Shumëfishon buxhetin për paketën sociale, por në të vërtetë qeveria harxhon për qytetarët 9 herë më pak krahasuar me evropianët

Paketa e rezistencës është një përpjekje minimale do ta quaja deri në këtë moment sepse ende qeveria nuk e ka të qartë çfarë ndikimi ka dhënë kriza”, këmbëngul për “Sinjalizo”, Bardhi Sejdarasi, një ekspert ekonomie. Ai është i mendimit se e gjitha kjo është një përpjekje minimale së bashku me padijen se sa do të ndikojë realisht kriza në xhepat e qytetarëve. “Në dijeninë time një paketë tjetër po përgatitet”, parashikon Sejdarasi.

Vlerësimi i ekspertit lidhet me qëndrimin që mbajti qeveria në mars të këtij viti kur e shtyrë nga kriza energjitike dhe rritja e çmimeve, qeveria alokoi fondin shtesë prej 26 miliardë lekëve apo  rreth 260 milionë dollarë. E gjithë kjo shumë u deklarua se do të shkojë për kompensimin e dritave dhe për paketën e rezistencës sociale.

Po sa mund të amortizojë kjo paketë efektet e krizës dhe rritjen e çmimeve që ka sjellë?

Bardhi Sejdarasi

Sejdarasi thotë se paratë e taksapaguesve për momentin duhet të shkojnë tek kompanitë që të subvencionohen, në mënyrë që të sigurojnë furnizim të mjaftueshëm të disa produkteve pasi kriza po e bën më të vështirë.

“Efekti zinxhir që vjen nga produktete e munguara në treg është shumë i madh. Buxheti ka eleminuar një pjesë të shpenzimeve të planifikuara në fillim të vitit që shkojnë jo më pak se 10,5 miliardë në fazën e parë dhe që shkojnë deri në 5 miliardë të tjera në të ardhmen. Ndikimi i madh i mungesës së shpenzimeve publike jep në treg efekte sic janë papunësia”, tha Sejdarasi.

Pasojat që nuk llogariten janë tek qytetarët

Endrit Nezaj është një i ri 25-vjeçar që jeton në Tiranë. Ka mbaruar për financë dhe thotë për “Sinjalizo”, se situata e krizës e reflektuar në rritje çmimesh ka sjellë një situatë jo pak të vështirë dhe të pasigurt për të dhe brezin e tij.

“Problematikat më kryesore për këtë periudhë do veçoja nivelin e lartë të çmimeve me të cilat po përballemi, papunësinë dhe pagat e ulta në disa sektorë. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore si dhe çmimit të naftës detyron një pjesë të madhe të rinisë të shpenzojnë më shumë para për gjërat bazike dhe i ngelen shumë më pak për t’i shpenzuar për zbavitje, dëfrim dhe aktivitete te tjera”.

Endriti tregon më tej se shumë të rinj si puna e tij kjo situatë po i shtyn edhe më shumë drejt rrugëve të panjohura, një ndër to, largimi.

“Një ndikim më të madh dhe dekurajim mendoj që do të ndodhë te ajo pjesë e të rinjve që realisht punojnë me paga mesatare dhe përballojnë të gjitha shpenzimet vetë përfshirë dhe shpenzimet e qerasë. Standarti i jetesës për këta të rinj do jetë shumë i ndryshuar dhe për fat të keq jo për mirë dhe mund t’i vendosë përballë zgjidhjeve të tjera dhe një ndër to është dhe largimi nga vendi.”

Buxheti i bujqësisë ndër vite, çfarë tregojnë shifrat

Bujqësia është sektori më i madh për nga rëndësia në kontributin që jep në ekonominë shqiptare. Megjithatë vëmendja e marrë ndër vite ka qenë e pamjaftueshme dhe “e padrejtë” për aq sa ajo kontribuon në ekonomi dhe punësim.

Nëse shohim shifrat, për vitin 2022 qeveria ka menduar 12 miliardë lekë si shpenzime buxhetore për sektorin e bujqësisë. Ndërkohë vitin që shkoi kjo shifër ishte 12,8 miliardë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2021 sektori i bujqësisë u rrit vetëm me afro 0,3 %, një nga rritjet më të ulta.

Por ministria e financave në raportin “Buxheti për Qytetarët” për vitin 2022 thotë se i ka prioritet fermerët. Ata, sipas ministrisë së financave do të përfitojnë rreth 7.1 miliardë lekë financime nëpërmjet skemave të ndryshme, që synojnë zgjerimin e aktiviteteve të tyre prodhuese bujqësore, blegtorale dhe rritjen e eksporteve.

Pjesë nga raporti Buxheti për qytetarët

Të parët fermerët…

Megjithatë shumë fermerë kanë shpresë se do largohen  nga vendi, mbasi  jetesa është bërë e vështirë.

Durim Nika, është 30 vjeç dhe punon me blegtorinë prej disa vitesh tashmë në zonën e Pezë Helmësit në periferi të Tiranës.

Kam 400 krerë dhi, me ulje ngritje na ka hec’, njer mirë e njer keq. Mbështetje nuk nuk ka të vazhdueshme për sektorin tonë. Nji vit ka mbështetje një vit nuk ka. Për shembull, dëgjoj që thonë jo vaksina falas jo gjëra të tjera falas për blegtorinë, unë realisht nuk i shoh ku janë kto gjëra falas”, tregon Durimi.

Do vazhdojmë njer”, thotë Durimi kur e pyesim se si i ka planet për të ardhmen dhe a sheh shpresë për biznesin e tij.

Buxheti i shëndetësisë dhe e vërteta në terren

Shifrat flasin se brenda katër viteve fondet e buxhetit të alokuar për ministrinë e shëndetësisë janë rritur 27% ose rreth 16 miliardë lekë. 80% e rritjes së këtyre fondeve ka shkuar për financim shtesë në programet e shëndetësisë.

Megjithatë kundrejt ministrisë së shëndetësisë ka pasur kritika të vazhdueshme për shembull për menaxhimin që ia ka bërë pandemisë së Covid-19.

Janë 15 mijë vdekje shtesë në Shqipëri në dy vitet pandemike të cilat ekspertët ia faturojnë keqmenaxhimit të pandemisë e si rrjedhojë mijëra shqiptare humbën jetën nga virusi dhe pasojat që ai lë pas në shëndet.

Osman Stafa, me profesion gazetar, së fundmi publikoi për Investigate Network Albania një investigim në lidhje me mungesën e barnave. Dhjetëra fëmijë me sëmundje të rënda, tumorale përballen me mungesën e ilaçeve të kimioterapisë. Q.S.U.T nuk e pranon mungesën e këtyre ilaçeve jetë-shpëtuese, por të dhënat tregojnë se një pjesë e këtyre medikamenteve jetë-shpëtuese mungojnë edhe për vite të tëra.

“Investigimi im ka nisur në nëntor të vitit të shkuar kur vihem në dijeni nga familjarë se në Pediatrinë Onkologjike në QSUT kishte mungesa të medikamenteve. Prindërit më kërkonin ndihmë. Familjarët më treguan të gjitha peripecitë që hiqnin, që kishin hyrë në kredi, kishin shitur tokat, gjënë e gjallë për të blerë ilaçet e fëmijëve. Problemi ishte sigurimi i ilaçeve përmes kontrabandës. Familjarëtt edhe kur i kishin lekët nuk mund t’i gjenin ilaçet. Pastaj hynin në lojë sekserët, që siguronin ilaçet me vlerë shumë të madhe. Kulmi ishte kur një fëmijë në spital mjekët i kishin thënë të linte spitalin se nuk kishte medikamente”, tha gazetari Stafa për ACQJ.

Fëmijë në QSUT me sëmundje të rëndë

Por a është mungesa e ilaçeve një fenomen i izoluar? Osmani nuk mendon kështu.

“Mungesa e ilaçeve nuk është fare një problem i izoluar, është një problem shumë i madh por që është i patrajtuar mirë nga media. Vetëm gjatë këtyre ditëve më kanë shkruar pafund qytetarë të ndryshëm nga pavionet të ndryshme për mungesë të ilaçeve, Është i fshehur sepse askush nuk flet për të.”

Për Taulant Mukën, mjek epidemiolog në Zvicër, shëndetësia në Shqipëri ka disa probleme.

Taulant Muka

“Ka disa prioritete ku duhet të fokusohemi, në radhë të parë burimet njerëzore, specialistët si në qendrat e mëdha ashtu edhe në zonat rurale. Covid-19 tregoi se ne nuk kemi specialistë në shumë fusha. Tregu i huaj, kryesisht gjerman po na merr dhe ata që kemi. Është e nevojshme të shikohet sistemi i rrogave. Është e nevojshme edhe sistemi i meritokracisë. Pra futja në punë të mos bëhet nga politika por nga aftësitë e individit. Është fatkeqësi që të kemi vetëm një qendër spitalore universitare në vend cka bën që të ketë monopolin dhe kontrollohet nga politika. Në Shqipëri ka edhe shumë mungesë të aparaturave”, tha Muka për “Sinjalizo”.

Sa shpenzon Bashkimi Europian dhe Shqipëria për secilin sektor, po prioritete a kemi në ekonomi?

Sipas të dhënave të Open Data Albania, në vendet e Bashkimit Europian mesatarja e shpenzimeve publike për frymë është total 12,684 Euro. Në Shqipëri shteti harxhon për frymë nëntë herë më pak. Pra ajo çka shteti shpenzon për frymë, për të ofruar ndihmë apo pensione; arsimim; shëndetësi;rend dhe siguri; investime P-publike; kosto për shërbim administrate deri edhe kosto për funksione si kultura; argëtimi apo mbrojtja e mjedisit në vend, është nëntë herë më pak se ajo çka ofrojnë në mesataren e tyre vendet e Bashkimit Europian.

Për Mbrojtjen Sociale, ku futen edhe pensione të pleqërisë apo të paaftësisë, vendet e Bashkimit Europian në mesataren e tyre kanë shpenzime buxhetore për frymë në vlerën 5,256 Euro. Ndërsa në Shqipëri shteti shpenzon 11.5 herë më pak ose 455 euro. Po njësoj në raport 13 herë më të ulët qëndron financimi që Shqipëria bën për sektorin e shëndetësisë. Arsimi gjithashtu ka një raport 8 herë më pak në Shqipëri kundrejt vendeve të BE.

Jo vetëm në vlerë nominale por edhe si raport shpenzim për funksione buxhetore kundrejt produktit të brendshëm bruto, Shqipëria ka një pozicion inferior. Psh. vendet Europiane shpenzojnë për funksione publike rreth 46.6% të vlerës P-prodhimit të brendshëm bruto. Shqipëria shpenzon 29.3 %.

Nga analiza krahasuese e shpenzimeve funksionale në raport të PBB-së, në Shqipëri dhe në Bashkimin Evropian për vitin 2019, rezulton që mbrojtja sociale është funksioni me mbështetje më të lartë buxhetore megjithëse me ndryshim relativisht të lartë, në Shqipëri rreth 9.3% të PBB-së ndërsa në BE rreth 19.3% e PBB-së.  Shpenzimet vjetore për banorë në Shqipëri rezultonin 455 ndërsa në BE 5,256 euro.

Funksioni i dytë me peshën më të lartë të shpenzimeve në BE është shëndetësia me 7% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri shpenzimet për shëndetësi janë rreth 3% e PBB-së.

Për strehim dhe komoditete, shpenzimet në Shqipëri rezultojnë 2.2% të PBB-së ose 105 euro për banorë, ndërsa në BE ka peshën më të ulët rreth 0.6% e PBB-së ose 158 euro për banorë.

Në Shqipëri funksioni me mbështetjen më të ulët është mbrojtja e mjedisit, ku shpenzimet në 2019 rezultuan më pak se 0.2% e PBB-së ose 9 euro për banorë, ndërsa në BE 214 euro për banorë.

Po a ka qeveria dhe shteti shqiptar prioritete në ekonomi që dhe për rrjedhojë reflektohen në tortën e buxhetit çdo vit?

Eksperti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi thotë se Shqipëria e vuan mungesën e prioriteteve dhe strategjive të qarta ekonomike.

“Qeveritë shqiptare i kanë ndryshuar herë pas herë prioritetet. Kjo sepse në një moment del në pah një sektor e më pas një tjetër. Ne kemi pasur përpunimin, agroturizmin, pra turizmin. Ne nuk kemi pasur prioritet rritjen e prodhimin vendas dhe ai duhet stimuluar. Ne nuk kemi një strategji që të themi cfarë modeli ekonomik kemi sot, çfarë sektorësh prioritarë kemi dhe si i financojmë këto sektorë. Sot këdo që të pyesësh nuk të thotë dot njeri që po ndjekim këtë model ekonomik. Mjafton të përmendim që deri më sot janë hartuar një 7 strategji për zhvillimin e turizmit, nja 7 të tjera për eksportet. Dhe askush nuk të thotë se cili ka qenë ndikimi i kësaj strategjie në një sektor. Ne kemi problem shumë të madh me menaxhimin e ekonomisë dhe mënyrën si përcaktojmë prioritete”, tha Sejdarasi për “Sinjalizo”.