Kur ligjin për tabelat e punimeve nuk e zbaton as Bashkia e Tiranës

Kur mbaron kjo punë?!

Autor: Denis Tahiri, Geri Emiri

Mesi i muajit shkurt të këtij viti i gjeti nxënësit e shkollës Gustav Majer në bojkot të procesit mësimor dhe prindërit në protestë. Shkaku: transferimi i nxënësve në shkolla të tjera, deri në përfundimin e rikonstruksionit.

Në hyrje të shkollës është vendosur tabela e punimeve me vlerë rreth 70 mijë euro.

Në tabelën e punimeve të financuara nga Bashkia e Tiranës caktohet afati i punimeve 6 muaj, pa pasur një datë të fillimit dhe mbarimit të tyre. Pas protestës së prindërve bashkia e shtyu afatin e fillimit të punimeve pranë përfundimit të vitit shkollor.

Rasti i shkollës publike Gustav Majer nuk është i vetmi.

Qendra për Gazetari Cilësore vëzhgoi tabelat e 8 punëve publike të Bashkisë së Tiranës që nisin nga rikualifikimet e blloqeve të banimit, rindërtimit të rrugëve, ndërtimittë parkimeve nëntokësore dhe deri te tabelat e rikonstruksioneve dhe ndërhyrjeve në shkolla.

Në to rezulton se zbatohet vetëm një pjesë e kritereve të përcaktuara në Udhëzimin e 15 shkurtit të vitit 2001, “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit” dhe në Vendimin numër 894 të datës 14.11.2015.

Ndryshe nga Bashkia, kompanitë private të ndërtimit vendosin në tabelat e punimeve të tyre afatin kohor të përfundimit të punimeve, me datën përkatëse, muajin dhe vitin.

Qendra për Gazetari e konstatoi këtë në 3 kantiere për ndërtimin e godinave shumëkatëshe pranë Rrugës së Elbasanit.

Paralelisht me ndërtimin e stadiumit Arena Kombëtare, në sheshin Italia, Bashkia e Tiranës po vijon punën për ndërtimin e parkimit nëntokësor me kapacitet 200-vendësh.

Ndërtimi zë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe do të krijojë dy kate parkimi nëntokë, por kriteret ligjore si “Sipërfaqja e ndërtimit, numri i kateve nëntokë, si edhe intensiteti sizmik i sheshit të ndërtimit” mungojnë si të dhëna në tabelën e punimeve që bashkia ka vendosur në hyrje të kantierit.

Për objektet mbi 8 kate të dhënat e studimeve inxhinierike-sizmologjike, të marra nga Instituti i Sizmologjisë”, duhet të paraqiten si të dhëna në tabelën e punimeve, por në 3 ndërtimet private të godinave shumëkatëshe nuk u konstatua paraqitja e këtyre te dhënave.

Vendimi për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ai i njësisë vendore detajon të dhënat që duhet të paraqiten në tabelën e punimeve si: sipërfaqja e ndërtimit, intensiteti i ndërtimit, sipërfaqja e parcelës ose parcelave që preken nga zhvillimi, sipërfaqja rrugore që ndërtohet, një numër telefoni për kontaktim sipas nevojës dhe të dhëna të tjera.Këto elementemungojnë në 8 tabelat e punëve publike të Bashkisësë Tiranës, vëzhguar nga Qendra për Gazetari Cilësore.

Kriteret për tabelat e punimeve

Edhe pse në punët publike është shkruar kohëzgjatja e muajve kalendarikë të ndërtimit, askush nuk mund ta dijë kohën kur përfundon për shkak të mungesës së një date për fillimin dhe mbarimin e punimeve. Ndërkohë, situata është krejt tjetër me investimet private.

 

Punime Publike                                                                            Punime Private
    
   

Ajo që shihet në shumë nga tabelat e vendosura në kantieret e ndërtimit nga ana e Bashkisë së Tiranës, është mungesa e informacionit për lejet e ndërtimit.

Një nga të dhënat që ligji kërkon të vendoset në tabelën informuese, është edhe numri i lejes së ndërtimit, por ashtu si mund të shihet në fotografitë më lart, kjo e dhënë nuk pasqyrohet në asnjë prej punëve të Bashkisë.

Bashkia e Tiranës nuk pranon të flasë

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës është përgjegjës për kontrollin e punëve publike që bashkia kryen, duke kontrolluar edhe zbatimin e kritereve për tabelën e punimeve.

Qendra shqiptare për Gazetari Cilësore, pas vëzhgimit të kryer në terren, konsultimit me ligjin dhe me ekspertët e fushës, iu drejtua këtij Inspektorati me një kërkesë për informacion.

Përgjigjja mungoi, duke shkelur kështu ligjin për të Drejtën e Informimit të Publikut me dokumente zyrtare (ligji 119/2014). Në zbatim të këtij ligji, iu drejtuam Komisionarit për të Drejtën e Informimit, ashtu si dhe ligji e parashikon qartësisht.

Komisionari për të Drejtën e Informimit i kërkoi Bashkisë të kthejë përgjigje, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk u soll asnjë përgjigje nga Bashkia e Tiranës.

Ligji detyron që për nisjen dhe përfundimin e punimeve të ketë transparencë.

Mungesa e saj nuk është vetëm thyerje ligji, por edhe thyerje besimi ndaj publikut për investimet me fondet e publikut.

 

*Redaktor: Lutfi Dervishi

**Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Tiranalytics: Një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës” që mbështetet nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane pwr Zhvillim dhe Bashkëpunim. Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet dhe qëndrimet e donatorit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter