joefikase që kontribuojnë në rritjen e kërkesës për energji dhe rrjedhimisht varfërinë energjetike.

Masat e zbatimit të këshillave për eficencë energjie me kosto të ulët duke përfshirë për shëmbull instalimin e masave të thjeshta dhe me kosto të ulët të eficencës së energjisë gjejnë pak zbatim.

“Nga anketimet e kryera në 5 fshatra të qarkut Elbasan, më bëri përshtypje se disa familje nuk  ishin në gjendje të ngrohnin si duhet shtëpitë e tyre, edhe pse ishin në marrëdhënie pune. Ajo që më preku më shumë ishte fakti se shumica e tipologjive të ndërtimit të shtëpive të tyre private ishin shumë të thjeshta, megjithëse ata blinin shumë metro kubë dru apo biomasë për t’u ngrohur, kjo nuk ishte efiçente pasi shtëpia nga brenda dhe jashtë ishte e paizoluar duke sjell shumë rryma ajëri. Kjo i linte fshatarët edhe më tej të margjinalizuar’’, tha Florenc Allmuça, një prej anketuesve të angazhuar  në studimin kombëtar për Varfërinë Energjitike.

Qytetarët ndihen të pambrojtur dhe pa plan masash përballë Varfërisë Energjitike

Në shumicën e rasteve në zonat rurale hasa shtëpi me plastmas dhe dru jo cilësor. Si në foton më lartë, në familjen e zonjës Tahire Balla, në lagjen Shkumbini Librazhd fatura mujore e energjisë vinte shumë e lartë. Tahirja e ndërgjegjshme që nuk ka mundësi ekonomike për të blerë pajisje elektroshtëpiake që kursejnë energjinë apo të bëjë një termoizolim të shtëpisë shprehet se ndihet e pafavorizuar dhe e harruar nga pushteti lokal dhe qëndror.

Ajo shpreh me indinjatë se nuk ka një fashë mbrojtëse për këto shtresa si ato që jetojnë në zona rurale, të papunët si dhe familjet rome dhe egjiptiane. Gjithashtu shtrenjtimi i naftës dhe i çmimit të drurëve (sot një metër kub dru shitet deri në 6000 Lekë nga 4000 që ka qënë vite më parë) ka sjellë përdorimin më shumë të energjisë energjitike duke theksuar hendekun e mbijetesës dhe rritur varfërinë energjitike në zona rurale.

Pas Kosovës, Shqipëria vendi me më shumë varfëri energjitike në rajon

Por si qëndrojmë ne në krahasim me vendet e rajonit apo fqinjin tanë, Maqedoninë e Veriut?

Të paktën 37% e shqiptarëve vuajnë edhe nga varfëria energjetike, shumë më lartë se mesatarja evropiane prej 5%, sipas një studimi nga institutet e energjisë DOOR dhe EIHP, ku trajtohet varfëria energjetike në vendet që janë anëtare të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Mungesa e ngrohjes është ajo që i shtyn i shtyn familjet e varfra të përdorin dru për të ngrohur shtëpitë, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e tyre. Në mesin e nëntë vendeve te marra në shqyrtim nga raporti, Kosova ka pjesën më të madhe të familjeve që jetojnë në varfëri energjetike me 40%. Në vend të dytë vjen Shqipëria me 37%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 33%, Serbia me 22% dhe Mali i Zi me 15% thotë më tej studimi.