Tirana, hapësirat e gjelbra mes pallateve po zhduken çdo ditë

Autor: Fatjona Mejdini

Në Tiranë hapësirat publike përreth blloqeve të banimit po zhduken gjithnjë e më shumë.
Ndërsa Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vijon një fushatë mediatike për mbjelljen e pemëve pranë Parkut të Liqenit Artificial, bashkia e drejtuar prej tij lejon çdo ditë ngritjen e bizneseve në hapësirat e blerta, publike mes pallateve në lagjet e Tiranës.

Lulishtet brenda blloqeve të banimit kanë qenë të pranishme pothuajse në çdo zonë të Tiranës, por gjatë dekadës së fundit ka nisur dhe eliminimi tyre dhe shndërrimi në ambiente private, kryesisht bare dhe restorante.

Po kështu, Bashkia e Tiranës refuzon të japë informacion përsa i përket shumës që pronarët e këtyre bareve dhe restoranteve paguajnë për përdorimin e hapësirave publike, duke e cilësuar këtë një sekret tregtar.

Një rast i tillë është në zonën pranë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, në rrugën Sandër Prosi. Në vitin 2007, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Edi Rama, në këtë zonë mbizotëronin hapësirat e gjelbra dhe lulishtet poshtë pallateve. Pasi drejtimin e Bashkisë së Tiranës e mori kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vitin 2011 në këtë zonë mbi lulishtet filloi të lulëzojë biznesi privat i bar-kafeneve, por ende në këtë zonë kishin mbetur disa hapësira të gjelbra pa u zaptuar.

Në shkurt të vitit 2016, kur Bashkia e Tiranës kishte pak kohë që drejtohej nga Erion Veliaj, gjatë punimeve për rehabilitimin e Zogut të Zi, ai deklaroi se Bashkia do të punonte për kthimin në identitet të shesheve dhe lulishteve mes pallateve.

“Nga tymi i qofteve kthehet në lulishte e sheshpushim hapësira te Zogu i Zi. Unë nuk e di se sa kohë do na duhet të kthejmë në identitet çdo shesh, por di që nuk do mbyllet asnjë ditë pa ndryshuar të paktën një”, – u shpreh në atë kohë Veliaj.

Por, në zonën përballë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit nuk ndodhi asgjë.

Hapësirat e zëna nga lokalet mbetën siç ishin, ndërsa edhe ato pak hapësira të lira që kishin mbetur u zunë nga lokale të tjera në vitin 2018.

Fotot satelitore nga viti 2007 deri në vitin 2019, ku tregohet zona e gjelbëruar dhe më pas transformimi në vite i hapësirës publike dhe zënia e saj nga lokalet.

“Ne detyrohemi të ulemi aty (në lokal), për të pushuar, por duhet të pimë kafe.

Po s’pive kafe, s’të lënë të ulesh”,– u shpreh një banor i kësaj zone.

Foto të tjera satelitore,ku tregohet sa e madhe është hapësira publike e zënë në këtë zonë nga lokalet. 

Sipas drejtuesit të organizatës EcoAlbania, Olsi Nika, Tirana tashmë është një qytet me popullsi prej më shumë se 800,000 banorësh dhe kjo rritje e madhe e numrit të popullsisë nuk është reflektuar në rritje edhe në hapësirat e gjelbëruara.

Sipas tij, studimet ekzistuese tregojnë se gjatë vitit 2009-2014 sipërfaqja e hapësirës së gjelbër ndryshon nga 1.989.703 m2 në 2.091.797 m2, me një rritje të sipërfaqeve të gjelbra urbane prej rreth 3.52%, ndërsa popullsia është rritur me 18.57%.

“Raporti i banorëve me hapësirën e gjelbër faktike ka rënë gjatë kësaj periudhe në Tiranë”, – tha ai për Qendrën për Gazetari Cilësore.

Sipas Nikës, ndërsa qyteti vazhdon të rritet, hapësirat e gjelbra janë jetike.

“Kjo është një sfidë, veçanërisht në zhvillimin e qyteteve, ku ka presion për hapësirë, burime dhe zhvillim. Përveç kësaj, hapësirat e gjelbra janë edhe zona socializimi dhe rekreacioni për qytetarët dhe si të tilla janë gjithashtu mjaft të rëndësishme”, – vijon ai.

Zona në krah të rrugës Asim Vokshi, si ishte (majtas) në vitin 2016 dhe si është tani (djathtas) 2019

Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në lagjen pranë rrugëve Asim Vokshi dhe Petro Marko, pranë institutit Harry Fultz. Në vitin 2009, kur Rama drejtonte Bashkinë, përmes Google Earth-it shohim që mes pallateve ka pasur një hapësirë të gjelbëruar, por që në vitin 2012, pak muaj nga marrja e drejtimit të bashkisë nga Lulzim Basha, kjo hapësirë u zhduk.

Nga një “kodrinë” e gjelbëruar kjo hapësirë u sheshua, ndërsa nga imazhi satelitor shihen mjete të parkuara.

Fotot satelitore nga viti 2009 deri në vitin 2018, ku tregohet zona e gjelbëruar dhe më pas transformimi në vite i hapësirës publike dhe zënia e saj nga lokalet.

Në vitin 2013, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, nisi një aksion për lirimin e hapësirave pranë Parkut të Liqenit, përkatësisht baret disa katëshe, të ndërtuara në krah të korpusit në sheshin Nënë Tereza, por duket se ky aksion u ndal me aq.

Korpusi universitar, 2010-2013.Në pjesën anësore duken bizneset që u shembën më pas

Në vitin 2015, në fund të mandatit të Bashës, hapësirat përballë institutit Harry Fultz ishin zënë nga baret, siç mund t`i shikoni edhe nga imazhet satelitore mësipër.

Ndërsa me marrjen e bashkisë nga Veliaj këto hapësira vijuan të jenë të pushtuara nga biznesi privat.

“Nuk jemi të kënaqur për hapësirat e gjelbra në lagjen tonë. Premtojnë gjithmonë për ndryshime, sidomos tani që vijnë votimet, bëjnë ndonjë gjë sa për t`u dukur që po bëjnë, por ja, shikoje vetë. Këtu s’kemi gjelbërim”, – u shpreh Frederik Hoxha, një qytetar që banon në këtë zonë.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës vijon të mbledhë fonde për gjelbërimin dhe pyllëzimin e Tiranës.

Një pjesë e të ardhurave që grumbullohen nga parkimi i automjeteve në qytet shkojnë për ta bërë atë më të gjelbër, ndërsa pjesa tjetër për të bërë punë publike.

“Besoj se qytetarët e kanë parë se çdo qindarkë që shkon në Bashkinë e Tiranës përkthehet menjëherë në investim, ndaj edhe garancia për këtë është fakti sa pemë kemi mbjellë këtë vit, sa korsi biçikletash kemi ndërtuar, sa korsi të dedikuara të autobusëve kemi shtuar për të inkurajuar qytetarët që një pagesë elektronike është transparente në marrëdhënien e tyre me Bashkinë, por është edhe mënyra ideale për të financuar projekte si pylli orbital apo gjelbërimi i Tiranës”,- tha Veliaj në shkurt 2017.

Leonard Olli, anëtar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak, thekson se Bashkia e Tiranës deklaron se janë rreth 4 milionë euro të ardhura në vit nga Tirana Parking.
“Sikur vetëm një pjesë e tyre të përdorej realisht për gjelbërimin e Tiranës, unë besoj se Tirana do të ishte një “kopsht botanik”, – tha ai.

Sekreti tregtar si justifikim për mungesë transparence

Qendra për Gazetari Cilësore i kërkoi Bashkisë së Tiranës informacion në lidhje me tarifat e paguara nga një numër biznesesh bar-kafe për përdorimin e hapësirave publike për aktivitetin e tyre fitimprurës. Kjo kërkesë ka ardhur si pasojë e denoncimeve të shumta se një numër i lartë biznesesh nuk i paguajnë ose paguajnë pjesërisht detyrimet e tyre kundrejt zënies së hapësirave publike, duke kontribuuar kështu në rritjen e korrupsionit dhe trajtimit preferencial të disa operatorëve.

Bashkia refuzoi të përgjigjej, duke cituar ligjin për procedurat tatimore dhe sekretin tregtar si shkak për mosdhënien e informacionit të kërkuar. Ajo u justifikua se informacioni tatimor i një subjekti tregtar hyn në informacionin e mbrojtur nga legjislacioni në fuqi përmes klauzolës së sekretit tregtar dhe vetëm një numër shumë i ulët institucionesh kishin akses në këtë informacion.

[pullquote]

Vendimi Nr.59, datë 30.12.2015 për “Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” parashikon tarifa prej 1500 ALL/m2, 750 ALL/m2, 400 ALL/m2 dhe 200 ALL/m2 për Zonat A, B, C dhe Njësitë Administrative jashtë qytetit të Tiranës respektivisht.

[/pullquote]

Por, në fakt, një justifikim i tillë nuk qëndron. Në bazë të Vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2015, titulli mbi “Tarifat për zënien e hapësirave publike”, për rastin e përdorimit të truallit me qëllim ushtrim aktiviteti tregtar si vendosje mallrash jashtë vendit të tregtimit, sipërfaqet e zëna me platforma, sipërfaqet e rrethuara me vazo me lule, bimë dekorative, me kangjella, drurë dekorativë, kufizime me plastmasë dhe sende të tjera etj., të ngjashme me to detyrimi është mujor, me tarifë bazë, e cila duhet të jetë informacion publik.

Ky refuzim, i bazuar dhe në justifikimin e sekretit tregtar dhe tësë drejtës për ruajtjen e informacionit privat, u hodh poshtë dhe nga Komisionari për të Drejtën e Informimit, i cili gjithashtu si Qendra për Gazetari Cilësore e konsideroi pagesën e kryer nga këto biznese një informacion, i cili duhet të jetë publik dhe i aksesueshëm nga qytetarët.

Ky i fundit ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës që të japë sqaimet e nevojshme për informacionin e kërkuar brenda datës 29 mars 2019. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Bashkia e Tiranës ende nuk ka kthyer përgjigje.

 

 

*Në foton kryesore bizneset në hapsirën publike  në krah të rrugës Asim Vokshi. 

**Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Tiranalytics: Një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës” që mbështetet nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane pwr Zhvillim dhe Bashkëpunim. Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet dhe qëndrimet e donatorit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter