Po blejmë shumë shtrenjtë, çmimet e ushqimeve vetëm rriten

Autor: Denis Tahiri

Me duar që i dridhen prej moshës, ajo fut në qese produktet që sapo i bleu. Gjithsej një pako vezë, një pako miell, një shishe vaj, kos dhe bukë. Rregullon shaminë e bardhë që i mbulon flokët e thinjur dhe merr ushqimet. Ajo nis dhe ankohet sapo e pyet për çmimet.

Çmenduri janë, 8 kokrra vezë 300 lekë. Po veza hyn në çdo gjë për të gatuar. Kaq sa mora shkuan 15000 mijë lekë, 120 mijë lekë e ka nëna pensionin”, thotë duke shtuar se dimër i vështirë e pret para. “Nëna është vet i dytë, kam edhe plakun, ai ka 200 mijë lekë pension. Tani më thuaj ti mua me 320 miijë lekë dy pleq në Tiranë, të dy me nga një grusht ilaçesh ja dalin dot?-, mjaftoi një tundje koke dhe ajo vijon sërisht të flasë. “I them faleminderit Zotit që më dha tre djem, nuk na lënë kurrë të jemi keq, i kam larg e i shoh rrallë, por nuk na lënë të na mungojë gjë”, rrëfehet Asija për “Sinjalizo”.

Pensionistja përfaqëson portretin e moshës së tretë që lufton me çmimet e kripura dhe pensionet e ulëta. Nuk bëjnë dallim sidoqoftë edhe të rinjtë. Çifti Elsa dhe Arbeni (emra të ndryshuar për shkak të pozicionit të punës që mbajnë), një çift i ri, të dy rreth të 30-tave, janë të  punësuar në administratën shtetërore.

Pagesa që i bën me dhimbje koke është qiraja për të cilën paguajnë 50 mijë lekë çdo muaj. Më pas janë edhe faturat e dritave, telefoni, që janë një rrogë. Tjetra përdoret për ushqime.

Është shtrenjtuar çdo gjë, të shkosh në supermarket, nuk mjaftojnë 300 mijë lekë për të marrë gjërat e nevojshme për një mirëushqyerje që mos të kesh probleme më pas”, thotë Elsa.

E kur i pyet për rritjen e rrogave që qeveria bëri pak ditë më parë, nuk mungon buzëqeshja e tyre ironike. “Nuk ishte rritje rrogash, ishte vetem indeksimi i pagës prej inflacionit që kishte vite pa u bërë dhe shteti e ka detyrim ta bëj çdo vit.”, sqaron kryefamiljari.

Rritja e ushqimeve të shportës godet familjet

Në muajt e parë të vitit 2022, rritjet e çmimeve u ndjenë nga pjesa më e madhe e konsumatorëve shqiptarë. Ditët e para të marsit  të 2022 e gjetën miellin në Shqipëri me një rritje prej 36%. Sipas Open Data Albania , grupet e mallrave dhe shërbimeve që kanë pësuar më shumë rritje gjatë këtij viti janë shërbime ndaj mjeteve personale të transportit 26.7%, vajra dhe yndyrna 22.4%, bukë dhe drithëra 15.8%, zarzavate përfshirë patatet 10.5%, qumësht, djathë dhe vezë 10.3% dhe sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira 10.2%. Ndërkohë çmimi që kërceu brenda ditës ishte ai për blerjen e vezës, që deri në janar të 2022 kushtonte 17 lekë. Aktualisht është 30 lekë për një kokërr.

Foto ilustruese

Në Shqipëri kanë harruar të rishikojnë pagat

Rritja e çmimit të benzinës ashtu si edhe të naftës dhe gazit, e shtoi edhe më shumë barrën ekonomike të një qytetari. Masa të ndryshme u ndërrmorën nga qeveritë e vendeve fqinje, ku ajo që spikati ishte Maqedonia e Veriut, e cila menjëherë miratoi ligjin për uljen e akcizës për karburantet që merrte shteti nga shitja e tyre si dhe ligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për karburantet nga 18% në 10%, ndërkohë që hoqi TVSH-në për të gjitha ushqimet bazë. Heqja e kësaj TVSH është pothuajse rast unik në rajon. Një gjë e ngjashme u kërkua në Shqipëri edhe para disa javësh, ku deputetë të opozitës për shkak të rritjes së çmimit, kërkuan uljen e TVSH nga 20% në 6%, por një gjë e tillë nuk ka gjetur mbështetjen qeverisë.

Nga ana tjetër, Hasan Stafa, nga zyra e konsumatorit shprehet se ankesat më të shumta janë kryesisht për produktet bazë. “Vetëm në shtator janë regjistruar mbi 2134 ankesa për rritje spekulative të çmimeve”, shprehet zoti Stafa, i cili shton se rritja e çmimeve është e vazhdueshme. “Ngritja e dytë e çmimeve filloi më 14 qershor pasi filloi sezoni turistik, ushqimet e shportës u ngritën pa deklaruar edhe 17-45% mbi ngritjen e fundit të shkurtit”, thotë ai duke shtuar se rritja vazhdon çdo javë me 10-20 lekë.

E nëse e pyet se nga se erdhi kjo rritje e çmimeve, zoti Stafa të thotë se rritja ka filluar për çdo produkt ushqimor më 27 shkurt, kjo e diktuar nga ndryshimi i çmieve në tregun Europian e më gjerë.  “Shkak zyrtar mbetet pushtimi i Ukrainës, ky agresion ngriti brenda 7 ditësh çmimin e karburanteve me 46%, miellit me 37%, vajit 45-80%,bukës me 32%, ushqimet e shportës me 22-43%, ato shtazore me 30-54% dhe transportin në përgjithësi me 30%”, shprehet ai.  Në lidhje me masat e paketës sociale të ndërrmarrë zoti Stafa shprehet se kompensimi mbulon rreth 3-4% të rritjes spekulative të çmimeve. “Bordi i Transparencës është formal, jo veprues, askush nuk e di nga kush përbëhet e kryesohet dhe nuk ka ndikim në treg”, përfundon ai.

Eksperti: Masat e vonuara dhe të pakta

Genti Beqiri, ekonomist dhe aktualisht Drejtor i Dhomës Japoneze të Tregtisë në një intervistë për “Sinjalizo” shprehet se masat e ndërrmara nga qeveria ishin të vonuara dhe normalisht përqindja e ndikimit nuk është 1 me 1, në atë nivel që është me rritjen e çmimeve apo kostove të jetesës.

Genti Beqiri Ekspert ekonomie

E ndërsa në vendet e BE-së, indeksimi i inflacionit ndodh çdo fundvit në paga, në Shqipëri kjo gjë ndodh rrallë. E madje kur ndodh shitet si një rritje rroge, jo indeksim i inflacionit.

“Për sa kohë që nuk funksionon sistemi që në fund të vitit të bëhet një indeksim, pra sa është rritur inflacioni, të bëhet rritja e pagave dhe pensioneve duhet ta kemi të qartë që kjo nuk ka ndodhur me të njëjtën përqindje që janë rritur çmimet apo kostot e jetesës së individit, është rritur dhe niveli i pensioneve, ndihmës sociale etj ”, shprehet zoti Beqiri duke shtuar se Shqipëria është mbrapa gjithë Ballkanit. “Kosova i ka në nivel më të lartë për 1000 arsye, nuk ka rëndësi ti themi”, shprehet ai, duke shtuar se të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur për shkak të të ardhurave shtesë nga TVSH që është më e lartë, për shkak të rritjes së çmimit, por rishpërndarja e këtyre të ardhurave shtesë te popullsia lë jashtë një pjesë të saj. Ata që nuk punojnë në administratë.

Pra një individ që punon në privat, është kontribues në rritjen e të ardhurave të shtetit, pasi kjo rritje ka ardhur si pasojë e shpenzimit të popullsisë pra, gjithë konsumatorëve, por kur nuk punon në administratë ti nuk prekesh nga masat zbutëse, pasi nuk je në buxhetin e shtetit”, thotë zoti Beqiri, duke shtuar se është e rëndësishme që shteti të ndihmojë pensionistët, njerëzit me ndihmë sociale . “Dhe me këtë grup e kam fjalën kryesisht për shtresat e mesme që vuan dhe ka vuajtur tërë këto vite nga politika fiskale të çuditshme që ndërrojnë çdo vit, që njëherë bëjnë sikur stimulojnë e njëherë sikur ndihmojnë, por që fatkeqësisht nuk ndodh asnjëherë dhe vijojnë të vuajnë. Kjo është arsyeja pse niveli i migrimit dhe niveli i dëshirës për të emigruar sidomos i këtij grupi profesionistësh të shtresës së mesme mbetet kaq i lartë”, përfundon Beqiri.

E ndërsa qeveria shqiptare ka qenë kategorisht kundër heqjes ose uljes së TVSH, ashtu si ka bërë edhe Maqedonia e Veriut për shportën e ushqimeve ose karburantet, zgjidhja në Shqipëri sipas ekspertit të ekonomisë mund të gjendej shumë thjeshtë, por jo duke zeruar TVSH. “Ne nuk kemi një administratë tatimore apo një strukturë transparente në mënyrë që ta bëj të mundur këtë lloj aplikacioni. Sa herë e kemi bërë këtë gjë, hileqarët dhe niveli i lartë i informalitetit ka përfituar që do të thotë që kur aplikohet kjo kanë përfituar dhe ata që nuk duhej të përfitonin, kjo edhe për faktin që administrata jonë tatimore dhe fiskale është aq e dobët sa që i shton dhe i krijon vetë këto gropa”, thotë zoti Beqiri duke shtuar se ka mënyra të tjera të cilat mund të lehtësonin rritjen e çmimeve, e një nga ato është ndihmesa e vet prodhuesit duke i ulur TVSH.

“Të gjithë ata që prodhojnë produket vendase të shportës ushqimore shumë mirë mund të ndihmohen duke i akredituar, ata që i kanë paguar shtetit ja njeh faturat, pasi tani faturat janë online dhe thotë “Gjatë këtij viti, kjo firmë që prodhon produkte ushqimore ka paguar TVSH x milionë, i akreditojmë dhe normalisht ka për të paguar Tatim- Fitim dhe tasksa x milion dhe bëhet një korrigjim në fund të vitit, ky është stimuli më i mirë. Kjo do të thotë që në vend që të paguash 10 milionë lekë të reja taksa në fund të vitit, paguaj gjysmën e tyre dhe ta njoh”,shprehet eksperti i ekonomisë, duke shtuar se kjo mënyrë ndihmon edhe biznesin që të formalizohet, pra ai të jetë më i interesuar që të jetë sa më i rregullt dhe sa më transparent se në fund të vitit do t’ia njohin. “Këto aplikime Shqipëria nuk i njeh, ose nuk dinë ti zbatojnë ose nuk duan ti zbatojnë”,përfundon ai.

Ndonëse rritja e çmimeve është ndjerë edhe në Europë, në Shqipëri rezulton se 40 përqind e të ardhurave vazhdon të harxhohen për ushqime. Por teksa e njëjta gjë nuk ndalet edhe për karburantin, dhe për produkte të tjera në fillim të vjeshtës, INSTAT njoftoi se edhe indeksi i ndërtimeve shënoi rritje.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter