Metamorfoza e Lumës – nga lumë, në kaskadë hidrocentralesh

Autor: Gëzim Hilaj

Tri vite më parë, Romana Vllahutin, ish-kryetarja e delegacionit të BE-së në Tiranë, nga fshati Shishtavec i Kukësit bëri një thirrje kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Ajo iu kërkoi banorëve të zonës të mos shpërngulen nga ky vend, ku është investuar me fondet e BE-së për rikonstruksionin e rrugës që lidh zonën me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ku potenciali turistik dhe ekonomik është tejet i lartë dhe bukuritë natyrore janë të shumta.

Sot, realiteti është krejt ndryshe. Deri tani në Grykën e Vanave, në harkun kohor të katër viteve (2012-2016), në shtratin e lumit Luma janë ndërtuar dhjetë hidrocentrale, duke e kthyer shtratin e lumit në një shkretëtirë të mirëfilltë, ndërkohë që janë projektuar pesë hidrocentrale të tjera.

Pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, lumi Luma, nga një lumë me prurje të bollshme, është kthyer në një rrjedhë pa ujë, si pasojë e ndërtimit të këtyre investimeve hidroenergjitike. Hidrocentralet janë të tipit “BOT”, që funksionojnë si një i vetëm, japin dhe marrin nga njëri-tjetri, duke kryer shfrytëzimin maksimal të ujit dhe duke e kthyer shtratin e lumit përgjatë periudhës së shfrytëzimit në një shkretëtirë, të thatë e pa jetë.

Ndërtimi i hidrocentraleve “Bele 1”, “Topojan 1”, “Orgjost i Ri”, “Bele 2” dhe “Topojan 2” është miratuar nga Ministria e Energjitikës, në nëntor të vitit 2008. Këto HEC-e janë ndërtuar nga kompanitë koncesionare “Euron Energy”, “Energal sh.p.k.” dhe “Alb-Energy sh.p.k.”.

Ndërkohë që hidrocentralet “Borje”, “Oreshkë”, “Cernaleva 1” dhe “Cernaleva 2” janë ndërtuar nga shoqëria “HidroAlbania Energji”. Hidrocentrali i fundit i Pobregut është ndërtuar nga kompania koncesionare “Energy Plus sh.p.k.”.

Lumi Lumë

Banorët e zonave, ku kalojnë degët e lumit Luma, kanë vite që e kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve. Në fshatrat Topojan dhe Borje banorët janë të shqetësuar për dëmtimin e lumit, por duken të dorëzuar dhe nuk kanë dëshirë të prononcohen më tej për ndërtimin e HEC-eve.

“Nuk është momenti me fol për hidrocentralet tani. Ne kemi protestu në vitin 2018 në Tiranë kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Nuk kemi çfarë të bëjmë ma. Nuk mundemi m`u kap me pushtetin”, – thotë një banor i Topojanit që preferon të jetë anonim.

Lejet e ndërtimit, të dhëna më 2 shkurt 2018 nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit për pesë hidrocentralet e reja: “Zaje”, “Tujan”, “Xhaferraj”, “Kollovoz” dhe “Novosejë”, brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik, kanë hasur në kundërshtimin e përsëritur të banorëve të zonës. Në prag të fushatës zgjedhore të 25 prillit 2021, në një takim të hapur me banorët kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, iu premtoi atyre se këto HEC-e nuk do të ndërtoheshin.

“Para disa ditësh ishte Safet Gjici këtu në një takim me banorët. Ai na tha se hidrocentralet e reja nuk do të ndërtohen, edhe pse leja është dhanë”, – thotë banori i Topojanit, teksa shton se nuk është konsultuar askush me ta për hidrocentralet.

“Askush nuk asht pyet për hidrocentralet që janë ba. Ne nuk kemi dhanë asnjë firmë për këtë.

Po shteti i ban edhe njëzet hidrocentrale të tjera dhe nuk do t`ia dijë për ne”.

Tubacione të devijimit të ujit të lumit drejt hidrocentraleve tip BOT

Mungojnë investimet në infrastrukturë, por jo në hidrocentrale

Gjatë gjithë rrugëtimit drejt fshatit Borje, pjesë e Shishtavecit, rruga që kalon mbi hidrocentralin Borje, nuk është mirëmbajtur. Ndërtimi i hidrocentralit këtu nuk ka ndikuar në rregullimin e rrugës nga Kukësi drejt Borjes. Banorët e këtij fshati shohin dhe ndjejnë kontrastin e madh mes investimit të konsiderueshëm për hidrocentralin dhe gjendjes së infrastrukturës.

Krenar Bilali, banor i Borjes, thotë se ndërtimi i hidrocentraleve nuk e ka përmirësuar jetesën e banorëve të zonës. Problemet vazhdojnë të jenë po ato që ishin edhe para ndërtimit të tyre.

“Kanë ik pjesa dërrmuese e banorëve. Kanë shkuar drejt Gjermanisë dhe vendeve të Europës.

Në Borje është ndërtuar hidrocentrali dhe banorët mes katër maleve nuk kanë ujë të pijshëm. Kemi probleme edhe me energjinë elektrike. As në rrugën e Borjes, që është në kushte të mjerueshme, nuk kanë vënë dorë.”, – thotë Bilali.

[sliders_pack id=”5565″]

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor (VNM), ka qenë kundër ndërtimit të hidrocentralit “Oreshka”. Në përgjigjen e kërkesës për informim, Agjencia e konsideron këtë zonë “me vlera të larta për menaxhimin e habitateve dhe llojeve; dhe zhvillimi i një aktiviteti të tillë do kishte një ndikim mjaft negativ në mjedis. Në Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor (VNM), thuhet se, referuar ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” për këtë zonë zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes dhe ndalohet ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura dhe si e tillë nuk lejohen investime të kësaj natyre.

Olsi Nika, drejtor i EcoAlbania-s, thekson se hidrocentralet e ndërtuara në lumin Luma janë problematike, sepse kompanitë koncesionare nuk e zbatojnë kontratën për të lëshuar një sasi të ujit në lumë për atë që quhet prurje ekologjike, si dhe për shkaktimin e mungesës së korridoreve biologjike.

“Problemi i parë është fragmentimi në masën 80% i lumit Luma. Me këtë fragmentim praktikisht si ekosistem e ka humbur funksionalitetin dhe integritetin natyror, sepse ka humbur atë që quhet “lidhja longitudinale”. Luma nuk është më një lumë, por kaskadë hidroenergjie, e rregulluar. Kompanitë koncesionare nuk e zbatojnë kontratën për të lëshuar një sasi të ujit në lumë, që quhet prurje ekologjike. Problemi i dytë është me korridoret biologjike. Korridoret biologjike janë të vendosura në digat e HEC-eve, por ato nuk janë gjatë gjithë kohës në sasinë e duhur të ujit që t`iu mundësojnë peshqve dhe gjallesave të tjera që të kalojnë”, – thekson Nika.

Ai ndalet edhe tek efektiviteti ekonomik i këtyre investimeve.

“Të ndërtosh gjithë ato HEC-e për një sasi të vogël energjie, vetëm 20 MegaWat, gjë që nuk ndihmon shumë në furnizimin me energji të stacioneve energjitike, dhe të shkatërrosh gjithë lumin për vetëm 20 MegaWat energji elektrike, është e papërfillshme si sasi. Prishet një lumë i tërë për kaq pak përfitim energjitik”, – thotë Olsi Nika.

Shtrati i lumit thuajse i tharë dhe gjatë muajve të dimrit

Lumi, i vdekur ekologjikisht

Lumi Luma ka një shumëllojshmëri prej 26 peshqish, duke filluar nga trofta e përrenjve të Ballkanit Perëndimor, peshqit e familjes së krapit dhe deri te mustaku. Futja e gjithë rrjedhës së ujit në tuba ka bërë që sot kjo faunë të mos ekzistojë më.

Biologu Arben Palushi ka bërë herë pas here ekspedita në lumë dhe e ka vërtetuar praninë e peshqve, peshq që tani nuk janë më. Me gjithë përpjekjet për ndërtimin e gropave të mbijetesës, Palushi së bashku me ekspertë të tjerë nuk arritën t`i shpëtojnë gjallesat endemike të këtij lumi.

“Në pjesën e sipërme, 1000-1500 metra, Luma banohej nga trofta e përrenjve të Ballkanit Perëndimor. Tani që janë ndërtuar hidrocentralet dhe uji futet nga tubi në tub, nga 22-26 lloje peshqish, sipas ekspeditave që kemi bërë, çdo gjë është sterile, sepse uji kalon nga tubi në tub”, – thotë biologu Palushi.

 

Shtrati i shkretuar i lumit Lumë

Kompanitë koncesionare, përveç futjes së ujit në tuba, shkelin pikat e kontratës, duke hedhur klorin në lumë për të pastruar tubat që zënë alga njëqelizore.

“Algat, duke e veshur tubin, ulin shpejtësinë e lëvizjes, sepse uji fërkohet tek ato edhe krijon turbulenca. Kjo ndikon në sasinë e energjisë që prodhohet. Për këtë arsye ata i lajnë me klor tubat, mirëpo klori shkatërron jetën. Firmat, jo vetëm që e kanë ngordhur peshkun, por as nuk kanë denjuar të heqin peshkun e ngordhur”, thotë Palushi.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është autoriteti përgjegjës për inspektimet në këto hidrocentrale. Vetëm pas kërkesave të njëpasnjëshme të ACQJ për informacion mbi gjendjen e këtyre investimeve dhe impaktin e tyre në ekosistemin e lumit Luma drejtuar IKMT-së dhe Drejtorisë Rajonale të IKMT, Kukës, kjo e fundit nisi inspektimet e nevojshme kundrejt këtyre koncesionarëve, duke iu përgjigjur kërkesës për informacion në mënyrë të pjesshme.

Sipas këtij institucioni, janë kryer inspektimet e nevojshme përgjatë lumit Luma (Gryka e Vanave), ku rezultoi se po ushtronin aktivitetin kompanitë koncesionare që kanë ndërtuar HEC-et në shtratin e lumit, nga të cilat dy prej tyre nuk i plotësojnë kushtet e Lejes Mjedisore, por pa përcaktuar se në çfarë masë kompanitë e tjera i plotësonin kushtet e lejes.

IKMT, Kukës shpjegoi se HEC-et “Orgjosti” dhe “Pobregu” kishin rrjedhje ekologjike, përmes së cilës një sasi e përcaktuar e ujit të rrjedhshëm, sipas përcaktimeve edhe në kontratën koncesionare, kalonte e pashfrytëzuar dhe e lirë në shtratin natyror të lumit, duke siguruar kështu ruajtjen e zinxhirit ekologjik. Ndërkohë, HEC-et “Topojan”, “Bele” dhe “Orgjost 1” shfrytëzonin 100% të ujit të kaskadës lumore, duke shkatërruar kështu sistemin dhe duke e lënë shtratin e lumit, në segmentin ku këto vepra janë, të thatë dhe pa jetë. Pavarësisht këtij pohimi nga ana e IKMT-së, nuk u vu në dispozicion se çfarë do të ndodhë me këta koncesionarë që kanë shkaktuar një dëm të pariparueshëm në sistemin ekologjik të lumit Lumë. Pavarësisht pohimeve se një pjesë e investimeve iu kanë qëndruar parashikimeve kontraktore dhe detyrimeve mjedisore, një vizitë në grykën e derdhjes së lumit Lumë, në atë të Drinit të Bardhë, në afërsi të qytetit të Kukësit, tregon një peizazh krejtësisht ndryshe: një shtrat i shkretuar lumi, me gurë që nuk kanë parë ujë të rrjedhshëm mbi veten për vite të tëra, edhe përgjatë sezonit të dimrit.

Uji që dikur rridhte në lumin Luma, një ndër më të mëdhenjtë e zonës, tani kalon nëpër tuba për të prodhuar energji elektrike, mungesën e së cilës banorët e zonës ende e vuajnë shpesh.

Jeta e banorëve, që jetojnë përgjatë këtij lumi, nuk ka ndryshuar. E ardhmja e tyre nuk duket më e mirë, ndërsa jeta e gjallesave të këtij ekosistemi i përket së shkuarës!

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter