Ushqime, rrugë të shtruara dhe …. çfarë thonë qytetarët pas zgjedhjeve?

Autor: Denis Tahiri

Jo shumë larg zgjedhjeve parlamentare, teksa në Tiranë politika vijon replikat si përherë, në periferi të kryeqytetit, qytetarët po shijojnë fitoret e vogla siç është një rrugë e shtruar befasisht.

Agroni është një nga përfituesit. 52 vjeçari, banon në zonën e Unazës së Re dhe përditë kalon në rrugën “Milto Sotir Gurra”, një nyjë në brendësi të pallateve me një gjatësi rreth 1.5 km. Kjo rrugë ka qenë e pashtruar për një kohë të gjatë. Për vite me radhë, gropat ishin të pakapërcueshme jo vetëm nga këmbësorët që ngecnin në pellgjet me ujë, por edhe për automjetet. Ankesat e banorëve të kësaj lagjeje nuk i dëgjoi askush dhe kjo indiferencë zgjati deri në ditët e fushatës elektorale.

Në asfaltin e ri janë ende të dukshme njollat e zeza të bitumit, që tregojnë se investimi ka ndodhur së fundmi.

Gropat janë zhdukur. Ankesat e qytetarëve janë zëvendësuar me “batuta” përmes të cilave nuk frenohen ta quajnë “asfalti elektoral”. Në të vërtetë ky etiketim ndeshet shpesh për shtrimet e rrugëve në kohë zgjedhjesh.

Agroni tund kokën dhe me pamje fitimtari shprehet për ACQJ: “E kanë asfaltuar për votime. Çfarë po shkon mbarë në këtë vend aman, po hajt mo. Nga ç’ishte… më mirë është. Ka qenë gropa, gropa e gjitha”. Me zë të lartë siç flet, fjalën ja ndërpret një zonjë që komenton duke mos ju ndarë politikës.

E shtruan për zgjedhje, mjafton ta shohësh s’ka as trotuare, as kanalizime e asgjë”. Si një lagje periferike e cila fillon ngjitur me arterien kryesore të Unazës së Re, është e dukshme se rruga e saj është shtruar nxitimthi. “Shikoi ngjyrat lara-lara të asfaltit, janë dëshmia më e mirë e sistemimit sa për të thënë”, komenton një kalimtar.

Pak më tutje, ulur në anë të rrugës takojmë një tjetër banor, që nuk e ndan ironinë dhe bashkë me të edhe kërkesën e llogarisë. “Është nga këto asfaltet elektorale që dëgjojmë. Por a i hodhën lekët për ta shtruar me asfalt, pse nuk e shtruan tamam? Të kishin bërë edhe trotuare, vende parkimi për makina, se s’po na e mban të ecim në rrugë, se tani që hodhën këtë asfaltin ecin shpejt e bën vaki na merr ndonjë makinë me vete”.

Por kjo gatishmëri e banorëve për të rrëfyer investimin elektoral, kthehet në heshtje kur pyet se kush e ka shtruar.

S’dimë gjë, këta të zonës thonë, po hec e merre vesh këtë punë”, shton i rezervuar Agroni.

[sliders_pack id=”5167″]

Kush e shtroi rrugën para zgjedhjeve?

Në anë të kësaj rruge, jo më larg se 3 metra prej asfaltit të hedhur, ndodhet edhe zyra elektorale e Partisë Socialiste në njësinë 6, ku kandidate për deputete ishte Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Ndaj ministres Balluku, është ngritur një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në këtë kallëzim, Partia Demokratike pretendon se ministrja dhe stafi i ministres kanë mbledhur të dhënat e banorëve të zonës ku Balluku ishte kandidate për deputete, për t’ju legalizuar shtëpitë.

Shtabi elektoral i Belinda Ballukut, me në krye drejtuesen e shtabit, Laureta Omeri mbledhin të dhënat e banorëve të zonës elektorale të Belinda Ballukut për të kryer legalizimin para zgjedhjeve. Ky është përdorim i burimeve shtetërore për qëllime partiake dhe elektorale dhe ndëshkohet me burg. Në këtë bisedë ka detaje të ndërtesave dhe adresave përkatëse për të cilat shtabet elektorale të Partisë Socialiste urdhërojnë legalizimin e menjëhershëm para zgjedhjeve, në këmbim të votës”, u shpreh Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat pas kallëzimit në SPAK.

Në sirtarët e SPAK nuk është vetëm kjo akuzë mbi denoncimet zgjedhore. Një tjetër kallëzim që ka mbërritur në duart e Prokurorëve të SPAK është edhe ai i dorëzuar nga Gazment Bardhi kundër Taulant Ballës, drejtuesit politik të Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit.

“Përshëndetje, ju flas nga zyra e Shtabit të Taulant Ballës dhe dua t’ju informoj se ndihma juaj ekonomike është dyfishuar nga Shkurti deri në Qershor. Kjo është mundësuar nga Taulant Balla. Presim mbështetjen tuaj. Faleminderit”, këto fjali, thuhet në kallzim janë pjesë e thirrjeve telefonike. Partia Demokratike pretendon se premtimi mbërriti në telefonat e atyre qytetarëve të Elbasanit që marrin ndihmë ekonomike. Për ta vërtetuar këtë, demokratët i kanë shtuar kërkesës për hetim disa numra telefoni të përdorur për të trasmetuar këto mesazhe tek qytetarët në nevojë, përftues të ndihmës sociale.

Në këtë kallëzim, Partia Demokratike thotë se drejtuesi politik i Partise Socialiste në Qarkun e Elbasanit, duke shfrytëzuar një Vendim të Këshillit të Ministrave (nr. 85, datë 10.02.2021), ka dyfishuar ndihmën ekonomike për qytetarët që e përfitonin atë në Elbasan, për ta përdorur për përfitime politike. Në të njëjtin kallëzim dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme, nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, pretendohet se po nga të njëjtët numra telefoni disa familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike ju është bërë presion për përfitimin e saj vetëm në këmbim të votës për Partinë Socialiste.

ACQJ tentoi të merrte të dhëna nga disa prej këtyre familjeve të komunitetit Rom në Elbasan dhe Cërrik, nëse kanë marrë apo jo një telefonatë të tillë, por nuk mori asnjë përgjigje, pavarësisht se u kontaktuan katër shtetas.

Më intereson buka e gojës dhe jo politika. Votën do ja jap cilitdo që më jep ndihmë ekonomike dhe kjo parti më futi në skemën e ndihmës ekonomike prej katër vitesh” shprehet me refuzim për të treguar nëse u josh apo jo financiarisht nga politika Hasan B. kryefamailjar.

Drejtuesi i “Community Reporters Albania”, Brejdon Xhavara, të cilët realizuan një monitorim për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit në qytetin e Tiranës, Elbasanit, Fierit e Durrësit, shprehet se në Elbasan, fenomeni i shit-blerjes së votës është një nga shqetësimet.

“Monitorimi u fokusua për zgjedhësit Rom dhe Egjiptian, kjo nisur nga raportet e mëparshme të OSBE/ODIHR që kanë gjetur gjithmonë të njëjtat problematika si:shit-blerja e votës, cënimi apo shantazhimi i zgjedhësit ditën e votimit. Nga raporti paraprak vëzhguesit faktuan që në qytetin e Elbasanit në lagjen 14 tek votuesit Rom u shpërndanë mallra dhe para për të votuar”, thotë ai.

Në zonat ku komunitetet vulnerabël kanë përqëndrimin më të madh, para 25 Prillit u shfaqën politikanët, me qese ushqimesh në njërën dorë dhe para cash në tjetrën. Sidomos kjo dukuri ishte prezente në lagjet e njohura si më të varfërat në qytete. Të tilla si: 4 njësi administrative në Tiranë, lagjen 14 dhe Nishtullën në Durrës, lagjet “5 Maji” dhe “Beqir Dardha” në Elbasan si dhe në rrethin e Fierit në Levan, Baltës dhe Mbrostar.

“Votime në grupe, ndihmë gjatë votimeve nga anëtarë të komisionit”, janë vetëm disa nga shkeljet që përmend Brejdon Xhavara për ACQJ duke shtuar se: “një natë para zgjedhjeve, në Tiranë dhe Elbasan u shpërndanë ushqime dhe para cash për të votuar, gjithashtu vëzhguesit vërejtën që gjatë procesit të votimit, votuesit Rom dhe Egjiptian janë shoqëruan nga persona të ndryshëm të cilët diktuan votën”, shton ai.

I pyetur për fenomenin e shit-blerejs së votës, ai thotë se: “Sipas raporteve të vëzhguesve, rastet kur janë shpërndarë ushqime dhe para cash janë evidentuar në të katërta bashkitë ku vëzhguesit kryen misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve”.

Çfarë po bën prokuroria?

Të gjitha palët politike, të majtë e të djathtë, madje dhe presidenti kanë kërkuar hetime nga SPAK, duke përmendur indicie, dyshime dhe përpjekjet për të korruptuar votuesit.

Më tipiket janë ofrimet e favoreve si legalizimet dhe qeset ushqimore. Një funksionar shtetëror, përmendet në kallëzim duke cituar mesazhet e tij.

Kur të mbaroni çfarë keni në dorë ju lutem kthehemi te C.K me këtë listë, se jua premtoi shefja vet banorëve”.

Në një prononcim për ACQJ sekretari për Punët ligjore në Partinë Demokratike, thotë se kjo forcë politike ka bërë dhjetra kallëzime për parregullsitë në zgjedhje.

Janë 180 kallëzime në Prokuroritë e rretheve dhe të paktën 40 në SPAK. Sigurisht kemi denoncuar me emra konkretë”, tregon Ivi Kaso.

Dhe në një kallëzim të dorëzuar në SPAK nga Edi Paloka, për Qarkun e Durrësit, janë listuar 44 emra personash, 22 prej të cilëve sipas dokumentit prej 11 faqesh të dorëzuar në SPAK, me funksione shtetërore të larta në administratën e qytetit bregdetar, ndërsa 22 të tjerë, qytetarët të cilët sipas PD kanë marrë pjesë në krime elektorale.

“Qyteti dhe në tërësi Qarku i Durrësit konsiderohen si vendi ku blerja e votës nëpërmjet bandave dhe nëpunësve të shtetit u kthye në “sistem”, një sistem i cili u perfeksionua dhe vijoj të përhapet në të gjithë vendin”, shkruhet në kallëzimin e PD.

Nga 91 kallëzime të mbërritura në SPAK, më pak se gjysma e tyre u mbajtën në duart e Prokurorëve të posaçëm. I pyetur në lidhje me këto denoncime, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja u shpreh se 46 raste u janë përcjellë për kompetencë Prokurorive të rretheve.

Kjo për arsye se veprat penale në fushën e zgjedhjeve janë shumë dhe Prokuroria e Posaçme është kompetente vetëm për dy prej tyre: “Korrupsionin aktiv në zgjedhje dhe Korrupsionin pasiv në zgjedhje”, tha për ACQJ drejtuesi i SPAK.

Ndër të tjera, drejtuesi i Prokurorisë së posaçme flet për dosjet: “Çështjet që kemi në hetim janë 34. Janë 7 në hetim për korrupsion në zgjedhje, nga të cilët 5 me “arrest në burg” dhe 2 me “detyrim paraqitje”. Kaq mund të them duke vlersuar se hetimi është sekret deri në perfundim. Për rastet e tjera nuk ka emra të dyshuar të shënuar në regjistër akoma. Vazhdojnë hetimet”.

Fotografim vote dhe grushta

Mes këtyre pretendimeve që presin zgjidhje hetimore, në 25 Prill nuk mungoi as fotografimi i votës. Në mes të kryeqytetit, shtetasi me iniciale A.S, jo vetëm do të fotografonte votën e tij, por do të dhunonte edhe një anëtare komisioni në momentin që u zbulua prej saj. Mënyra se si ka rrjedhur ngjarja, del në pah e detajuar në kallëzimin që shtetësja me iniciale R.I ka bërë në Policinë e Shtetit. Rreth orës 11:00, në qendrën e votimit  pranë shkollës Fan Nolin në Tiranë, shtetasi A.S ka shkuar të votojë, ku është konstatuar duke fotografuar votën. Ky shtetas ka goditur me grusht R.I pasi kjo e fundit e ka zbuluar duke fotografuar votën. Policia ka kërkuar edhe pamjet filmike të momentit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa A.S është shpallur në kërkim për veprat penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Më 25 Prill qytetarët shqiptarë shprehën të lirë vullnetin e tyre përmes votës. Por kallzimet e shumta edhe në prokuroritë e rretheve për zyrtarë që kanë shpërdoruar detyrën apo duke premtuar dhënie shpërblimesh mbetet ende për tu vërtetuar me prova. Asnjëri prej tyre nuk u kap në kushtet e flagrancës ndonëse politika ngriti zërin disa muaj para datës së zgjedhjeve. Dhe në këto ankesa nuk mungojnë edhe denoncimet që kanë lidhje me mënyrën e të informuarit të qytetarëve nga Agjensia Telegrafike Shqiptare. Ky kallëzim bazohet në trasmetimet live të ATSH në Facebook, ku janë pasqyruar aktivitetet live të qeverisë si dhe të disa kandidatëve të Partisë Socialiste gjatë fushatës së 25 Prillit, duke hedhur dyshime se ATSH ishte qartazi e njëanshme, pavarësisht se financohet nga Buxheti i Shtetit dhe duhet të jetë e pavarur.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter